“Juli i Pashakos”, i dyshuar për atentatin ndaj Ndojës. Si i shpëtoi policisë para 1 muaji

AKTUALITET


Policia ka identifikuar një të dyshuar tjetër në lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja. Ai është Julian Sulo i njohur si “Juli i Pashakos”. Gjurmët e tij u gjetën në makinën e braktisur nga autorët në një fshat të Ishmit gjë që ka bërë që policia ta shpallë në kërkim. Prej mbrëmjes së 7 nëntorit, policia është vënë në kërkim të “Julit të Pashakos”, ku u zhvilluan operacione blic ku më shumë se 500 forca të FNSH dhe RENEA rrethuan Niklën, Lushnjen, Peqinin dhe zonën e kënetës në Durrës, ku u kontrollua edhe një banesë që dyshohet se përdorej si bazë nga personat me rekorde kriminale.

Sipas Abcnews Julian Sulo i shpëtoi policisë një muaj më parë, ku ishte duke përgatitur një tjetër atentat të bujshëm në një qytet të vendit. Ai nuk vijoi me planin e tij pasi kuptoi se policia ishte vënë në ndjekje të tij duke u zhdukur në mënyrë të papritur.


Policia ka arrestuar për atentatin ndaj prokurorit Ndoja, vetëm Redjan Rrajën, i cili dyshohet si një nga autorët, pasi gjurmët e tij janë gjetur në makinën e braktisur. Më 1 nëntor te mbikalimi i Shkozetit, u bë një atentat mafioz ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoja, i cili u plagos. Nga atentati mbetën të plagosur edhe personat që udhëtonin me të, Pëllumb Muharremi i njohur si “Rrumi” dhe shoferi i tij Andi Maloku, i cili humbi jetën, 6 ditë pas atentatit si pasojë e plagëve të rënda.

Kush është “Juli i Pashakos”?

Julian Sulo, i cili njihet ndryshe si “Juli i Pashakos” është një emër i njohur për policinë e shtetit. “Juli i Pashakos” nga të gjithë njihet si një nga kundërshtarët e betuar të Aldo Bares, pjesëtarit të bandës së Lushnjes.

Ai është arrestuar dhe më parë si i përfshirë në atentatin ndaj nipit të Aldo Bares, por nuk u gjet asnjë provë dhe më pas ai u la i lirë. Sulo ishte ndër të dyshuarit për atentatin ndaj Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit, miq të nipit të Aldo Bares, por ai para hetuesve deklaroi se nuk kishte asnjë lidhje me këtë krim. Ndërsa më parë ndaj Sulos është bërë dhe një tentativë për ta vrarë duke pësuar dëmtime të shumta, por autorët e këtij krimi nuk u zbardhën kurrë.




Skip to toolbar