Shpëtimi i 11-vjeçarit shqiptar Alvin Berisha nga kampi Al Haul në Siri, që deri para pak kohësh kontrollohej nga ISIS ishte një nga lajmet e mira të javës. Ky lajm, që në fakt duhet të bashkonte politikën, nuk arriti ta bënte sërish. Analisti Alfred Lela tha në emisionin “Real Story” se në fakt ky lajm i mirë u arrit falë autoriteteve italiane dhe se nuk duhet t’i jepen kredite të pamerituara autoriteteve shqiptare.
“ Edhe një lajm i mirë në fakt bëri që klasa jonë politike të turret për të marrë kredite apo rrëzuar kredite. Ai djalë rimori jetën dhe u shpëtua falë autoriteteve italiane. Të mos i japim kredite të pamerituara shqiptarëve pasi ka përpjekje për ta propaganduar edhe këtë. Sigurisht që kryeministri duhet vlerësuar për përpjekjet që bëri me Conten për ta kryer këtë operacion.” tha Lela
Për Skënder Minxhozin ky ishte një lajm i mirë dhe nuk ka rëndësi kush i merr meritat. ‘ Është e rëndësishme që rasti i Alvinit të shërbejë si shtysë për të identifikuar rastet e shqiptarëve të tjerë në ato kampe të rrezikshme.”
Ndërsa analisti Arjan Vasjari e mbylli fjalën me një batutë therëse dhe ironike se “Alvini e ka më të lehtë të luftojë xhihadistët e ISIS se sa xhihadistët e Tiranës.” / Real Story