Arrestimi i Berishës, “Freedom House”: Rithemelimi dëshiron ta destabilizojë vendin…

AKTUALITET


Në raportin e ‘Freedom House’ publikuar së fundmi vlerësohen përpjekjet e SPAK-ut për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar duke veçuar rezultatet e hetimeve ndaj figurave politike.

“SPAK-u gradualisht përmirësoi rezultatet e hetimeve të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe ngriti akuza kundër një numri politikanësh kryesorë në Shqipëri në vitin 2023, duke u bërë njëri nga institucionet e pakta funksionale të drejtësisë dhe prokurorisë në vend, ndërkohë që procesi i vetingut në Shqipëri vazhdoi edhe gjatë vitit 2023″, thuhet në raport.


Raporti i referohet hetimeve të SPAK-ut ndaj ish kryeministrit Sali Berisha për korrupsion, për të cilin ai është shpallur non-grata nga SHBA dhe Britania e Madhe dhe shton se krahu i tij politik “është shndërruar në një grup të dhunshëm, që duket se dëshiron të destabilizojë vendin, duke e bërë arrestimin e tij lajm të mirëpritur për shumë njerëz.”

Sipas ‘Freedom House’ “partitë politike shqiptare vazhdojnë të mos jenë në gjendje të përballen me korrupsionin në radhët e tyre dhe duken të pavullnetshme për t’u distancuar nga udhëheqësit problematikë partiakë që janë sanksionuar jashtë vendit ose që ballafaqohen me akuza serioze nga SPAK-u.”

Raporti po ashtu citon edhe aktpadinë e SPAK-ut ndaj ish Zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për korrupsion dhe lëshimin e fletë-arrestit ndërkombëtar pasi ai u largua nga Shqipëria.

Përpjekjet e shtuara të SPAK-ut për të hetuar korrupsionin dhe krimin e organizuar të nivelit të lartë, sipas ‘Freedom House’, kanë nxitur sulme ndaj gjykatësve dhe prokurorëve të tij nga të gjitha partitë politike, të cilat vazhdojnë të mos distancohen nga zyrtarët e akuzuar mes radhëve të tyre.




Skip to toolbar