Atentati ndaj prokurorit, dinamika, pistat e hetimit dhe detajet e sulmit

AKTUALITET


Atentati me kallashnikov ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja zgjati jo më shumë se 60 sekonda në zonën e mbikalimit të Shkozetit. Në fuoristradën e prokurorit ndodhej shoferi i tij Andi Maloku dhe i “forti” i Sukthit, Landi Muharremi, ku të tre mbetën të plagosur gjatë sulmit me armë. Gjendja e Malokut është e rëndë dhe ndodhet në Tiranë për trajtim të specializuar, ndërsa prokurori Ndoja dhe personi me precedent penal i njohur si “i forti” i Sukthit Muharremi ndodhen jashtë rreziku për jetën.

Dy prokurorët, Anton Martini dhe Besim Hajdarmataj nga Krimet e Rënda, po hetojnë atentatin në 4 pista të ndryshme. Ata e kanë përqendruar hetimin në pistën e konflikteve personale të personave si Ndoja, Muharremi apo Maloku; atentat për shkak të detyrës së prokurorit; përplasje të grupeve kriminale; konfliktet për pronat.


Vetë Ndoja ka dëshmuar se nuk është ai objektiv i sulmit, pasi nuk ka asnjë konflikt dhe ka refuzuar kategorikisht që të lidhë atentatin për shkak të detyrës së tij. Ndoja ka thënë se ka qenë duke drekuar në një restorant në Durrës kur në tryezë më pas janë ulur edhe Maloku dhe Muharremi.

Kam qenë duke drekuar në një restorant. Erdhi Maloku e Muharremi e një tjetër dhe janë ulur në restorant. Më pas u nisëm drejt Tiranës. Nëse do të më adresoheshin mua, nuk kishin arsye të më vrisnin në autostradë. Mua mund të më vrisnin në derë të shtëpisë, në prokurori. Nuk ka arsyeje që të më sulmonin në autostradë”, ka dëshmuar Ndoja para kolegëve të tij që po hetojnë çështjen. Ndërsa Landi Muharremi nuk ka dhënë ende dëshminë e tij pasi plumbi e ka prekur në zonën e nofullës.

Autorët e atentatit patën nën vëzhgim shënjestrën e tyre gjatë gjithë paradites së të premtes dhe ndoqën çdo lëvizje të prokurorit derisa hapën zjarr me breshëri plumbash ndaj makinës së tij. Pamjet filmike në zonë tregojnë se në atentat ishin dy makina, ku njëra i preu rrugën makinës së Ndojës dhe tjetra hapi zjarr me breshëri kallashnikovi. Pamjet filmike fiksuan automjetin që ndjek nga pas në një distancë të shkurtër fuoristradën e prokurorit dhe më pas ecën paralelisht me makinën e Ndojës , e parakalon në anën e kundërt dhe hap zjarr. Ishin manovrat e shoferit Andi Maloku, që iu shpëtuan jetën Ndojës dhe Lahos, i cili spostoi makinë drejt një kanali, 20 metra larg vendit të sulmit. Në vendin e ngjarjes u gjetën 20 plumba, 6 prej të cilëve depërtuan makinë, duke plagosur 3 personat brenda.

Autorët, të pajisur me maska dhe armë, u larguan nga rruga e Ishmit, duke shmangur rrugët që monitorohen nga kamera sigurie apo bizneseve rrotull. Një nga makinat e autorëve tip “Benz”, ngjyrë gri me targa AA342 LM u gjet në Ishëm e pa djegur. Kjo ndodhi pasi një banorë i zonës aty iu foli autorëve duke thënë ‘se çfarë po bëjnë’. Kjo bëri që autorët të largohen me shpejtësi dhe të lënë brenda makinës gjurmë të shumta që do të ndihmojnë prokurorët të zbardhin autorët dhe ngjarjen e rëndë. Targa e makinës së autorëve, AA342 LM është e vjedhur në një qytet tjetër të Shqipërisë. Brenda automjetit të autorëve, u gjetën 9 gëzhoja, dy automatikë kallashnikov dhe një pistoletë 9 mm, 2 maska dhe 2 shishe benzinë. Këto prova janë dhe shpresa më e madhe e prokurorisë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Prokuroria thotë se atentati ka qenë i porositur dhe autorët dyshohet se janë vrasës me pagesë, nga veriu i vendit ose nga Kosova. Mbi 20 persona u shoqëruan në lidhje me zbulimin e detajeve mbi atentatin, mes tyre dhe anëtari i bandës së Lul Berishës, Julian Meçe, i cili u përfshi në një atentat në muajin qershor. Meçe u pyet nga grupi hetimor, si person që mund të ketë dijeni për rrethanat e ngjarjes dhe më pas u la i lirë.




Skip to toolbar