Presidencialet në SHBA, ja 6 momentet kyçe të debatit final Trump-Biden

Debati final Trump- Biden është shoqëruar nga momente kyçe teksa ishte shumë më ndryshe nga ai i pari. Nëqoftëse debati i parë ishte plotësisht akuzues, sulmues dhe agresiv, i dyti ishte më civil, i heshtur dhe i kontrolluar.

Mediat e huaja sjellin momentet më pikant nga ky debat i cili do të jetë dhe i fundit mes Trump dhe Biden si kandidatë për presidentë pasi pas 3 nëntorit do të ketë vetëm një fitues.

1- Debat i heshtur dhe civil

Gjatë debatit kishte një buton të heqjes së mikrofonit, dhe kjo ndikoi tërësisht në debat, pasi çdo kandidat fliste vetëm 2 minuta dhe jo më shumë, prandaj dhe toni ishte më i ulët si dhe retorika më e civilizuar.

2- Lidhjet familjare

Pavarësishte debatit të civilizuar, kandidatët u nxehën me njëri-tjetrin kur u përmendën ndërhyrjet e huaja në zgjedhjet amerikane.  Biden është akuzuar më parë se ka përdorur postin e zv/presidentit që biznesi i djalit të tij të përfitojë në Ukrainë, por ai i ka hedhur poshtë këto duke theksuar se “Asnjë gjë e vetme nuk ishte jashtë linjës”.

Trump nuk e ka lënë këtë rast duke e krahasur familjen Biden me një pastrues pasi po thithin para duke përmendur se ka përfituar nga fonde ruse.

3- Krahasimi me Lincoln

Biden e akuzoi Trump si një nga presidentët më racistë të historisë moderne, por ky i fundit ia ktheu duke theksuar se është një nga presidentët më pak racistë dhe shtoi se përveç tij, vetëm Abraham Lincoln kishte bërë më shumë për afro-amerikanët.

4- COVID-19

Sigurisht nuk mund të mungonte në debat si temë kryesore COVID-19. Biden akuzoi administratën e Trump se po keqmenaxhonte situatën aq sa amerikanët po mësohen të vdesin nga virusi. Trump deklaroi qartë se SHBA po bënte kthesën, me një vaksinë duke ardhur së shpejti teksa akuzoi Bidenin dhe paralajmëroi amerikanët se kundërshtari i tij nëse bëhet President do i çojë amerikanët në mbyllje totale teksa ai po e rihap SHBA.

5- Thirrja e Biden për bashkim

Joe Biden e ka shfaqur figurën e tij si një bashkues. Ai tha për votuesit se do të shërojë iunatin dhe përçarjen e krijuar në Amerikë gjatë Presidencës së Trump, si dhe nuk do të bëjë dallime mes shteteve të kuqe dhe blu.

6- Arsyeja e Trump për fitore

Trump ka deklaruar ironikisht se do të fitojë mandatin e dytë vetëm sepse ka kundërshtar Joe Biden. Presidenti aktual i tha Biden se ai ka qenë zv/president më parë dhe s’ka bërë asgjë, teksa kujtoi veten në 2016, kur si një person i ardhur nga jashtë politikës guxoi, kandidoi dhe fitoi.

Tragjike në Durrës, “golfi” përplaset me shtyllën, vdes shoferi 30-vjeçar

Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar në Durrës, ku për pasojë një person ka ndërruar jetë. Ngjarja ndodhi rreth orës 02:07, në lagjen nr.15 të qytetit bregdetar.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se shtetasi me inicialet A. B., 30 vjeç, duke drejtuar mjetin tip “Golf”, ka humbur kontrollin e mjetit duke u përplasur me shtyllën e ndriçimit rrugor, e për pasojë ka ndërruar jetë.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

“Neglizhenca më e vogël mund t’ju kushtojë jetën”, mesazhi i prof. Silva Bala

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në rubrikën e pyetjeve të ngritura nga qytetarët për COVID-19, ka publikuar mesazhin e prof. Silva Bala nga spitali COVID2.

Në përgjigjen e saj, mjekja e njohur thekson se shëndeti është gjeja më e çmuar që ka secili prej nesh ndaj dhe në këtë kohë pandemie kujdesi për të duhet të jetë i shtuar. Pyetjes se kur duhet ti drejtoheni Spitalit prof. Bala i pergjigjet se kjo duhet të ndodh kur rekomandohet nga mjeku i familjes.

“Nëse ju drejtoheni tek mjeku i familjes, nëse ju drejtoheni tek mjeku specialist dhe mjeku ju thotë se ju jeni për të vajtur për t’u trajtuar në spital, mos e neglizhoni këtë rekomandim të mjekut. Drejtohuni sa më parë qendrave spitalore në kohën që mjeku mendon se nuk mundet të vazhdoni më të mjekoheni në shtëpi. Në shtëpi mjekohet sëmundja e lehtë. Mjeku kur mendon se sëmundja është e patrajtueshme në shtëpi, patjetër dhe është e domosdoshme që trajtimi të bëhet në qendrat spitalore, nën trajtim të kontrolluar me ekzaminime dhe në ndjekje të vazhdueshme të gjendjes suaj”, shprehet Bala.

Bala ka bërë apel qytetarëve për zbatimin e masave me qëllim parandalimin e COVID-19.

“Neglizhenca më e vogël ju kushton jetën! Ju lutem edhe njëherë: Sa herë që të dilni nga shtëpia, mos e harroni maskën. Bëjeni maskën sendin tuaj më të domosdoshëm. Maska është pjesë e trupit tuaj tashmë për t’ju mbrojtur nga ky virus i rrezikshmën”, thekson Bala në mesazhin e saj.

FDA autorizon Remdesivirin kundër COVID-19

Agjencia amerikane e Barnave (FDA) i dha dje autorizimin e plotë ilaçit antiviral Remdesivir për pacientët e shtruar me COVID-19, duke konfirmuar autorizimin me kusht të dhënë në maj, njoftoi prodhuesi i tij “Gilead”.

“Morëm autorizimin për ilaçin, nën markën ‘Veklury’”, tha kompania, duke theksuar se ai është i vetmi trajtim specifik kundër COVID-19, i autorizuar pas një procedure verifikimi nga më rigorozet.

Autorizimi urgjent është i përkohshëm, i dhënë në bazë të të dhënave më pak të plota sesa ato për një autorizim të plotë dhe mund të revokohet në fund të gjendjes së urgjencës shëndetësore.

Trajtime të tjera kanë marrë autorizime për përdorim urgjent kundër koronavirusit të ri.

Vendimi për faljen e gjobave për Covid-19, dokumentet që duhet të dorëzoni për kthimin e parave

Hyn në fuqi udhëzimi me procedurat për qytetarët dhe biznesin që do të përfitojnë në llogaritë e tyre bankare kthimin e shumës të gjobave të paguara për shkeljen e rregullave dhe akteve ligjore për parandalimin e Covid-19.

Udhëzimi i botuar në Fletoren Zyrtare është në mbështetje të zbatimit të aktit normativ të qeverisë për faljen e gjobave për ata që thyen rregullat nga 17 prilli deri në 7 tetor. Falen edhe gjobat e vendosura nga pushteti vendor për familjet e dëmtuara nga tërmeti për shkeljet gjatë riparimeve apo rindërtimit të banesave individuale.

Udhëzimi përcakton se për kthimin e shumës të gjobës, qytetarët dhe biznesi duhet të paraqesin pranë institucionit që ka vendosur masën administrative të dhënat personale, IBAN e llogarisë bankare, ndërsa bizneset duhet të paraqesin NIPT-in dhe vërtetimin e regjistrimit të tyre nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit.

Akti normativ përcakton se kthimi i shumës të gjobës të paguar në llogaritë bankare të përfituesve, por edhe kthimi i licencave apo lejeve të bllokuara të mjeteve do të kryhet brenda datës 15 nëntor.

Udhëzimi i plotë

-Individët dhe subjektet duhet të dërgojnë pranë strukturës përgjegjëse të institucionit që ka vendosur masën administrative në favor të cilit është bërë pagesa e gjobës (shkurt institucioni) këto dokumente:

a) emër mbiemër i individit/emërtim i subjektit;

b) ID kartë identiteti/NIPT;

c) IBAN;

d) emrin e bankës pranë së cilës kanë llogarinë personale/llogarinë e subjektit;

e) vërtetimin bankar që llogaria bankare ku do të arkëtohet kthimi i gjobës është aktive;

f) subjektet paraqesin edhe vërtetimin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.

-Struktura përgjegjëse e institucionit harton urdhërpagesën për vlerat totale për çdo bankë të nivelit të dytë ku është kryer arkëtimi i gjobës, duke i bashkëlidhur listën emërore të përfituesve për bankën respektive. Urdhërpagesa për kthimin e gjobave subjekteve shoqërohet me vërtetimin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe vërtetimin bankar.

-Pas konfirmimit nga strukturat përgjegjëse për Thesarin në degë, strukturat përgjegjëse të institucionit dërgojnë paralelisht listën emërore të individëve përfitues në bankën respektive të nivelit të dytë.

-Institucionet me vetëfinancim që operojnë me llogari bankare të veçantë nga llogaria e unifikuar e Thesarit “Depozitë e qeverisë”, në Bankën e Shqipërisë, zbatojnë procedurat e tyre të miratuara nga titullari./Monitor

Biden propozon krijimin e komisionit për reformimin e gjyqësorit amerikan

Kandidati demokrat për president, Joe Biden, tha se nëse i fiton zgjedhjet, ai do të krijojë një komision dypartiak për të shqyrtuar reformimin e sistemit të drejtësisë që ai e quajti “të dalë nga binarët”, duke vënë në dukje se ka alternativa të tjera që mund të merren parasysh përveç zgjerimit të Gjykatës së Lartë.

Biden, sfiduesi i Presidentit republikan Donald Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit, i bëri komentet në një intervistë për emisionin “60 minuta” të kanalit CBS që do të transmetohet këtë fundjavë. Një pjesë e intervistës u bë publike të enjten.

Ish-nënpresidenti amerikan tha se ai do të krijojë një komision dypartiak të studiuesve ligjorë që do të përfshinte demokratë, republikanë, liberalë dhe konservatorë për të rishikuar gjyqësorin amerikan.

“Unë do t’u kërkoj atyre që, pas më shumë se 180 ditësh, të kthehen tek unë me rekomandime se si të reformohet sistemi gjyqësor sepse ai tani po del nga binarët, dhe kjo nuk ka të bëjë me çështjen e shtimit të numrit të anëtarëve të gjykatës”, shtoi zoti Biden.

“Ka një numër alternativash që … shkojnë përtej mbushjes (së gjykatave me më shumë gjyqtarë)”, tha zoti Biden.

Disa njerëz nga e majta kanë hedhur idenë e rritjes së numrit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, e cila aktualisht ka nëntë gjyqtarë, nëse zoti Biden fiton, për t’iu kundërvënë zhvendosjes në të djathtë të gjykatës si rezultat i veprimeve të republikanëve të Senatit në vitin 2016 dhe tani. Republikanët e kanë hedhur poshtë idenë duke e quajtuar atë një përpjekje për të “mbushur gjykatën (me anëtarë të partisë në pushtet)”.

Zoti Biden tha javën e kaluar se ai nuk është “një tifoz” i idesë së rritjes së numrit të gjyqtarëve, por i ka lënë të hapura të gjitha opsionet. Numri prej nëntë anëtarësh i Gjykatës së Lartë është caktuar me ligj më shumë se një shekull më parë. Propozimi për krijimin e një komisioni mund të shërbejë si justifikim për zotin Biden që të mos japë një përgjigje përfundimtare mbi rritjen e numrit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë para zgjedhjeve.

Komentet e zotit Biden u bënë publike në të njëjtën ditë që Komisioni Juridik i Senatit amerikan, i kontrolluar nga republikanët votoi për t’i hapur rrugë konfirmimit të plotë të gjyqtares konservatore Amy Coney Barrett, të emëruar nga Presidenti Trump për të mbushur vendin bosh në Gjykatën e Lartë. Senati ka në plan të votojë për konfirmimin përfundimtar të gjyqtares Barret të hënën.

Konfirmimi i saj do t’i jepte organit më të lartë gjyqësor të Shteteve të Bashkuara një shumicë konservatore 6-3, që mund të jetë e rëndësishme në rastet ligjore që përfshijnë abortin, kompetencat presidenciale, të drejtat fetare dhe të armëmbajtjes, të drejtat e komunitetit LGBT dhe çështje të tjera.

Demokratët janë të zemëruar që republikanët e senatit filluan procesin e emërimit të gjyqtares Barrett kaq afër ditës së zgjedhjeve pasi refuzuan në vitin 2016 të fillonin procesin e konfirmimit të kandidatit për anëtar të Gjykatës së Lartë të emëruar nga Presidenti demokrat Barack Obama, me arsyetimin se ishte një vit zgjedhjesh.

Ambasadorja e Shqipërisë në SHBA pozitive me COVID-19

Ambasadorja shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Floreta Luli Faber ka rezultuar pozitive me koronavirusin e ri. Ka qenë vetëm ambasadorja Faber që e ka bërë të ditur nëpërmjet një mesazhi në “Facebook” ku deklaron se ka kryer testin e COVID-19 sapo është kthyer nga Shqipëria në SHBA dhe ka rezultuar pozitive.

Ajo thotë se ka zhvilluar shumë takime pune me zyrtarë, kolegë, shokë e miq dhe nuk mund t’i njoftojë dot një nga një, teksa shton se në çdo ambient ka qenë me maskë dhe ka ruajtur distancën.

MESAZHI I PLOTË
Të dashur miq,
Sot u ktheva nga Shqipëria pas një udhëtimi pune dhe pasdreke arrita në Uashington.
Sapo zbrita në aeroport, si masë profilaktike bëra testin e Covid-19.
Përgjigja ishte POZITIV
Ju njoftoj nëpërmjet këtij mesazhi, pasi këto ditë kam zhvilluar shumë takime pune me mjaft zyrtar dhe kolegë, si dhe kam takuar pa fund shokë e miq, familjarë dhe njerëz të afërm, të cilët nuk i njoftoj dot një nga një.
Unë u testova negativ ditën kur u nisa drejt Shqipërisë. Në çdo ambient apo takim, zyrtarë apo miqësor, kam mbajtur maskë dhe kam ruajtur distancën e kërkuar, por qartësisht jo mjaftueshëm.
Mos i hiqni në asnjë moment maskat
Uroj më të mirën për secilin nga ju!

SHBA: Komisioni i Senatit i hap rrugën konfirmimit të gjykatëses Barrett

Komisioni Juridik i Senatit amerikan i hapi rrugën konfirmimit të gjyqtares Amy Coney Barrett si anëtare e Gjykatës së Lartë, duke ia dërguar emërimin e saj për miratim Senatit të plotë.

Votimi i Komisionit vjen ndërkohë që demokratët e bojkotuan seancën. Republikanët kanë në Senat shumicën me 53 vende, kundrejt 47 që kanë demokratët.

Demokratët u kishin bërë thirrje republikanëve të prisnin rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit përpara se të konfirmonin kandidaten e propozuar nga Presidenti Trump për të plotësuar vendin e mbetur bosh në Gjykatë, pas vdekjes së anëtares Ruth Bader Ginsburg.

Udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell ka kërkuar që zonja Barrett të konfirmohet përpara ditës së zgjedhjeve.

Senatori McConnell shpreson të mbajë të dielën një votim procedural për emërimin e zonjës Barrett. Nëse kjo ndodh, Senati i plotë mund ta mbajë të hënën votimin përfundimtar për konfirmimin e saj.

Debati i fundit para zgjedhjeve, Trump përballet sërish me Biden: Vaksina miratohet brenda disa javësh

Kandidati republikan, Presidenti Donald Trump dhe rivali i tij demokrat, ish-nënpresidenti Joe Biden, zhvilluan një debat të fortë të enjten, vetëm 12 ditë para zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Kandidati demokrat Joe Biden përsëriti akuzat e tij ndaj Presidentit Trump lidhur me reagimin ndaj pandemisë në debatin e dytë dhe të fundit mes dy kandidatëve për president. Zoti Biden po përpiqet të rrisë epërsinë ndërsa afrojnë zgjedhjet.

“Kushdo që është përgjegjës për një numër kaq të madh vdekjesh nuk duhet të vazhdojë të jetë president i SHBA,” tha zoti Biden. “Ky është i njëjti person që ju tha se do të zhdukej kur të vinin Pashkët. I njëjti person që ju tha të mos shqetësoheni, se do të marrë fund kur të vijë vera. Ne jemi tani në prag të një dimri të errët dhe ai nuk ka plane,” tha zoti Biden.

“Nuk di gjë që jemi në prag të një dimri të errët. Ne po e rihapim vendin. Kemi mësuar, e kemi studiuar dhe e kuptojmë këtë sëmundje,” u përgjigj zoti Trump.

Presidenti, i cili u tregua shumë më i përmbajturë se në debatin e parë në fund të shtatorit, kur në mënyrë të përsëritur ia preu fjalën zotit Biden, mbrojti politikat e administratës së tij dhe tha se është kapërcyer faza më e rëndë e pandemisë.

“Po e luftojmë, po e luftojmë fort. E kemi bërë kthesën. Po ikën,” tha ai. Zoti Trump gjithashtu akuzoi rivalin Biden se synon të mbyllë vendin dhe aktivitetin ekonomik në përgjigje të pandemisë nëse bëhet president.

Debati i transmetuar në shkallë kombëtare, u zhvillua në Neshville të shtetit Tenesi dhe ishte mundësia e fundit për dy kandidatët për të dalë përballë njëri-tjetrit në përpjekje për të shpjeguar politikat e tyre dhe përgjigjen ndaj pandemisë që deri tani ka shkaktuar mbi 221 mijë viktima në SHBA dhe ka goditur rëndë ekonominë.

“Ai do ta mbyllë vendin nëse një person i vetëm në këtë burokraci gjigande thotë se duhet mbyllur,” tha zoti Trump.

Anketat tregojnë se shumica e amerikanëve kanë mendim negativ për përgjigjen e administratës ndaj pandemisë. Të enjten, një numër shtetesh të lëkundura, përfshirë Ohajon raportuan rritje ditore rekord në rastet me COVID-19, dëshmi se ritmet po rëndohen.

Ish-nënpresidenti Biden fajësoi presidentin se nuk merr përgjegjësi për pandeminë.

“Unë marr plotësisht përgjegjësi,” tha presidenti. “Nuk ishte faji im që na erdhi virusi këtu. Ishte faji i Kinës”.

Presidenti Trump tha të enjten se prodhimi i një vaksine është pranë, duke shtuar se miratimi do të njoftohet “brenda javësh” por më pas pohoi se nuk është e garantuar. Pjesa më e madhe e ekspertëve, përfshirë në ekipin e administratës kundër koronavirusit, thonë se nuk ka gjasa që vaksina të jetë në përdorim deri në mes të vitit 2021.

Akuza për lidhje të dyshimta me aktorë të huaj

Pas debatit mbi pandeminë, dy kandidatët u përplasën lidhur me akuza të ndërsjellta për lidhje të dyshimta me interesa të huaja. Një pyetje lidhur me ndërhyrje nga jashtë në procesin zgjedhor amerikan shumë shpejt nxiti akuza personale, pasi Presidenti Trump akuzoi djalin e zotit Biden, Hunter Biden për kontrata biznesi të parregullta me Kinën dhe Ukrainën. Një hetim i zhvilluar nga Komisioni i Senatit për Zbulimin, nën udhëheqje republikane, nuk zbuloi prova që i mbështesin këto akuza.

Zoti Biden tha se asnjëherë nuk ka marrë “një qindarkë të vetme” nga një vend tjetër, para se të kthehej nga presidenti duke e akuzuar se po përpiqej t’ua shpërqëndronte vëmendjen amerikanëve.

“Ai i nxjerr këto broçkulla me një qëllim të caktuar. Nuk e bën për të sulmuar familjen time. E bën për të dëmtuar familjet tuaja,” tha zoti Biden duke shtuar se presidenti do të largojë vëmendjen nga përgjegjësia për pandeminë.

Siguria e Zgjedhjeve; Taksat dhe Dokumentat Fiskale të Presidentit

Zoti Biden foli për refuzimin nga presidenti për të nxjerrë dokumentacionin fiskal të bizneseve të tij. “Nxirr dokumente për taksat që ke paguar, ose mos fol më për korrupsion,” tha kandidati demokrat.

Presidenti u përgjigj duke akuzuar agjencinë amerikane të mbledhjes së taksave, IRS se “më trajton shumë keq, në mënyrë shumë të padrejtë”.

Kandidatët shkëmbyen akuza edhe për kujdesin shëndetësor, politikat ndaj Kinës dhe, pas protestave që vazhdojnë prej muajsh, për marrëdhëniet racore në vend. Zoti Biden tha se zoti Trump ishte “një ndër presidentët më racistë” në historinë e vendit.

“Ai i hedh benzinë çdo zjarri racist,” tha zoti Biden.

Presidenti Trump u përgjigj duke kritikuar ligjin e sponsorizuar nga zoti Biden kur ishte senator në 1994 që solli si rezultat shtimin e ritmit të burgosjes së amerikanëve të pakicave racore. Zoti Trump shtoi se si president, ai kishte bërë më shumë për afrikano-amerikanët se çdo president tjetër “ndoshta” me përjashtim të Abraham Linkolnit në vitet 1860 (i cili çliroi skllevërit).

“Unë arrita të miratoj ligjin për reforma në drejtësinë penale, të krijoj zona të mundësive ekonomike, u kujdesa për universitetet me shumicë afrikano-amerikane,” tha presidenti.

Përplasjet për kujdesin shëndetësor

Zoti Biden kritikoi përpjekjet e Presidentit Trump për të bindur Gjykatën e Lartë të anulonte Ligjin për Kujdesin Shëndetësor të miratuar gjatë administratës Obama, kur zoti Biden ishte nënpresident.

“Njerëzit meritojnë kujdes shëndetësor të përballueshëm. Kaq,” tha zoti Biden duke nënvizuar se ligji ekzistues nuk u kishte lejuar kompanive t’u mohonin kujdes shëndetësor individëve me probleme ekzistuese shëndetësore.

“Nuk ka rëndësi se sa mirë e administron, ai ligj nuk bën. Ne duam t’i japim fund. I anuluam mandatet individuale (që kërkojnë mbulim të deryrueshëm për të gjithë). Nëse nuk arrijmë fitore në gjyq, do ta mbajmë këtë ligj por do ta administrojmë më mirë,” tha presidenti.

Zoti Trump tha se donte të zëvendësonte ligjin e miratuar gjatë administratës Obama me diëka “shumë më të mirë” që do të ofronte të njëjtat mbrojtje, megjithëse administrata e tij nuk ka propozuar ende një reformë gjithë-përfshirëse.

Koreja e Veriut

Pretendenti demokrat sulmoi politikat që ndoqi Presidenti Trump ndaj Koresë së Veriut. “Ai e legjitimizoi Korenë e Veriut. Ai fliste se e kishte mik të mirë (udhëheqësin Kim Jong Un), i cili është gangster. Ai ka thënë se jemi mirë tani që Koreja e Veriut është më e aftë të hedhë raketa që mund të arrijnë në territor amerikan,” tha zoti Biden.

Presidenti Trump u përgjigj duke nënvizuar përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve:

“Fakti është që nuk jemi në luftë me Korenë e Veriut. Kemi një marrëdhënie të mirë,” tha zoti Trump.

Në sallën e debatit kishte rreth 200 pjesëmarrës të cilët para se të futeshin në sallë ishin kontrolluar për të garantuar që nuk kishin temperaturë. Të gjithë ishin të detyruar të mbanin maskë gjatë gjithë kohës.

/VOA

Zhdukja e Remzi Hoxhës dhe vrasja Ali Ukajt, Thaçi: Autorët janë në Tiranë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, duke folur në emisionin “Real Story” në “News 24”, i pyetur për zhdukjen e Remxi Hoxhës dhe vrasjen e Ali Ukajt, deklaroi se ka mbetur vetëm drejtësia të zbardhë ngjarjen.

Thaçi theksoi se autorët e zhdukjes së biznesmenit të njohur në fjalë janë në Tiranë.

“Zhdukja e Remzi Hoxhës dhe vrasja e Ali Ukajt janë ngjarje të rënda. Vetëm drejtësia ka mbetur të zbardhë ngjarjen.

Autorët se kush janë dihen publikisht. Autorët janë në Tiranë”, deklaroi Thaçi.

Skip to toolbar