“Armë, maska e jelekë antiplumb”, zbulohet në Shkodër një tjetër bazë e grupeve kriminale

AKTUALITET


Një tjetër shtëpi, e cila dyshohet se shërbente si bazë për furnizimin e grupeve kriminale u zbulua nga autoritetet policore, këtë herë në qytetin e Shkodrës. Shtëpia ndodhej në lagjen Partizani dhe ishte në pronësi të një 26-vjeçari, i cili u arrestua. Në brendësi të saj autoritetet gjetën maska, paruke, jelekë antiplumb, armë gjahu, municion luftarak, etj.

“Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme në kuadër të megaoperacioneve policore “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”, bazuar në inteligjencën policore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, kanë goditur një tjetër rast të furnizimit të personave apo grupeve kriminale, me mjete për të kryer krime kundër personit dhe pronës, si dhe një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave.       


Në lagjen “Partizani”, shërbimet e Policisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Imazhi fals”, kanë ndërhyrë në banesën e 26-vjeçarit R. G., ku kanë gjetur dhe sekuestruar 7 jelekë antiplumb, 2 palë doreza, 3 maska, 2 paruke, municion luftarak, 1 kokore metalike, 1 armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme, si dhe sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis. Në përfundim të veprimeve të para hetimore dhe procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi R. G., 26 vjeç, banues në Shkodër”, thuhet në një njoftim për mediat.   

Autoritetet vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e plotë të këtij rasti, kapjen dhe vënien në pranga të personave të tjerë të përfshirë. Një ditë më parë, në Fushë Kuqe të Lezhës u zbulua një bazë e ngjashme, në një shtëpi të vjetër në fshatin Gorre.




Skip to toolbar