Autorja dhe skenaristja e RAI TV, Valentina Pizzale, 41 vjeç, është vënë në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, të enjten. Ajo akuzohet për përndjekje dhe kërcënime ndaj 63-vjeçarit, Ettore Sequi, ish-ambasador i BE-së në Shqipëri, aktualisht pjesë e kabinetit të Di Maio-s në Itali. Prokurori i Romës kërkoi masën paraprake, të urdhëruar nga gjykatësit, pasi Sequi nënshkroi një shkresë ku akuzonte Pizzalen për kërcënimet ndaj tij.
Në vitin 2017, Sequi dhe gazetarja e RAI, patën një lidhje, e cila nuk zgjati shumë. Pasi ndanë, Sequi iu drejtua gjykatës për të mbajtur larg gruan me të cilin kishte pasur lidhje. Herën e parë ai e kishte denoncuar, sepse ajo vazhdonte ta kontaktonte në çdo kohë, duke u përpjekur ta frikësonte apo kërcënuar se do të bënte publike lidhjen e tyre.
Gazetarja, sipas mediave italiane, nuk dëshironte që lidhja e tyre të merrte fund. Por, duke u përballur me rezistencën e Sequi për ta mbajtur larg vetes, mesazhet e saj kishin ndryshuar përmbajtje.
Ato ishin bërë më të shpeshta dhe të pandërprera. Kur situata arriti kulmin, Prokuroria nisi të hetojë çështjen. Gjatë muajit shtator, mesazhet kërcënuese ishin përshkallëzuar, çka shtyu Prokuroren Maria Monteleone dhe Daniela Cento të kërkojnë arrest shtëpie. Pizzale, tani është në shtëpinë e saj dhe nuk mund të komunikojë me botën e jashtme, madje as nëpërmjet rrjeteve sociale.