Kaosi në Kuvend, mazhoranca kërkon masë për Berishën bashkë me 5 deputetë të opozitës

AKTUALITET


Pas seancës së të hënës, mazhoranca ka kërkuar masë disiplinore për gjashtë deputetë të Partisë Demokratike. Në kërkesën e deputetëve socialistë kërkohet masë për deputetët Flamur Noka, Elda Hoti, Albana Vokshi, Gazment Bardhi, Edi Paloka dhe Sali Berisha.

“Deputeti Flamur Noka ndezi disa flakadanë duke shkaktuar kaos dhe rrëmujë në sallë. Njërin prej flakadanëve deputeti Noka e hodhi në drejtim të Kryetares së Kuvendit. Edhe pse drejtuesja e seancës mori masë disiplinore ndaj deputetit, ai vijoi përsëri të cënojë mbarëvajtjen e seancës plenare.


Situata agravoi edhe më tej në momentin kur deputeti Noka i vuri flakën disa herë letrave dhe i vendosi tek karriget që ishin vendosur për të bllokuar foltoren, duke rrezikuar kështu jetën e deputetëve dhe të stafit në sallë. Deputetet Elda Hoti dhe Albana Vokshi i dhanë disa herë deputetit Flamur Noka flakadanë. Gjithashtu deputetja Elda Hoti e ndihmuar edhe nga deputetja Vokshi ndezën disa flakadane ku disa prej tyre i vendosën poshtë karrigeve mbi foltore.

Deputeti Gazmend Bardhi pengoi zhvillimin e rregullt të seancës plenare duke shkaktuar rrëmujë në sallë dhe përdori fjalë fyese ndaj deputetëve të Partisë Socialiste gjatë fjalës së tyre.

Gjithashtu deputeti Bardhi tentoi t’i merrte kartën nga pajisja elektronike deputetit Petro Koçi gjatë kohës që po mbante fjalën. Gjithashtu pranë deputetit Koçi u afrua edhe deputeti Edi Paloka i cili tentoi ta godiste. Deputeti Sali Berisha pengoi zhvillimin e rregullt të seancës plenare duke zaptuar foltoren e Kuvendit, duke shkaktuar kaos në sallë, fyer deputetët dhe drejtuesen e seancës, sjellje këto në kundërshtim të plotë me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Marrjen e masës disiplinore ndaj deputetëve, Flamur Noka, Elda Hoti, Albana Vokshi Gazmend Bardhi, Edi Paloka dhe Sali Berisha sipas Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën për vlerësimin e masës disiplinore”, thuhet në kërkesën e 7 deputetëve socialistë.




Skip to toolbar