Ambasadori amerikan: Serbia duhet t’i drejtohet Perëndimit për hir të fëmijëve të saj, t’i vendosë sanksione Rusisë

KOSOVA


Ambasadori Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se nuk ka dyshime se Serbia duhet t’i drejtohet Perëndimit.

Hill gjatë një interviste për përjavshmen serbe NiN theksoi se Serbia duhet ta bëjë këtë për fëmijët e saj, siç tha ai, për të gjitha arsyet e tjera të mundshme.


“Shumë të rinj nga Serbia shkojnë në Perëndim, nuk i shoh të shkojnë në Lindje. Prandaj, mendoj se është mjaft e qartë se ku dëshiron të shkojë Serbia”, tha ai.

Ai shtoi se SHBA-ja e vlerëson Serbinë si partnere dhe mbështet aspiratat e saj për t’u bërë anëtare e plotë e BE-së.

“Unë do të doja të shihja Serbinë, mikun dhe partnerin tonë, një ditë ndoshta të marrë një vendim për t’u anëtarësuar në NATO”, shtoi Hill.

Diplomati amerikan ka thënë se është i vetëdijshëm për barrën e së kaluarës dhe atë që ka ndodhur në vitin 1999 dhe ka treguar se dëshiron ta shoh Serbinë si anëtare të barabartë të Komunitetit të Atlantikut të Veriut.

“Unë e di se do të ishte e vështirë për Serbinë të vendoste për diçka të tillë, por ky do të ishte fokusi im në përpjekjet për t’u afruar me Serbinë”.

Hill përsëriti se qëndrimi i vendit të tij dhe BE-së është se Serbia duhet t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë dhe u pyet nëse qeveria e re e Serbisë do të tolerojë refuzimin e vendosjes së sanksioneve.

“Për mua është e qartë se për Serbinë çështja e sanksioneve është komplekse për arsye historike, por të gjithë duhet të jenë të qartë se çfarë ka bërë Rusia”, theksoi ai.

Lidhur me ngjarjet rreth Europride në Beograd, Hill konfirmoi se ai vetë do të ishte atje “në njëfarë cilësie”.

Ai gjithashtu vuri në dukje se për të është e qartë se “shumë serbë kanë pikëpamje të ndryshme” kundër mbajtjes së Europride.

“Më duhet të them se shumë vende, përfshirë edhe Serbinë, kanë bërë përparim të madh në këtë çështje dhe kam menduar se organizimi i një manifestimi si Europride është një mundësi për Serbinë për të treguar se sa përpjekje ka bërë për të treguar respekt për njerëzit”.




Skip to toolbar