Aleatët e PD propozojnë krijimin e një federate opozitare

Më të fundit


Aleatët e Partisë Demokratike, të përfaqësuara nga kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu, kanë prezantuar paraditen e së premtes propozimin e tyre për krijimin e një federate opozitare e cila synon të shprehë mendimin e unifikuar të pakicës në Parlament.

Nismëtari Mediu theksoi se opozita, vetëm e bashkuar mund të ndryshojë realitetin politik në Shqipëri.


Aleatët e PD-së propozuan institucionalizimin e federatës së opozitës nën moton “Edhe pse të ndryshëm, kemi një qëllim të përbashkët, një Shqipëri europiane.”

Federata e opozitës pritet që të ketë një emër, një program politik dhe një logo.

Siç bënë të ditur nismëtarët, pritet që opozita e bashkuar të ketë bashkëpunim institucional me organizmat e diasporës, të mandatohet një grup deputetësh që do të jenë përfaqësues për marrëdhëniet dhe diskutimet me partnerët ndërkombëtare si dhe të bëhen takime parlamentare me të gjithë ligjvënësit opozitarë që kanë dalë nga zgjedhjet e 2021.

Aleatët e PD-së deklaruan se synimi i tyre është që opozita të dalë me një qëndrim të unifikuar për Reformën Zgjedhore, përpara se të kalojnë në diskutime me mazhorancën socialiste.

Të pyetur nëse janë konsultuar paraprakisht me Sali Berishën dhe Lulzim Bashën, ata thanë se propozimet e tyre i kanë bërë prej ditësh tashmë në studiot televizive dhe se me “siguri ata ia kën dëgjuar propozimet e tyre.

“Kemi shpresë se do t’i thërrasin arsyes,” Agron Duka.

Drejtuesit e partive të vogla opozitare theksuan se iniciativa e tyre nuk ka synim ndarjen apo përcaktimin se kush e drejton Partinë Demokrate, por se si objektiv kryesor kanë që pakica në Parlament të dalë me qëndrime të unifikuara për Reformën Zgjedhore, Komisionet Parlamentare apo edhe në marrëdhëniet me diasporën dhe ndërkombëtarët




Skip to toolbar