Dritëhijet në 15 vjet të një prokurori, që priste vettingun

AKTUALITET


Arjan Ndoja, prokurori që mbeti i plagosur gjatë atentatit të së premtes, nuk është një emër që lindi rishtazi pas deklaratës së kryeministrit Rama për KÇK, i cili për hir të së vërtetës, nuk ia përmendi emrin, por që një ditë më vonë, ia publikoi zëvendëskryeministri Braçe. Historia e prokurorit Ndoja dhe dritëhijet për të nisin shumë më herët, rreth 15 vjet më parë.

Arjan Ndoja ka punuar nga viti 2001 deri në vitin 2004 si prokuror. Në vitin 2004, prokurori Arjan Ndoja u shkarkua nga detyra nga Dhori Sollaku dhe në atë kohë, sipas deklarimit të pasurisë, ka deklaruar vetëm pagën e tij prej 75 mijë lekësh dhe të bashkëshortes së tij prej 20 mijë lekësh dhe asnjë lloj biznesi apo të ardhure tjetër, ndërkohë që në vitin 2008 ai zotëron një pasuri prej 780 mijë eurosh, një pjesë e të cilave e shndërruar në suita banimi në Tiranë dhe në Lezhë, lokale në zonën turistike të Shëngjinit dhe në makina luksoze.


Një shumëfishim i tillë i pasurisë brenda një kohe kaq të shkurtër, është i pabesueshëm edhe sikur prokurori Ndoja të ketë fituar ndonjë lotari. Është më tepër se qesharak fakti që ai deklaron se ka mundur të vendosë këtë pasuri duke punuar si avokat, ndërsa rezulton se një punë të tillë e ka deklaruar pranë organeve tatimore vetëm për një periudhë 3 mujore.

Por le t’i marrim faktet me radhë. Pas shkarkimit në 2004, Ndoja hap një betejë ligjore për t’u rikthyer në detyrë, betejë që e fiton në vitin 2007 dhe në vitin 2008 riemërohet prokuror në Durrës, ku vazhdon detyrën edhe sot. Por me marrjen e detyrës, atij iu desh të deklaronte dhe një herë pasurinë. Pas katër vitesh, ai deklaron një pasuri që arrinte në total 780 mijë euro, ndërkohë që kolegët e tij dhe të gjithë shqiptarët janë të vetëdijshëm se një gjë e tillë është krejtësisht e pamundur. Edhe në vitin 2008, të ardhurat e të gjithë anëtarëve të familjes së prokurorit me një matematikë të thjeshtë nuk do ta justifikonin shumën e konsiderueshme prej 750 mijë eurosh që ai zotëron, edhe nëse do të mblidheshin për një periudhë njëshekullore. Por, përveç kësaj, rezulton se Ndoja ka punuar si avokat në punë të zezë ose i paregjistruar që nga viti 2004 kur u shkarkua nga detyra, deri në vitin 2006 kur është regjistruar si subjekt.

Gjatë gjithë kësaj kohe për të cilin ai pretendon se ka mundur të grumbullojë shumën prej 750 mijë eurosh, ai ka shmangur taksat, duke konsumuar në këtë mënyrë veprën penale të evazionit fiskal. Për këtë në vitin 2008, pati edhe një hetim, i cili nisi pas një ankese të bërë nga një qytetar, i cili quhet Kadri Voga dhe rezulton se është babai i Edmond Vogës. Ky i fundit për disa vite ka punuar si shofer i prokurorit Ndoja, ndërsa i ati pretendonte se para se Ndoja të rikthehej në prokurori, kishte kërkuar që i biri të firmoste me të një kontratë fiktive për një borxh rreth 70 mijë euro. Megjithatë, kjo kontratë fiktive solli një sherr të madh në familje dhe babai me të birin nuk folën për disa vite. Kadri Voga vijoi betejën gjyqësore që ta rrëzonte këtë kontratë fiktive, sipas të cilës nëse nuk kthente borxhin i biri, Ndoja do të përfitonte gjysmën e një lokali, që ndodhet në zonën e Krujës.

Voga e humbi betejën ligjore për kontratën, por me disa lëvizje, prokurori kaloi në pronësi, jo vetëm gjysmën e lokalit, por të gjithin. Këtu nisi një tjetër betejë ligjore, e cila ka vijuar deri në fund të vitit 2018, kur prokurori Ndoja ndjeu aromën e vettingut. Në fund të këtij viti, pas disa vitesh gjyqe, ai vendos që lokalin, për të cilin kishte luftuar me vite të tëra, t’ia dhuronte djalit të Kadri Vogës, i cili llogaritet në një vlerë 150 mijë euro në total.

Megjithatë, sërish duket se llogaritë e tij nuk dalin për të kaluar vettingun, veç denoncimeve të bëra për evazion fiskal, ai pati edhe një konflikt me avokatin Ilia Ilia, për të cilin ka përfunduar në gjyq Edmond Voga, ish shoferi i prokurorit dhe tashmë pronari i lokalit, ndërsa prokurori vazhdon të jetë nën hetim. Mosdeklarimi dhe mosjustifikimi i të ardhurave, që sipas hetimeve të mbyllura në vitin 2008, nuk përbënin vepër penale, me reformën në drejtësi dhe me procesin e vettingut përbëjnë një provë të pakontestueshme për shkarkimin e tij.

Ndërkaq, sikur të mos kishin mjaftuar këto probleme me pasurinë, tashmë atij i është shtuar edhe problemi me pastërtinë e figurës, duke pasur parasysh se me kë shoqërohej pikërisht të premten, kur iu bë atentat, me një person me precedentë penalë.

Dhe pikërisht duke parë këtë të shkuar vetëm me disa fakte që tashmë dihen edhe nga kolegët e Ndojës, lind natyrshëm pyetja, a ishte atentat ndaj një prokurori?




Skip to toolbar