Rama nxjerr shifrat për bujqësinë: Mbështetje financiare trefish

Kryeministri Edi Rama ka publikuar shifrat e mbështetjes financiare nga qeveria për bujqësinë në Shqipërinë.

Rama krahason dy periudha, financimin nga bujqësinë në qeverinë e PD dhe atë të PS. Ai thoët se ky është një krahasim i thjeshtë që tregon zgjerimi i sipërfaqes së tokës së punuar, rritja e eksporteve, ulja e importeve bujqësore janë prej financimit gati 3 fish apo 175% më shumë nga qeveria aktuale për punën në fshat.

STATUSI NGA EDI RAMA

MIRËMËNGJES 😊

dhe me këtë krahasim të thjeshtë, që tregon se ndryshimi në bujqësi, zgjerimi i sipërfaqes së tokës së punuar, rritja e eksporteve, ulja e importeve bujqësore, janë rezultate të mbështetjes financiare gati trefish nga qeveria të punës në fshat, ju uroj një ditë të mbarë🙏

Idrizi: Greqia më në fund ka pranuar se ka ligj lufte. Krisafi: Dhuna ka dalë jashtë loje

Në studion e emisionit “Real Story” në “News 24” u debatua për ligjin e luftës, që Greqia mban ende ndaj Shqipërisë.

Lideri i PDIU-së Shpëtim Idrizi theksoi se Greqia më në fund ka pranuar se ka ligj luftes mes Athinës e Tiranës.

Ndërsa, profesori i të Drejtës Ndërkombëtare Ksenofon Krisafi tha se lufta e dhuna në kohën që jetojmë kanë dalë jashtë loje dhe për mirëkuptim, shërben dialogu.

Shpëtim Idrizi: Më në fund Greqia ka pranuar se ka ligj lufte dhe me heqjen e këtij ligji, do trajtohet edhe problemi i pronave.

Ksenofon Krisafi: Në Greqi ka parti të ndryshme, që janë pro dhe kundër për ligjin e luftës. Ka shumë gjëra këtu që kanë të bëjnë me ne. Vizita e sotme e ministrit ishte për t’u përshëndetur, sepse lufta e dhuna ka dalë jashtë ligjit me Kartën e Kombeve të Bashkuara. Jam shumë dakord me zotin Idrizin, përpos shishes, sepse gjërat zgjidhen me dialog.

Shpëtim Idrizi: Është një gjest që tani nuk do e bëj, por në atë kontekst ishte moment reagim. Ministri i Jashtëm grek shikonte dhunën ndaj shqiptarëve nga policia deri në atë kohë e unë doja që ai ta kuptojë se shqiptarët e Çamërisë janë gjallë. Shqiptarët e Çamërisë duan të kthehen në trojet e tyre. Në dialog nuk po arrihet asgjë.

Ksenofon Krisafi: Ekzistenca e ligjit në luftës del përherë në skenë kur kemi të bëjmë me Greqinë. Është absurde që Greqinë e kemi edhe aleat strategjik, edhe kemi ligj lufte.

Shpëtim Nazarko: Duhet ta vëmë veten në vendin e Greqisë. Shteti grek ka probleme edhe me Maqedoninë e Veriut. Greqia ka probleme edhe të brendshme me tokat. Shteti grek është shteti i vetëm pa hipoteka në Ballkan. Ky është problem i komplikuar. Greqia tani është mes dy zjarreve, në njërën anë kanë Turqinë dhe në anën tjetër Shqipërinë, duke luajtur në dy zjarre.

Profesori i të drejtës ndërkombëtare tregon pse s’e heq Greqia ligjin e luftës

Ksenofon Krisafi, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare, duke iu referuar fakteve historike, ka treguar se si Greqia vendosi ligjin e luftës për Shqipërinë, i cili është ende në fuqi dhe sot e kësaj dite.

I ftuar në emisionin ‘Real Story’ në ‘News24’ profesori pohoi se ky ligj u vendos kur Italia sulmoi Greqinë nga territori shqiptar. Sipas Krisafit, tashmë ky ligj nuk është hequr pasi sipas tij Greqia ka pretendime territoriale në territorin shqiptar.

“Në takimin që bëri zoti Kotzias me Bushatin janë diskutuar këto çështje, siç ishte çështja e detit. Kam privilegjin që të kem lexuar diçka më shumë për çështjen e ligjit të luftës. Ligji i luftës u shpall kur Italia sulmoi Greqinë nga territori shqiptar. U mor si motiv se Shqipëria i furnizoi me batalione. Shumica e shqiptarëve dezertuan. Këtë e thonë dhe italianët. Shqiptarët ndihmuan dhe kauzën greke. Një nga drejtuesit ishte Spiro Moisiu. Me urdhër të palës italiane doli në dekret në vendin tonë; Shqipëria do të jetë në gjendje lufte me të gjitha ato vende që është dhe Italia. Dhe më pas grekët shpallën ligjin e luftës dhe më pas nxorën dekrete për bllokimi e pasurisë së të gjithë të huajve në Greqi, mes tyre dhe shqiptarëve. Status i pasurisë çame është më vete, pasi ata u akuzuan për bashkëpunim me ushtrinë gjermane. Përgjegjësia është individuale. Kjo është konsideruar si ndër aktet e pastrimit me gjenocid. Në këto rrethana u shpall dhe ligji i luftës së grekëve ndaj shqiptarëve. Italia pretendonte se këtu në Shqipëri u vranë italianë dhe duhet të varroseshin aty. Greqia insiston për të ngritur varreza atje ku janë varret e ushtarëve, pasi pretendon territore. Pasi mbaron lufta nxirren eshtrat e ushtarakëve të vrarë me ceremoni të caktuar dhe kthehen për t’u prehur në tokën e vet. Ndërkohë këtu ngrihen memorialë. Në 1987 kam qen ministër i Jashtëm, doli në një deklaratë për shtyp ministri grek dhe tha; Ligji i luftës nuk ekziston. Më pas doli dhe e tha dhe Papandreu. Pasi ata e thanë në deklarata, ne se kërkuam me letër.”, tha profesori.

Shqipëri-Greqi dhe çështja e detit, Shpëtim Nazarko: Rama realizoi dy gjëra

Shpëtim Nazarko i cilëson tipike gjestet e kryeministrit Edi Rama gjatë takimit të sotëm me ministrin e Jashtëm grek, ku pati një marrëveshje për të çuar në Hagë çështjen e detit.

Nazarko tha në “Real Story” në News24 se Rama realizoi dy gjëra sot, njëra deklarata e ministrit grek se do ta heqin ligjin e luftës dhe marrëveshja me një arbitër ndërkombëtar por shtoi se Haga mund të çojë në histori të tjera.

“Ato gjeste të Ramës janë tipike. Është sjellja e tij nuk e korrigjojmë dot. Për mendimin tim Rama gjithsesi është krenar për ditën e sotme pasi realizoi dy gjëra të tipit themelor. Doli nga goja e ministrit grek që ne do ta heqim ligjin e luftës dhe së dyti marrëveshja e detit, shuhen…por jam kurioz në këtë pikë, kjo marrëveshja e çuar në Hagë na çon para historive të tjera.
Jarebi largqoftë mund të nxjerrë ndonjë për mbi Kushtetuesen, ne do shohim vetëm estradën.
Pavarësisht suksesit, këtu duhet të bëjmë një kritikë të llahtarshme për shtetin në përgjithësi që ngatërron shtetin me pushtetin. Ne duhet të kishim Institut të Studimeve Strategjike”, deklaroi Nazarko.

Çështja e detit në Hagë/ Shpëtim Idrizi: Nuk është lajm i mirë për Shqipërinë

Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi, i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24”, duke folur për faktin se kryeministri Edi Rama deklaroi se çështjen e detit do ta çojë në Hagë, u shpreh se ky nuk është një lajm i mirë për Shqipërinë.

Idrizi theksoi se Edi Rama e përzuri Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet nga qeveria, bashkë me çështjen çame e sot ndryshon deklaratat e tij.

“U bë mirë që Marrëveshja e detit u dërgua në Kushtetutese. Fillimisht u tha se do bëhet marrëveshje e re. Duhet të negociojmë vetëm për zonën ekonomike dhe shelfin kontinental. Dërgimi në Hagë nuk është mirë për Shqipërinë. Rama në fillim tha Greqia nuk e ka me ne, pastaj ndryshoi deklaratat.

Që të shkohet në Hagë, duhet që të dyja palët duhet të mos merren vesh dhe unë s’e kuptoj se përse nuk janë kuptuar, nuk na e thonë. Duhet të diskutojnë për shelfin kontinental dhe jo për detin. Unë nuk kam ikur nga Rama, por Edi Rama na përzuri ne bashkë me çështjen çame”, tha Idrizi.

A ka pasur çamë që kanë bashkëpunuar me gjermanët? Flet Idrizi

Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi deklaroi se vetëm gjatë regjimit komunist iu kërkua Greqisë 17 herë që të hiqej ligji i luftës, ndërsa shtoi se qeveria shqiptare duhet ta mbajë presionin të fortë ndaj shtetit fqinj.

I ftuar në emisionin ‘Real Story’ në ‘News24’ Idrizi u pyet nga moderatori Sokol Balla nëse ka pasur raste kur çamët kanë bashkëpunuar me gjermanët, akuzë kjo e lëshuar nga Greqia.

Sipas Idizit, ka pasur një rast në Parathimi, ndërsa nuk përjashtoi as raste individuale.

“17 herë kanë kërkuar gjatë regjimit që të hiqej ligji i luftës gjatë regjimit. Dhe Greqia nuk e bëri. Unë do dëshiroja shumë që qeveria shqiptare ta mbajë presionin fortë që ta heqim ligjin e luftës, jo vetëm për pasojat juridike e pronësore, por dhe nga pikëpamja normale. Kemi një vend përpara që nuk heq ligjin e luftës, edhe pse e ka hequr me Italinë. Dhe nuk njeh Kosovën dhe ne i themi vend strategjik. Ata 1 milion shqiptar i jemi mirënjohës Greqisë që në një moment të vështirë të historisë tonë na kanë ndihmuar, sikur ne. Por nuk e mendoj se ata janë peng, pasi ata punojnë atje. Sa i takon çështjes së shqiptarëve të Çamërisë, është çështje e qartë. Ka të bëjë vetëm me pozicionin e shtetit shqiptar. Se kuptoj dot kur ne jemi vend anëtarë i NATO-s, ne se vazhdojmë këtë axhendë. Unë do doja që të dija të gjitha problematikat që ka kaluar Greqia, por kjo se ka penguar që të vijojë me diskutimet. Çamëria nga vitit 1878, deri në 1913, ka luftuar që mos të okupoheshin nga Greqia. Në fund të luftës Ballkanike dhe të luftës së Parë Botërore, Çamëria u pushtua. Deri në 1944, në zonën e Çamërisë, Greqia ka bërë spastrim të popullatës. Flitet për në Paramithi (Bashkëpunim me gjermanët). Nuk mund të fshehim dot historinë. Sfidoj këdo që të më nxjerr një fakt tjetër për të kundërtën. Mund të ketë pasur individë që mund të jenë joshur nga politika gjermane. Kondiciano në shkrimet e veta thoshte; nëse shqiptarët do të kishin bashkëpunuar me italianet, fati i tyre do ishte ndryshe. I vetmi vend që përshëndeti pushtimin e Shqipërisë, ka qenë qeveria fashiste e Metaksait. Në Çamëri akuzohen vetëm për një masakër në Paramithi, për 37 persona të asaj zone, por ishin me kombësi greke. Para 3 vitesh keni ambasadorin gjerman në Greqi dhe shkoi atje e kërkoi një falje publike”, tha Idrizi.

“Pashë nëna çame që qanin”, Idrizi sqaron shishen ndaj eskortës së Dendias

Lideri i PDIU Shpëtim Idrizi, i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” ka sqaruar incidentin e ndodhur sot, ku ai hodhi një shishe uji ndaj eskortës të ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias, në shenjë revolte.

Idrizi theksoi se e bëri gjestin edhe se u ndje keq, teksa pa nëna çame që qanin, pasi fëmijët e tyre ishin shoqëruar.

“Nuk do e hidhja shishen në kushte normale. Vija nga një moment shumë i madh tensioni. Nëse do shikoje atë momente, do shihje disa nëna çame që qanin, sepse ua kishin marrë djemtë në komisariat dhe unë ndjeja përgjegjësi.

Ne kishim parashikuar të uleshim në tokë si formë proteste. Policët janë vëllezërit tanë. Policia jonë me të njëjtin agresivitet, të shkojë në jug dhe të sillen kështu me ata grekë që ngrenë flamurin e Vorio Epirit”, tha Idrizi.

Shpëtim Idrizi vlerësoi se Edi Rama dikur kishte qasje ndryshe ndaj çështjes çame, kurse tani e ka injoruar çështjen më të rëndësishme të shqiptarëve të Çamërisë.

“Kam qenë i revoltuar nga gjithë sjellja e policisë shqiptare ndaj anëtarëve të komunitetit të Çamërisë. Sot të gjithë ata shqiptarë që mendojnë çështjen çame si shqiptare, donin të protestonin, sepse ne kemi pyetje të tilla si kur do hiqet ligji i luftës, kur do të nderohen partizanët çamët, kur arvanitasit do marrin statusin e minoritetit apo kur shqiptarët apo arvanitët të mësojnë shqipen.

Varrezat e grekëve u bënë në Shqipëri, duke qenë pushtues.  Ajo që është bërë ndaj çamëve duhet të njihet si gjenocid. I çuan në rajon disa aktivistë tanë dhe Bojken Abazin e VV. Leja na u refuzua në momentin e fundit. Policia ishte agresive. Edi Rama dikur thoshte se bënte shumë për çështjen çame, kurse sot e ka injoruar.”, u shpreh Idrizi.

Shaban Murati: Në Hagë për detin, është kurth

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me siguri nuk e ka lexuar librin tim “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë greke apo shqiptare?”, i vetmi libër që trajton bisedimet diplomatike detare 2008-2018 midis dy vendeve.

Shtëpia botuese “Alsar” ia dërgoi atij posaçërisht rekomande në prag të ngjarjes së madhe politiko-fetare të njoftuar nga autoritetet shqiptare se në ditën e Pashkëve ortodokse në Korçë në 9 prill 2018 katër çiftet ortodokse të qeverisë shqiptare dhe greke do të mbyllnin marrëveshjen e re të detit midis dy qeverive.

Nuk e ka lexuar as librin, por nuk ka shfletuar as dosjen e MPJ për bisedimet e detit, ku do të gjente edhe një memo nja pesë faqe timen të vitit 2015 lidhur me sugjerimin grek për ta dërguar çështjen e detit në Gjykatën Ndërkombëtare.

Nuk i ka lexuar, sepse ndryshe nuk do të dilte në 16 shtator 2020, pas darkës së ngushtë me kryeministrin grek, me pretendimin e madh se “Unë kam një ide shumë të thjeshtë, ne mund ta zgjidhim çështjen më mirë nëpërmjet gjykatave ndërkombëtare”. Nuk do të dilte me apoteozën tipike ballkaniko-bizantine “unë kam idenë”; në librin për çështjen e detit botuar në mars 2018 trajtohet alternativa e gjykatës ndërkombëtare, e propozuar diplomacisë shqiptare nga diplomacia greke si zgjidhje.

Mirë librin dhe dosjen zyrtare të bisedimeve nuk i ka lexuar, sepse koha e penelit e mbyt kohën e librave, por pse shtiret sikur shqiptarët dhe grekët nuk e kanë lexuar dhe as dëgjuar se në 16 shtator përpara kryeministrit shqiptar në tryezën e rrumbullakët të organizuar në Athinë nga revista britanike “The Economist” ish-ministrja e jashtme greke Dora Bakojanis duke folur për marrëveshjen e detit deklaroi “t’i drejtohemi gjykatës ndërkombëtare për këtë çështje”.

Bakojanis, që është firmëtarja e marrëveshjes së zezë të detit të vitit 2009 midis dy vendeve, nuk tha që është “idea ime”, sepse ajo e din që është ide e vjetër diplomatike greke.

Shihni djallëzinë greke: I thotë Shqipërisë për ta çuar në gjykatë ndërkombëtare, por vetë Bakojanis si ministre e jashtme dhe gjithë qeveritë greke që nga 2009 e deri tani nuk e kanë dërguar në gjykatë ndërkombëtare marrëveshjen e detit të anuluar me të drejtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

Nuk e dërgon Athina, sepse nuk ka çështje për t’u dërguar. Greqia nuk ka dërguar në gjykatë ndërkombëtare çështjen e caktimit të zonave ekonomike detare me Italinë, ku bisedimet zgjatën 43 vjet. Nuk ka dërguar çështjen e kufijve detarë dhe të zonave ekonomike ekskluzive me Turqinë, që ka nisur bisedimet që në 1973, pra 47 vjet më parë.

Dhe me dinakërinë diplomatike greke ia hodhën kurthin e gjykatës ndërkombëtare qeverisë shqiptare. Athina po e nxit diplomacinë dhe qeverinë shqiptare të bëjnë autogolin e madhe të gjykatës ndërkombëtare, autogol që tani e shpall me krenari se ta gjuajë personalisht vetë kryeministri i Shqipërisë.

Nuk janë të qarta arsyet dhe rrethanat, që e detyruan kryeministrin shqiptar të dalë në 16 shtator 2020 me një ide të vjetër greke dhe t’ia servirë opinionit shqiptar si ide të tij diplomatike.

Përse nuk duhet Shqipëria t’i drejtohet një gjykate ndërkombëtare për të ashtuquajturën çështje e detit me Greqinë, për të cilën unë argumentoj në librin tim se është një çështje e paqenë:

Së pari, Shqipëria nuk ka konflikt me Greqinë për detin, sepse t’i drejtohesh Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë don të thotë që ekziston një konflikt për kufijtë territorialë detarë. Kufijtë detarë të Shqipërisë janë të përcaktuar dhe të njohur ndërkombëtarisht dhe nuk japin asnjë shkas për rihapjen e çeshtjes në një gjykatë ndërkombëtare.

Vetë kryeministri Edi Rama, në padinë e Partisë Socialiste të firmosur prej tij dhe dërguar Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në datën 6 dhjetor 2009 kundër marrëveshjes për detin të qeverive shqiptare dhe greke të 27 prillit 2009, konfirmon me forcë:

Është thënë vazhdimisht nga anëtarët e delegacionit (shqiptar në bisedimet me Greqinë), por edhe nga politikanë të ndryshëm se nuk ka pasur kufij të përcaktuar midis Shqipërisë dhe Greqisë në zonën detare. Kjo nuk është e vërtetë, përkundrazi është një mashtrim. Kufiri ka ekzistuar. Pra kufiri detar shqiptaro-grek ishte i njohur, i përcaktuar edhe me koordinata, dhe i respektuar nga të dyja palët. Asnjëherë Greqia nuk e ka kundërshtuar këtë vijë të kufirit detar, përkundrazi e ka respektuar”.

Së dyti, Greqia nuk ka shpallur ndonjë konflikt për kufijtë detarë me Shqipërinë. Nëse Athina do të kishte pasur baza juridike për pretendimet e saj ndaj kufijve detarë nuk do të kishte pritur 80 vjet, por do t’u ishte drejtuar me kohë gjykatave ndërkombëtare.

Greqia i ka duart e lidhura nga aktet ndërkombëtare për kufijtë e Shqipërisë me të. Këtë e pranoi edhe ministri i jashtëm grek Kocias në vitin 2018, kur u kujtoi kolegëve të tij të qeverisë se ka një akt ndërkombëtar të delimitimit përfundimtar të kufijve grekë me Shqipërinë të fuqive të mëdha në Paris në vitit 1926.

Së treti, çfarë mendon qeveria e sotme shqiptare se duhet të çojë në gjykatën ndërkombëtare, që ta ndërmarrë këtë hap juridik: Marrëveshjen e anuluar të detit, çështjen e kufijve detarë kufijve, që janë të padiskutueshëm dhe nuk mund të bëhen objekt tratativash, apo çështjen e zonave ekonomike ekskluzive për të cilat nuk ka konflikt?

Nuk dihet pse ka një ngutje nga qeveria shqiptare për ta dërguar çështjen e detit në një gjykatë ndërkombëtare. Është një ngutje që të kujton nxitimin me të cilin qeveritë shqiptare në 2008 dhe në 2018 negociuan marrëveshjen e detit me Greqinë. Çdo hap i mundshëm i duhet lënë palës greke dhe ajo, nëse ka rivendikime për kufijtë detarë, le ta dërgojë në gjykatën ndërkombëtare.

Propozimi për adresimin e çështjes së detit midis Shqipërisë dhe Greqisë në gjykatën ndërkombëtare i është ofruar diplomacisë shqiptare nga pala greke në vjeshtën e vitit 2014 si rrugë e zgjidhjes së një çështje problematike në marrëdhëniet dypalëshe.

Propozimi grek adresonte në mënyrë të gabuar lëndën e paraqitjes së tij kur e përcakton si çështje e kufirit detar me palën greke. Nuk ka çështje të kufirit detar me palën greke. Edhe nëse ka për qeverinë greke, nuk ka për Shqipërinë.

Së pari, kufijtë detarë dhe tokësorë të Shqipërisë me Greqinë janë përcaktuar me kohë me një Traktat Ndërkombëtar me emrin Protokolli i Firences në 1925 dhe vulosur nga fuqitë e mëdha me “Aktin përfundimtar të delimitimit të kufijve të Shqipërisë” të 30 korrikut 1926 në Paris, të pranuar dhe të firmosur edhe nga qeveritë e Greqisë, Jugosllavisë dhe Shqipërisë.

Së dyti, ligjshmëria dhe vlefshmëria e kufirit detar të Shqipërisë me Greqinë sanksionohet edhe me vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila përjashton diskutimin e kufirit detar nga objekti i bisedimeve me Greqinë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese me të drejtë e quan të mbyllur dhe të pavlefshme çdo përpjekje diskutimi për kufirin detar.

Që kufiri detar ka qenë dhe është i përcaktuar e ka pasur të qartë edhe Athina, dhe kryeministri grek, Kostandin Micotaqis, gjatë vizitës së tij në Shqipëri në janar 1991 në bisedimet zyrtare midis dy qeverive deklaroi: “Në marrëdhëniet greko-shqiptare nuk ka asnjë mosmarrëveshje kufitare”.

Çeshtja kardinale është se çfarë mendon se do të ngrejë apo do të kërkojë qeveria shqiptare në një gjykatë ndërkombëtare?

1- Do të kërkoje arbitrazh për një marrëveshje të re të detit, apo

2- Do të kërkojë arbitrazh për kufijtë tanë detarë?

Një nga argumentet e ekspertëve shqiptarë filogrekë në Tiranë, ithtarë të gjykatës ndërkombëtare, është se duke dërguar çështjen e detit në gjykatë ndërkombëtare Shqipëria ka për të humbur më pak se çfarë ka humbur me marrëveshjen e anuluar të 2009.

Është një alibi e mjerë për të hapur rrugën e rinegociimit të së njëjtës marrëveshje dëmtuese të vitit 2009. Adresimi në një gjykatë ndërkombëtare bëhet kur janë zhvilluar bisedime midis dy palëve për një territor të diskutueshëm tokësor apo detar, për vijëzimin e të cilit nuk ka dokumente ndërkombëtare, siç ka për kufijtë tanë detarë me Greqinë.

Shqipëria nuk ka asnjë arsye dhe bazë juridike, diplomatike, politike dhe historike t’i drejtohet gjykatës ndërkombëtare. Për Shqipërinë kufijtë kanë ekzistuar dhe ekzistojnë dhe do të përbënte një akt të rëndë të shkeljes së sovranitetit dhe të integritetit territorial çdo kërkesë e qeverisë shqiptare për arbitrazh ndërkombëtar të kufijve tanë.

Dërgimi nga Shqipëria në gjykatën ndërkombëtare të marrëveshjes së vdekur të detit do të krijonte precedentin e rrezikshëm të përpjekjeve të Greqisë për rivalorizimin e marrëveshjes së rrezikshme antikombëtare, të zhveftësuar në historinë e marrëdhënieve dypalëshe, si i ashtuquajturi “Protokoll i Korfuzit” i vitit 1914, i cili nuk ratifikua kurrë as nga parlamenti i Shqipërisë dhe as nga qeveria e kryeministrit Turhan Pasha, por nuk u ratifkua kurrë as nga parlamenti i Greqisë.

Një nga fatkeqësitë më të mëdha kombëtare është sëmundja e diplomacisë shqiptare të tranzicionit që gjithmonë ka paraqitur si të sajat tezat dhe qëndrimet e interesave greke. Në këtë serial hyn edhe kurthi grek i dërgimit të çështjes së detit në një gjykatë ndërkombëtare, kurth që po na vjen me çitjane shqiptare.

Rastet në rritje me Covid-19, Lombardia rikthen orën policore

Rajoni në veri të Italisë, Lombardia do të vendosë orë policore, në përpjekje për të frenuar përhapjen e mëtejme të koronavirusit të ri.

Ora policore do të aplikohet nga ora 23:00 deri në orën 05:00 dhe pritet të hyjnë në fuqi natën e 22 tetorit.

Kjo masë, sipas autoriteteve pritet të zgjasë deri më 13 nëntor, raporton AFP.

Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza ka dhënë pëlqimin e tij për ashpërsimin e masave, që ka propozuar qeveria e këtij rajoni.

“Është një nismë e duhur dhe simbolikisht e rëndësishme, që nuk do të ketë pasoja serioze, veçanërisht në ekonomi”, tha presidenti rajonal, Attilio Fontana për gazetën La Repubblica.

Sipas autoriteteve, gjatë orës policore në Lombardi, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre nëse kanë emergjenca shëndetësore dhe për punë esenciale.

Italia po shënon rritje të rasteve të reja me koronavirus ditëve të fundit.

Në fillim të pandemisë, Lombardia ka qenë rajoni më i goditur nga ky virus. Vetëm gjatë ditës së hënë, në këtë rajon, u regjistruan mbi 1,600 raste të reja.

Të shtunën, më 17 tetor, Lombardia po ashtu urdhëroi mbylljen e bareve në mesnatë dhe ndaloi shërbimet e gastronomisë në ambiente të jashtme.

Qeveria qendrore e Italisë së fundmi ka vendosur një sërë masash kufizuese për të kufizuar përhapjen e koronavirusit. Kryeministri italian, Giuseppe Conte tha se masat e reja janë marrë, pasi ai nuk dëshiron që të shmangë një “izolim të plotë”./REL

Meta pret ministrin grek: Marrëveshja për detin në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara

Ashtu siç ishte përcaktuar në axhendë, presidenti Ilir Meta priti sot në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Helene, Nikos Dendias. Meta u shpreh se marrëdhëniet Shqipëri-Greqi janë ndër prioritetet kryesore të politikës sonë të jashtme dhe theksoi se këto marrëdhënie duhet të vazhdojnë të zhvillohen në frymën e fqinjësisë së mirë, të lidhura nga interesat strategjike, partneriteti i ngushtë në NATO, perspektiva e përbashkët europiane dhe interesat ekonomike të të dy vendeve.

Presidenti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë ndaj perspektivës europiane të Shqipërisë, si një qëllim kombëtar dhe strategjik të saj. Ndër të tjera kreu i Shtetit vlerësoi se pakica greke në Shqipëri është një urë e fortë për miqësinë tonë të gjatë dhe së bashku me shqiptarët që jetojnë në Greqi përbëjnë themelet e marrëdhënieve tona të shëndosha dhe afatgjata.

Gjithashtu, presidenti Meta shprehu mirënjohje për solidaritetin dhe mbështetjen e Greqisë në rastin e tërmetit të 26 nëntorit 2019, si dhe për bashkëpunimin në lidhje me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.

Në lidhje me çështjen e delimitimit të hapësirës detare ndërmjet dy vendeve, presidenti i Republikës theksoi se ai ka inkurajuar dhe do të inkurajojë që ajo të trajtohet përmes një dialogu të sinqertë dhe respekti reciprok, duke synuar një zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme. “Marrëveshja për këtë çështje të rëndësishme duhet të jetë në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Detit, me legjislacionin e të dy vendeve dhe Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, – nënvizoi Presidenti Meta.

Skip to toolbar