Atentati ndaj prokurorit, Krimet e Rënda marrin në dorë hetimet

AKTUALITET


Prokuroria e Krimeve të Rënda  mori në dorë dosjen hetimore për atentatin ndaj Prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja. Kryesimi i hetimeve do të bëhet nga prokurori Anton Martini, i cili së bashku me grupin hetimor shkuan në vendin e ngjarjes. Pista kryesore hetimore pritet të jetë ajo për shkak të detyrës së prokurorit Arjan Ndoja.

Ai ishte prokuror i dosjes së skandalit të pronave në Durrës. Gjithashtu, në vendin e ngjarjes së atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja, ku mbeti i plagosur ai së bashku me shoferin e tij dhe një person tjetër, shkuan dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit.

Ardi Veliu, kreu i përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe drejtori i departamentit të Policisë Kriminale Tonin Vocaj, shkuan në vendin e ngjarjes ku po kqyrin nga afër automjetin e prokurorit për të mbledhur provat.

Ndërkohë, Policia është vënë në ndjekje të autorëve të atentatit. Paraprakisht dyshohet se automjeti është qëlluar me tetë plumba, por ky është vetëm informacioni paraprak. Prokurori Arjan Ndoja dhe shtetasi Aleksandër Laho ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që shoferi i tij Andi Maloku është transportuar në spitalin e traumës në Tiranë për mjekim të specializuar.



Skip to toolbar