Këshilli Europian si Bundestagu: Shqipërisë, t`i hapen negociatat

Këshilli Europian do të propozojë hapjen e negociatave me Shqipërinë. Sipas një drafti të siguruar nga A2 CNN,  Këshilli do të propozojë negociata me kushte për Shqipërinë. Ajo që vihet re nga kushtet e Këshillit Europian është fakti se ato janë të njëjtat kushte të Bundestagut gjerman.

“Këshilli Evropian vendos të hapë negociatat e pranimit me Shqipërinë. Para konferencës së parë ndërqeveritare, e cila duhet të zhvillohet jo më vonë se në gjysmën e parë të vitit 2020, në varësi të progresit të bërë, Shqipëria duhet të sigurojë: Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Nisjen e hetimeve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të dyshuar për sjellje kriminale si rezultat i gjetjeve nga procesi i vetting-ut. Hetim rasteve dhe akuzave për krim elektoral”.

“Ngritja dhe funksionimi i SPAK. Rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë zyrtarët e nivelit të lartë. Të miratojë reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR. Të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019”, thuhet në kushtet e Këshillit të Europës. Pra, në thelb nuk ndryshon asgjë nga kushtet e Bundestagut.

Pra, duke u nisur nga  kushtet e Këshillit Europian të cilat nuk ndryshojnë nga ato që Bundestagu Gjerman kërkoi disa javë më parë, kuptohet se  indirekt influenca e Gjermanisë te vendet anëtare të BE-së ka dhënë efektin e parë. Gjermania po udhëheq procesin e afrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Europës, duke shmangur me çdo kusht krijimin e hapësirave strategjike në këto vende, të cilat, në rast se nuk hapen negociatat, mund të plotësohen nga influenca e aktorëve të tjerë jashtë Europës.

Publikimi i draftit vjen në të njëjtën ditë kur Angela Merkel takohet me presidentin e Francës Emanuel Macron. Kancelaria gjermane, ashtu siç raportoi dy ditë më parë ambasadori i Gjermanisë në Tiranë Peter Zingraf, do të mundohet të bindë vendet skeptike për t`i thënë “Po” Shqipërisë në 18 tetor. Ndërkohë, në draftin e publikuar nga A2 CNN, një vëmendje e rëndësishme i kushtohet krizës politike në Shqipëri.

Këshilli Europian u kërkon palëve të angazhohen për t`i dhënë fund ngërçit politik në vend, duke i bërë thirrje partive të opzitës për bashkëpunim. “Partitë e opozitës duhet të rindërtojnë në mënyrë konstruktive në institucionet demokratike. Të gjithë aktorët politikë duhet të angazhohen në axhendën e reformës në BE dhe të dialogojnë për të kapërcyer polarizimin politik”, shkruhet në draftin e konkluzioneve të Këshillit të Europës. /Realstory.al/

Arrestohet gazetarja e famshme, kërcënoi ambasadorin Sequi

Autorja dhe skenaristja e RAI TV, Valentina Pizzale, 41 vjeç, është vënë në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, të enjten. Ajo akuzohet për përndjekje dhe kërcënime ndaj 63-vjeçarit, Ettore Sequi, ish-ambasador i BE-së në Shqipëri, aktualisht pjesë e kabinetit të Di Maio-s në Itali. Prokurori i Romës kërkoi masën paraprake, të urdhëruar nga gjykatësit, pasi Sequi nënshkroi një shkresë ku akuzonte Pizzalen për kërcënimet ndaj tij.

Në vitin 2017, Sequi dhe gazetarja e RAI, patën një lidhje, e cila nuk zgjati shumë. Pasi ndanë, Sequi iu drejtua gjykatës për të mbajtur larg gruan me të cilin kishte pasur lidhje. Herën e parë ai e kishte denoncuar, sepse ajo vazhdonte ta kontaktonte në çdo kohë, duke u përpjekur ta frikësonte apo kërcënuar se do të bënte publike lidhjen e tyre.

Gazetarja, sipas mediave italiane, nuk dëshironte që lidhja e tyre të merrte fund. Por, duke u përballur me rezistencën e Sequi për ta mbajtur  larg vetes, mesazhet e saj kishin ndryshuar përmbajtje.

Ato ishin bërë më të shpeshta dhe të pandërprera. Kur situata arriti kulmin, Prokuroria nisi të hetojë çështjen. Gjatë muajit shtator, mesazhet kërcënuese ishin përshkallëzuar, çka shtyu Prokuroren Maria Monteleone dhe Daniela Cento të kërkojnë arrest shtëpie. Pizzale, tani është në shtëpinë e saj dhe nuk mund të komunikojë me botën e jashtme, madje as nëpërmjet rrjeteve sociale.

Skip to toolbar