Ambasadorja Yuri Kim mesazh në 1-vjetorin e SPAK: E mbështesim fuqimisht!

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim ka dhënë një mesazh mbështetjeje për SPAK në 1-vjetorin e ngritjes së kësaj strukture të re të drejtësisë.

Znj.Kim thotë se SHBA e mbështet SPAK për të arritur rezultate në 2021. Po ashtu ajo thotë se drejtuesi i SPAK, Arben Kraja ka konfirmuar se institucioni është i vendosur për t’i dhënë fund mosndëshkimit.

STATUSI NGA AMBASADORJA YURI KIM

Në 1 vjetorin e SPAK, Kryeprokurori Arben Kraja  iu përgjigj pyetjeve se si do të funksionojë SPAK. Më e rëndësishmja, ai konfirmoi vendosmërinë e SPAK për t’i dhënë fund mosndëshkimit të kriminelëve në Shqipëri. SHBA do të mbështesë fuqimisht SPAK për të arritur rezultate në 2021.

FB mbyll faqen e një kuzhinieri… konspiracionist!

Facebook ka mbyllur faqen e një kuzhinieri australian, Pete Evans, duke e akuzuar këtë të fundit për përdorim të rrjeteve sociale për përhapjen e infirmacioneve të rreme mbi koronavirusin.

Ky kuzhinier, i cili kishte fituar famë relative duke marrë pjesë në një program televiziv gatimi, që nga fillimi i pandemisë është bërë një nga figurat e lëvizjes konspiracioniste australiane.

Faqja e tij ndiqet nga një milion persona.

Por, Facebook njoftoi sot se nuk do të lejojë askënd të përhapë informacione të rreme rreth COVID-19 që ka të ngjarë të dëmtojë të tjerët ose të përhapë gënjeshtra rreth vaksinave kundër COVID-19.

“Politika jonë është e qartë për këtë lloj përmbajtje dhe ne kemi hequr faqen e shefit Pete Evans në facebook për shkak të shkeljeve të përsëritura të këtyre politikave”, theksoi grupi në një deklaratë.

Faqja e Evans në Instagram, një platformë në pronësi të facebook, është aktive dhe ndiqet nga 278 000 persona. Ai përfshin mesazhe që inkurajojnë njerëzit e Sidneit të kundërshtojnë autoritetet shëndetësore dhe të mos testohen.

Edhe Kosova pa datë për vaksinën antiCovid

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti tha se së bashku me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), kanë hartuar një plan të veprimit për vaksinimin kundër koronavirusit të ri, që do të nisë së zbatuari kur të arrijnë vaksinat, por nuk tregoi se kur do të ndodhë një gjë e tillë.

Hoti këto komente i bëri gjatë vizitës në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar (SHSKUK), ku falënderoi stafin shëndetësor për punën e tyre gjatë pandemisë së koronavirusit.

“Tash jemi para një situate të re, ku po presim që vaksina të shpërndahet. Kemi bërë përpjekjet maksimale – ministri (i Shëndetësisë, Armend Zemaj) – në veçanti, me plotë vizita e kontakte, që të jemi në mesin e vendeve të para që e marrim këtë vaksinë dhe me (drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadanin) doktor Naserin kemi përpiluar një plan të veprimit, me grupe të caktuara të qytetarëve, duke filluar nga stafi shëndetësor, të sëmurët kronikë dhe të tjerët, që të jenë në mesin e të parëve që marrin vaksinën”, tha Hoti.

Kosova pret që të marrë vaksina kundër koronavirusit për 20 për qind të popullatës nga programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, program ky që ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave për vendet e varfra.

Pjesën tjetër të vaksinave, Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës, ka thënë se do t’i blejë vetë. Por, të pyetur ditë më parë nga Radio Evropa e Lirë, nëse Ministria e Shëndetësisë është duke negociuar me kompaninë amerikane Pfizer – vaksina e së cilës ka nisur të administrohet në vende të ndryshme të botës – ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se këto informata janë konfideciale.

Në Serbi, të enjten nisi vaksinimi kundër koronavirusit, pasi më 22 dhjetor, arriti kontingjenti i parë me vaksinat e kompanisë Pfizer dhe BioNTech.

Hoti po ashtu ka thënë se që prej paraqitjes së rasteve të para me koronavirus në muajin mars, autoritetet shëndetësore kanë menaxhuar mirë situatën me pandeminë dhe ka shtuar se Kosova është bërë model “në veçanti kur i kemi parasysh resurset e kufizuara, edhe me mjekë e edhe me shtretër”.

Kryeministri në detyrë, Hoti tha se duket se pandemia është drejt fundit, andaj kërkoi nga qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë masat mbrojtëse.

Macron ‘i lirë’, nuk ka më simptoma të koronavirusit

Presidenti francez, Emmanuel Macron nuk ka më simptoma të sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, ka thënë zyra e Pallatit Elysee më 24 dhjetor.

Macron, 43-vjeçar, tani mund të dalë nga karantina, pasi është vetizoluar për shtatë ditë, ka njoftuar kjo zyrë përmes një deklarate.

Macron ka rezultuar pozitiv në koronavirus më 17 dhjetor, duke shtyrë autoritetet që të nisin përpjekjet për të gjurmuar kontaktet e tij, pas një morie vizitash që ka realizuar me shefat e Bashkimit Evropian.

Macron është përballur me kokëdhembje, koll të thatë dhe lodhje për disa ditë.

Franca është një prej vendeve të prekura më së keqi në Evropë nga pandemia e koronavirusit, me më shumë se 2.5 milionë raste të konfirmuara dhe rreth 62,000 viktima.

Liderë tjerë që janë infektuar me koronavirus janë edhe presidenti amerikan, Donald Trump dhe kryeministri britanik, Boris Johnson, të cilët janë shtrirë në hospital mirëpo janë shëruar për të vazhduar detyrat e tyre.

Kushtetuesja, Soreca: Punë të mbarë anëtarëve

Ambasadori i BE, Luigi Soreca ka reaguar fill pas betimit të anëtarit të 6-të të Gjykatës Kushtetuese Përparim Kalo.

Soreca i uron punë të mbarë të gjithë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese tani që ajo është funksionale.

Ai shton se kjo është një arritje e konsiderueshme për qytetarët dhe reformën në drejtësi në Shqipëri.

STATUSI NGA LUIGI SORECA

Sot z.Përparim  është betuar nga Presidenti Ilir Meta si anëtari i 6-të i Gjykatës Kushtetuese. Ne e përgëzojmë atë dhe i dëshirojmë punë të mbarë atij dhe të gjithë anëtarëve pasi Gjykata tani është funksionale, një arritje e konsiderueshme për??, qytetarët e saj dhe # reformën e drejtësisë.

Policia në shërbim të përforcuar për festa

Drejtori i Departamentit për Sigurinë në Policinë e Shtetit Gjovalin Loka, përmes një deklarate për mediat, ka bërë me dije masat e marra nga Policia e Shtetit për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë festave të fundvitit, si dhe për zbatimin e masave shtesë anticovid.

Ai tha se këte vit nuk do lejohen festimet në shesh ndryshe nga vitet e tjera, poo ashtu nuk do lejohet hapja e bareve dhe restoranteve pas orës 20:30 si dhe lëvizja e qytetarëve pas të njejtit orar.

NJOFTIMI I PLOTE
Në kuadër të festave të fundvitit, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt për qytetarët, si dhe në zbatim të Urdhrave të Ministrisë së Shëndetësisë për vendosjen e masave të reja kufizuese me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID 19, strukturat e Policisë së Shtetit kanë marrë një sërë masash shtesë.

Nisur nga situata e krijuar për shkak të COVID-19, duke filluar nga mbrëmja e ditës së sotme deri më datë 04.01.2021, orari i lëvizjes së këmbësorëve, automjeteve, si dhe mbajtja hapur e lokaleve që ofrojnë shërbime për qytetarët do të ndalohet nga ora 20:30 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit.

Strukturat e Policisë së Shtetit kanë marrë masa që pas orës 20:30 të mbrëmjes së sotme deri në orën 06:00 të mëngjesit të çdo dite deri më datë 4 janar, të mos lejojnë asnjë qytetar apo automjet që të lëvizë, si dhe asnjë lokal të mos jetë i hapur. Përjashtohen nga ky kufizim vetëm personeli shëndetësor, ai policor, ushtarak, gazetarët dhe ata që janë në punë turni i tretë në linjat e prodhimit të konsumit të përditshëm.

Policia e Shtetit e ka vlerësuar si të domosdoshme marrjen e disa masave shtesë, si dhe kalimin e të gjithë strukturave të Policisë në gatishmëri “Shërbim të përforcuar”.

Për këtë qëllim, Policia e Shtetit ka hartuar planet e masave në nivel qendror dhe atë vendor, në të cilat janë përcaktuar objektivat dhe detyrimet për strukturat e saj, nëpërmjet të cilave synohet:

 Rritja e sigurisë së jetës dhe pronës së qytetarëve duke rritur prezencën policore në të gjithë territorin, për faktin se në raste festash kemi rritje të numrit të qytetarëve të cilët kthehen pranë familjeve të tyre për të festuar festat e fundvitit;

 Sigurimi në kohë i informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, evidentimi dhe mbajtja nën kontroll e personave me precedent kriminal dhe penal, sidomos e atyre personave që kthehen për të festuar festat, duke identifikuar dhe mbajtur në vëzhgim automjetet që përdorin apo ambienteve që frekuentojnë ata, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale;

 Rritja e efikasitetit të shërbimeve të Policisë në njohjen e situatës operative kriminale, nëpërmjet bashkërendimit dhe bashkëveprimit efektiv të strukturave, me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit brenda dhe jashtë vendit;

Monitorimi i qarkullimit të automjeteve, duke shtuar prezencën policore në të gjitha akset rrugore nacionale, qytetase dhe ndërqytetëse, në përdorimin e mjeteve logjistike si radarë e dragera, për parandalimin e drejtimit të mjetit në gjendje të dehur apo me shpejtësi mbi normat e lejuara, në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore;

 Krijimi i lehtësirave ligjore në pikat e kalimit të kontrollit kufitar në rast se do ketë fluks në hyrje duke shtuar burimet njerëzore dhe infrastrukturën, si dhe aplikimin e kontrolleve të lehtësuara kufitare.

 Shtimin e kontrollit të automjeteve në bazë të analizave të riskut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, kryesisht të lëndëve narkotike, në shtimin e patrullave në kufirin e gjelbër, si dhe në bashkëpunimin dhe bashkërendimin e veprimeve me homologët kufitarë për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare;

Shtimi i kontrolleve ndaj subjekteve që tregtojnë fishekzjarrë, duke bashkëpunuar me strukturat e tjera ligjzbatuese.

Në këtë kuadër po intensifikohen kontrollet për verifikimin e kushteve të prodhimit, magazinimit, tregtimit dhe përdorimit nga subjektet e licencuara të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrët.

Policia e Shtetit e vlerëson si mjaft të çmuar bashkëpunimin me komunitetin dhe në këtë kontekst do të analizojë dhe rivlerësojë informacionet për identifikimin e autorëve të ngjarjeve kriminale kundër jetës dhe pronës, konfliktet për motive të ndryshme, për personat në kërkim, si dhe do të organizojnë operacione për kapjen e tyre, duke angazhuar edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Repartin Special “RENEA” dhe Njësinë Speciale “FAST”.

Policia e Shtetit, nëpërmjet këtyre masave synon që festa e Krishtlindjes dhe e Vitit të Ri të mos veniten nga episode të mundshme paligjshmërie, pavarësisht se ndryshe nga çdo vit nuk do të kemi festime masive dhe në rrugë, as për natën e sotme dhe as për natën e ndërrimit të viteve, për shkak të situatës së pandemisë COVID-19, pasi masat e reja kufizuese ndalojnë qarkullimin e qytetarëve dhe të automjeteve apo mbajtjen hapur të lokaleve pas orës 20:30 të mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit.

Në këtë kuadër, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve që të mos grumbullohen për festime në sheshe apo në ambiente të tjera dhe të shmangin përdorimin e fishekzjarrëve.

Të gjithë qytetarët duhet të festojnë në shtëpi pranë familjeve të tyre dhe të ndihmojnë Policinë, duke respektuar masat kufizues anticovid, si dhe duke denoncuar çdo paligjshmëri në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital.

Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të krijuar një ambient sa më të sigurt dhe uron të gjithë qytetarët: Gëzuar festat, shëndet, mbarësi dhe sa më shumë besim e bashkëpunim të ndërsjellët për të mirën e përbashkët gjatë vitit 2021.

Ju faleminderit!

Veliaj i dhuron “Kullën e Sahatit” aktores italiane

Aktorja ikonë e kinemasë italiane, Ornella Muti, ka vizituar këto ditë Tiranën, për të cilën u shpreh se vitet e fundit, ashtu si edhe Shqipëria, ka pësuar një ndryshim të madh.

Ajo zhvilloi edhe një takim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i dhuroi asaj simbolin e kryeqytetit, “Kullën e Sahatit”. Aktorja italiane nuk i kurseu fjalët e mira për shqiptarët, të cilët e njohin përmes filmave ikonë të saj me të madhin Adriano Çelentano.

“Kam disa miq shqiptarë, të cilët më kishin thënë se kryebashkiaku juaj është shumë i veçantë. Tani mendoj se je vërtet i tillë, prandaj jam shumë e kënaqur që takoj një kryebashkiak si ju, plot ide të mrekullueshme. Herën e parë që kam ardhur në Tiranë kam qëndruar shumë pak, por tani shoh se qyteti ka pësuar një ndryshim rrënjësor. Po ashtu, edhe Shqipëria ka bërë një përparim të dukshëm. Kjo më duket diçka e mrekullueshme. Ju e meritoni, pas gjithë atyre viteve të vështira”, tha aktorja Muti.

Kryebashkiaku Veliaj i shprehu mirënjohjen asaj, për kontributin në kinematografi dhe për emocionet që i ka dhuruar të gjithë shqiptarëve, sidomos para viteve ‘90.

“Kjo është Ora e Tiranës, të cilën po ju’a dhuroj. Është kilometri zero i Shqipërisë. Të gjitha distancat maten nga Ora e Tiranës. Dhurata më e çmuar që mund të të bëjë dikush është koha – koha që kemi jetuar, koha kur krijojmë miqësi, koha kur rritemi. Ju’a dhuroj edhe në kujtim të një kohe kur unë isha ende fëmijë, kur ne shqiptarët bënim marifetet me antenat të krijuara vetë, vetëm për të parë filmat tuaj. Të falenderoj për të gjitha kujtimet e bukura”, tha Veliaj.

Gjatë vizitës së saj, aktorja e njohur vizitoi disa nga pikat më tërheqëse të kryeqytetit dhe u njoh më nga afër me ndryshimet në Tiranë.

Ekonomia rënie me 3.47% në tremujorin e tretë të 2020

Ekonomia shqiptare ka qëndruar në territor negativ edhe në tremujorin e tretë të këtij, ndonëse me ritme më të zbutura se në tremujorin e mëparshëm, kur i gjithë vendi ishte në izolim.

Të dhënat e publikuara nga INSTAT, tregojnë se Produkti  i  Brendshëm  Bruto  (P.B.B),  i  ndikuar  nga  situata  e  krijuar  nga COVID-19, në tremujorin e tretë të vitit 2020 vlerësohet me rënie prej 3,47%, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2019. Në tremujorin e dytë rënia ishte 10.2% dhe në të parin -2.52%.

Për 9 mujorin, sipas të dhënave paraprake, ekonomia ka rënë mesatarisht me rreth 5.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Konsumi i dobët ka ndikuar në rënien e ekonomisë edhe në tremujorin e tretë, ndërsa dy sektorët që nuk po ndikohen fare nga kriza janë ndërtimi që ka ndikuar në 0.73 për qind të rritjes dhe pasuritë e paluajtshme (+0.53). Kjo e fundit shënoi rritje dhe në tremujorin e dytë të viti, ndonëse vendi ishte në mbyllje totale. Të dhënat janë në një linjë me treguesit e hershëm të INSTAT për tregtinë me pakicë dhe volumet e aktivitetit të bizneseve, që tregonin se vetëm ndërtimi ishte pozitiv në tremujorin e tretë.

Edhe bujqësia, që ishte me ecuri pozitive në tremujorin e dytë, ishte në stanjacion në të tretin. Në rritje ishte shëndetësia, duke reflektuar shpenzimet e shtuara për kujdes shëndetësor pas pandemisë.

Sipas INSTAT, në rënien e tremujorit të tretë, Negativisht  kontribuuan aktivitetet: Tregti,  Transport, Akomodim  dhe  Shërbim  ushqimor me -2,45 pikë përqindje, Aktivitete  profesionale  dhe  Shërbime  administrative me -1,20 pikë  përqindje, Arte,  argëtim  dhe çlodhje;  aktivitete  të  tjera  shërbimi me -0,21 pikë  përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me -0,07  pikë përqindje, Aktivitete  Financiare  dhe  të  Sigurimit me -0,03 pikë  përqindje.

Kontribut  pozitiv kanë  dhënë degët: Ndërtimi me +0,73 pikë përqindje, Aktivitete të  pasurive të paluajtshme me +0,53 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +0,27 pikë përqindje, Industri, Energji dhe Uji me +0,10 pikë përqindje dhe Bujqësi, Pyje dhe Peshkimme+0,01 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet kontribuan negativisht me -1,14pikë përqindje.

Ndërtimi (+8.7) dhe pasuritë e paluajtshme (+9.54%) janë dy sektorët që kanë shënuar rritjen më të lartë në krahasim me tremujorin e tretë të një viti më parë, duke qenë në tendencë të kundërt me ecurinë e gjithë ekonomisë dhe konsumit të dobët. Sipas ekspertëve të pasurive të paluajtshme, rreth 60-70% e blerjeve bëhen nga paratë informale, sidomos për apartamentet e shtrenjta, ndërsa ka dhe shumë firma pa histori financiare që po ndërtojnë.

Sipas INSTAT, Degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e tretë të vitit 2020, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2019,shfaqen si më poshtë: Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rritjeme0,03%.AktivitetiiIndustrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rritje me 0,78%. Aktiviteti i Ndërtimit pati një rritje me8,72%. Grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rënie prej 13,01%. Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rënie prej 2,38%. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rënie prej 0,73%. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 9,54%. Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe  Shërbime administrative u shfaq me një rënie prej 16,63%. Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me rritje prej 2,38%.Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati një rënie me 9,93%.TaksatNetombi produktet u ulën me 8,87%.

Sa  i  përket  ndryshimeve  në  krahasim  me  tremujorin  paraardhës,  treguesi  i  Produktit  të  Brendshëm Bruto vlerësohet me një rritje prej 9,77%, ku rritjen më të madhe e shënuan aktivitetet financiare dhe të sigurimit me +31.64%, të ndjekura nga industria nxjerrëse (+13.2%).

Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u ul me 3,86%, me bazë vjetore dhe u rrit me 6% në krahasim me tremujorin e dytë.

Ngritja e Kushtetueses, u tërhoq Rama apo Meta?

Nga qyteti i Elbasanit, Presidenti Ilir Meta foli për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, e cila u bë funksionale pas tri vitesh, duke thënë se ky ka qenë dhe duhet të jetë institucioni më i rëndësishëm në vend.

Meta tha se Presidenti ka bërë çdo përpjekje që Shqipëria të mos mbetej në asnjë sekondë pa Gjykatë Kushtetuese funksionale, por sipas tij, procesi u bllokua disa herë nga mazhoranca, që kishte qëllim të kapte këtë institucion.

“Gjykata Kushtetuese ka qenë dhe duhet të jetë institucioni më i rëndësishëm në vend, siç është në çdo vend, ku sundon shteti i së drejtës. Presidenti ka bërë çdo përpjekje që Shqipëria të mos mbetej asnjë sekondë pa Gjykatë Kushtetuese funksionale, por ka ende punë për të pasur një gjykatë plotësisht funksionale dhe për Presidentin funksioni i Gjykatës Kushtetuese është një çështje thelbësore dhe unë uroj e shpresoj që të gjithë, pavarësisht anëtarët e kësaj gjykate ata që janë bërë pjesë e saj dhe ata që do të bëhen pjesë, të kenë përgjegjshmëri maksimale për të kuptuar rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij institucioni për shtetin e së drejtës, të drejtat e shtetit tonë, për të mbrojtur demokracinë. Unë do të mbështes gjithmonë pavarësinë e këtij institucioni dhe gjithë institucioneve të tjera. Gjykata Kushtetuese mund dhe duhet të ruajë një rol edhe më të madh në të ardhmen”, tha Meta.

I pyetur nga gazetarët se kush tërhoq, mazhoranca apo Presidenti, për bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese, Meta u përgjigj prerë se “Nuk ekziston asnjë tërheqje nga ana e presidentit sa i takon kushtetutshmërisë së procesit. Ky proces ka pasur dhe ka mangësitë e tij nga pikëpamja e ligjit dhe shumë aspekte të tjera. Çdo spekulim për të krahasuar situatën aktuale me atë kur ndodhi kriza apo përplasja mes Presidentit me Parlamentin dhe ish-kreun e KED është e pavend, pasi në atë rast kishim një përpjekje për të rrëmbyer në mënyrë kriminale dhe mafioze një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, që i takonte Presidentit, për ta marrë mazhoranca. Për këtë, Komisioni i Venecias ka folur qartë se kush e shkaktoi këtë incident. Presidenti ka vepruar gjithmonë në mënyrën më të shpejtë të mundshme, kur KED i ka propozuar për vakancat. Është bllokuar tre herë KED nga mazhoranca për qëllime dhe planet e saj. Dua të falënderoj Bundestagun, që prej kohësh vendosi si kusht për integrimin bërjen e Gjykatës Kushtetuese funksionale. Ky është një proces që vazhdon, ne të gjithë duhet të ndjekim e monitorojmë funksionimin e kësaj gjykate dhe vendimmarrjen e saj. Në Kosovë pati një zhvillim shumë interesant. Edhe ne duhet të synojmë të kemi një gjykatë të pavarur nga politika”.

Rama ‘qetëson’ për vaksinën antiCovid: Dimë ta bëjmë lypësin më mirë se kushdo!

Kryeministri i vendit Edi Rama iu përgjigj edhe interesimit të gazetarëve në lidhje me marrjen e vaksinëns antiCovid.

Ai tha se vendi është në diskutim me të treja kompanitë që e kanë prodhuar, po ashtu në diskutim edhe me disa shtete që Shqipëria të mos mbetet pas me marrjen e saJ. Rama shtoi ndër të tjera se ku është puna për të bërë lypësin për Shqipërinë di ta bëjë më mirë se kushdo tjetër.

“Ne jemi në kontakt me Pfizer, Moderna dhe në komunikim me disa vende mike, por siç e dini BE ka marrë një vendim goxha për të ardhur keq. E ka marrë vendimin që për vendet e Ballkanit Perëndimor do jepen tepricat. Këtu s’ka teprica këtu ka më pak se sa ishte prodhuar. Ajo që di është se s’do mbetemi pas të tjerëve, kam folur për dy muajt e parë të vitit të ardhshëm nuk dua të jap më shumë të dhëna…Ju them të gjithëve të jeni të qetë se kur është puna për të bërë lypësin për Shqipërinë besoj se dimë ta bëjmë më mirë se kushdo tjetër…”,-tha Rama.

Skip to toolbar