“Mungesa e drejtësisë sjell akte mafioze”

POLITIKË


Mungesa e drejtësisë dhe lidhjet e krimit me politikën janë arsyet se pse ndodhin atentate tipike mafioze në vend si ai ndaj prokurorit Arjan Ndoja. Pikërisht ky ka qenë diskutimi në emisionin “Real Story” , ku analistët thanë se mungesa e drejtësisë dhe e dënimeve për përgjegjësit, ka bërë që krimi të shtrijë dorë thellë në çdo drejtim. Analisti Skënder Minxhozi e cilësoi atentatin ndaj prokurorit si ngjarje që erdhi nga një drejtësi e munguar. Minxhozi tha se njerëzit e drejtësisë janë të përlyer dhe se për shkak të kësaj askush nuk shkon në burg apo dënohet. Në emisionin “Real Story” Mnixhozi tha se vendi është bërë më keq se jugu i Italisë në vitet 1970 dhe shoqëria është e kriminalizuar në një shkallë shumë të lartë. Sipas Minxhozit shpëtim mund të shihet vetëm te drejtësia e re, por që shprehu rezerva për procesin e Vetingut

Duket sikur jetojmë në jug të Italisë në vitet ’70, sepse kemi të vrarë. Këtu tek ne është më pak e lavdishme, sepse njerëzit e drejtësisë janë të përlyer. Kjo është një ngjarje e mbartur nga një drejtësia e munguar. Kjo tregon se sa thellë ka hyrë në indin njerëzor krimi dhe kriminalizimi. Kjo shoqëria është e kriminalizaur në një shkallë shumë ta lartë. Këtu nuk hyn askush në burg, por dalin të gjithë të pafajshëm. Nuk hyn njeri në burg që vjedh vota. Drejtësia e re duhet të bëjë drejtësi. Tek kjo kemi të vetmen shpresë, përndryshe do të shkojmë të gjithë në Gjermani te Merkel. Vettingu nuk po sitë mirë dhe imët ata që kalojnë matanë. Unë kam dyshimin se nuk është një sitë kaq e imtë dhe e kujdesshme. Nuk e shoh çështjen politikisht, por teknikisht. Edhe ata që po kalojnë vettingun kam përshtypjen se nuk janë të gjithë të virgjër”-tha Minxhozi.


Mungesa e drejtësisë që sjell akte të tilla u mbështet edhe nga analisti Alfred Lela, i cili tha se ngjarje të tilla i kemi parë më herët edhe në Shkodër, Vlorë e Durrës. “Kjo ngjarje bëri bashkë 3 pika kryesore që janë çështja e pronave, drejtësia e munguar dhe infektimi i zgjedhjeve. Më pëlqeu metafora e Vasjarit, që në fund populli e ha. Këtu te ne është populli që e ha në këtë film që është vënë në skenë nga politika dhe drejtësia.” tha Lela

Analisti Robert Rakipllari tha se kjo çështje vjen si pasojë e “tranzicionit’ që po kalon drejtësia nga e vjetra drejt të resë. “Këto ngjarje janë efekt i reformës në drejtësi ku krimi, prokurorët dhe politika po mundohen t’i zgjidhin sa më shpejtë çështjet që të mos mbeten në dorë të drejtësisë së re që po vjen. Kjo drejtësi “tranzitore” që kemi aktualisht është më qesharake se ajo që kishim. Krimi është i lidhur me drejtësinë e politikën, të paktën në nivel qendror. “Rrumi” e tregoi këtë.” tha Rakipllari / Real Story




Skip to toolbar