Ambasadori i OSBE, te Krimet e Rënda për ngritjen e SPAK

AKTUALITET


Ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt e ka nisur këtë të premte me një takim në prokurorinë e Krimeve të Rënda me Prokuroren, Donika Prela.

Borchardt dhe Prela kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi për “Bashkërendimin, Koordinimin, bashkëpunimin dhe Komunikimin midis Policisë Gjyqësore dhe Prokurorisë në Procedimet Penale”.

Ndërkombëtarët çdo ditë e më shumë po ushtrojnë presion për ngritjen sa më parë të SPAK, strukturë kjo që do të merret me hetimin dhe vënien para drejtësisë të zyrtarëve të lartë e politikanëve të akuzuar për korrupsion dhe lidhje me krimin.

“Sipas dispozitave të këtij Memorandumi Mirëkuptimi, Prokuroria e Krimeve të Rënda nga ana e saj  do të jetë mbështetëse dhe do të ndihmojë për mundësimin e një procesi të qetë  për sa i përket grumbullimit të të dhënave që do të zhvillohet në terren, në formën e pyetësorëve dhe intervistave. Do të mundësojë akses në informacionin e saktë në lidhje me organizimin e personelit brenda institucionit, si numri total i prokurorëve, policisë gjyqësore, gjinia, mosha e tyre, etj. Do të lehtësojë procesin e shpërndarjes dhe grumbullimit të pyetësorëve brenda institucionit, duke siguruar që ky proces të kuptohet brenda radhëve të prokurorëve dhe policisë gjyqësore. Do të të sigurojë akses në mjediset e saj për personelin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, të caktuar për të kryer analizën, si dhe të mundësojë një hapësirë të përshtatshme për ata që të ndërmarrin aktivitetet e tyre”, shkruhet në memorandumin e nënshkruar nga OSBE dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Siç duket OSBE do të monitorojë procesin e ndjekjeve penale në Shqipëri, gjë që garanton zbatimin e paanshëm të reformës në drejtësi dhe veçanërisht funksionimin e SPAK, që do të merret posaçërisht me zyrtarët e lartë.



Skip to toolbar