Mbrëmjen e të premtes prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja, iu bë atentat në afërsi të mbikalimit të Shkozetit në Durrës, gjatë kohës që ishte duke udhëtuar me tre persona të tjerë në makinë. Dyshimet e para janë se prokurori Ndoja ndodhej në makinë me dy shtetas, një prej të cilëve me precedentë të mëparshëm kriminal. Praprakisht dyshohet se një prej tyre është shtetasi Aleksandwr Laho apo i njohur si Landi Muharremi nga Shijaku, i njohur si i forti i “Shijakut”, raporton News 24.
Po kush është Landi Muharremi?
Ai është një emër i njohur për Policinë e Shtetit, pasi disa vite më parë u përfshi në ngjarjen e rëndë të rrahjes barbare të biznesmenit Libanez, Fadi Mitri. Muharremi ishte një nga tre personat që dhunuan barbarisht biznesmenin Fadi Mitri, duke e detyruar që të largohet përfundimisht nga Shqipëria, si dhe duke u tërhequr nga një investim i një kompleksi turistik në bregdetin shqiptar.
Ndërkohë, prokurori Arjan Ndoja, që ishte duke udhëtuar me Landi Muharremin, u akuzua publikisht pak kohë më parë nga Kryeministri Edi Rama, se bashkëpunonte me bandat kriminale. Arjan Ndoja ishte prokurori që po hetonte dosjet e pronave në Durrës, teksa kërkoi arrestimin e Liridon Pulës, drejtorit të Kadastrës në Durrës. Gjithësesi pritet të konfirmohet zyrtarisht nëse personi Aleksandër Laho është i njëjti person me Landi Muharremin.