E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara, Nancy VanHorn është takuar mesditën e të martës me ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha.
Ky takim vjen një ditë pas arrestimit të Ilir Metës, kryetar i Partisë së Lirisë, prangosja e të cilit u komentua lidhur me mënyrën e prangosjes së tij nga forcat e Lëvizëse Operacionale të Policisë së Shtetit. AbcNeWs, mëson se në këtë takim të shkurtër që zgjati vetëm 20 minuta, janë diskutuar zhvillimet e fundit në vend.
Përfaqësues të Partisë së Lirisë dhe opozitës e kanë cilësuar prangosjen e Ilir Metës, si arrestim politik, duke pretenduar se është dhunuar gjatë ndalimit të tij të martën, teksa udhëtonte me makinë pranë vendit të quajtur Kthesa e Kamzës. Ndërsa Policia dhe ministri i Brendshëm Hoxha thanë se nuk pati dhunë gjatë arrestimit, por se Meta kishte kundërshtuar arrestimin.
Pak ditë më parë përfaqësuesja e SHBA-së zhvilloi një takim kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, dhe vlerësoi arritjet e SPAK-ut në ndjekjen penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet më të larta.
Ndërkohë këtë të martë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ilir Proda zhvilloi një takim me Drejtuesin e Strukturës së Posaçme, Altin Dumani.
Ilir Proda dhe Altin Dumani kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit mes SPAK dhe Policisë së Shtetit, si dhe rritjes së besueshmërisë mes palëve, për goditjen e çdo rasti korrupsioni apo krimi të organizuar.