Lulzim Basha shkoi në ambientet e Spitalit të Traumës në Tiranë, ku vizitoi disa nga banorët e Astirit, që u lënduan mëngjesin e të martës gjatë përplasjes me policinë dhe IKMT. Basha u shpreh se janë lënduar efektivë të policisë dhe banorë, të cilët kanë lënë spitalin. Sipas tij, skenari i të martës kishte synim të çonte në gjakosjen e qytetarëve për të fshehur vjedhjen e madhe.
“Një pjesë e banorëve nuk janë shtruar në spital. Janë lënduar edhe efektivët e policisë që kanë lënë spitalin. Ky është një bilanc nga një skenar që kishte për qëllim të çonte në gjakosjen e qytetarëve për të fshehur vjedhjen e madhe. Është e rëndësishme të kuptohet se nuk bëhet fjalë për një projekt zhvillimi. Është një projekt vjedhje i denoncuar nga PD. Është një projekt vjedhje. Rama nuk kursen qytetarët. Është një krim i rëndë kundër qytetarëve. Duke dënuar këtë sjellje kriminale paralajmëroj Edi Rama dhe Erion Veliaj se do të mbajnë përgjegjësi para ligjit”, tha Basha.
Më tej, ai shtoi se kur PD dhe ai të vijnë në pushtet, banorët e Astirit do të kompensohen me vlerën e tregut për pronat e tyre. “Kemi një zotim politik me shkrim, çdo cm katror i pronës së tyre do të kompensohet me vlerën e tregut me ardhjen e PD në pushtet. Të gjithë do të mbajnë përgjegjësi para ligjit. Nuk do të gëzojnë asnjë qindarkë. Opozita ka qenë dhe është në krah të qytetarëve të Astirit. Opozita ka qenë me ta dhe është me ta. Jemi njësh me ta për të mbrojtur interesin publik”, tha Basha.