Ministri i Drejtësisë Toni Gogu tha për Real Story se përmirësimi i ambienteve të gjyqësorit është një sfidë e rëndësishme që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e dhënies së drejtësisë dhe në standardin europian të institucioneve.
Sipas tij, jo vetëm vendimet, por edhe mënyra sesi jepet drejtësia ka rëndësi, ndërsa ambientet e reja do të garantojnë më shumë mbrojtje dhe vlerësim për gjyqtarët, si edhe një proces më dinjitoz për palët. Gogu theksoi se standardi europian nuk duhet të mbetet vetëm në dokumentet e Brukselit, por duhet të ndihet konkretisht në sallat e gjyqeve dhe institucionet shqiptare, në mënyrë që qytetarët të ndihen si në Europë edhe në zemër të Tiranës.
“Kemi një sfidë të madhe për ambientet e gjyqësorit, do të ndikojë në përmirësimin e dhënies së drejtësisë. Është e rëndësishme që jo vetëm vendimi pro, por edhe mënyra sesi jepet, ka rëndësi. Ambientet e reja materializojnë një standard europian, por edhe vetë gjyqtarët do të jenë të mbrojtur dhe të vlerësuar, dhe të gjitha palët të kenë mundësi të ndihen pjesë e këtij procesi.
Autoriteti që vendos rendin në një proces është gjykata dhe besoj në fazën e dytë të reformës, ku standardi europian duhet të materializohet; kjo gjë duhet të ndihet. Rolet janë shumë të qarta; shumica qeverisëse, qoftë në rolin ekzekutiv por edhe si shumicë parlamentare, e ka të qartë që nuk jep drejtësi. I qartë është edhe roli për gjykatën; secili kur fokusohet në detyrën e vet, qytetari e ndjen drejtësinë. Standardi europian nuk duhet të jetë në letrat që dërgon Brukseli, por duhet të jetë në sallat e gjyqeve dhe zyrat e institucioneve, që qytetari të ndihet në Europë duke qenë në mes të Tiranës.”
