Kryeprokurori raporton në Kuvend: Ka tregues pozitivë në luftën ndaj krimit, gjithsesi sistemi ka probleme

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela në një lidhje live ka raportuar në Kuvend në lidhje me punën e Prokurorisë.

Çela tha se Prokuroria ka shënuar tregues pozitivë në luftën ndaj krimit, kurse shtoi se bashkëpunimi mes Policisë dhe Prokurorisë ka qenë efikas.

Bashkëpunimi me institucionet ka qenë pozitiv. Ka pasur një bashkëpunim të mirë mes Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore. Ka tregues pozitivë në luftën ndaj krimit. Jemi në periudhën e plotësimit të rekomandimeve të reja. Vlerësoj bashkëpunimin me KLP-në.

Tashmë kemi dy Prokurori, atë të Posacme dhe atë të zakonshmen. Mendoj se sistemi gjithsesi ka probleme, por më shumë janë akumuluar në vite. Por sistemi statistikor është optimal. Do jetë një sfidë për ne që të kemi statistika më të mira”, tha Çela.

Ruçi mbledh online institucionet e pavarura: Të garantohet sundimi i shtetit të së drejtës dhe shërbimet për qytetarët

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi zhvilloi paraditen e sotme një mbledhje online me drejtuesit e institucioneve të pavarura mbi situatën e shkaktuar nga koronavirusi. Ruçi u kërkoi drejtuesve të këtyre institucioneve, që të monitorojnë interesat e qytetarëve. “Monitoroni mbrojtjen e  interesave të publikut dhe qytetarëve. Drejtësi për qytetarët edhe në kohë jonormale. Vendimet Kuvendit duhet t’i zbatoni pikë për pikë. Duhet një sinergji  më e mirë Kuvend-Qeveri-Institucione” tha Ruçi.

FJALA E RUÇIT
Mirë se erdhët në këtë takim periodik të punës së Mekanizmit Institucional Kuvend-Qeveri-Institucione të Pavarura.
Në fakt, siç edhe keni qenë informuar, ky takim ishte programuar muaj më parë, por për arsye të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore për shkak të pandemisë së koronavirusit, e riprogramuam.
Aktualisht veprimtaritë parlamentare realizohen nëpërmjet formave të komunikimit elektronik, për të cilat kemi plotësuar edhe Rregulloren e Kuvendit. Në këtë format po organizojmë edhe këtë takim.
Në fillim dëshiroj tju falenderoj për mirëkuptimin që treguat të gjithë ju, drejtuesit e institucioneve, për ofrimin e gjysmës së pagës për tre muaj në ndihmë të përballimit të situatës së emergjencës shëndetësore.
Pavarësisht veprimtarisë intensive ligjbërëse, Kuvendi nuk e ka shkëputuar asnjëherë vëmendjen nga problemet, nevojat dhe mbështetja ndaj institucioneve të pavarura.
Edhe pse jemi në situatë emergjence, duhet të garantojmë që të sundojë shteti i së drejtës dhe shërbimet e të drejtat e qytetarëve të jenë të garantuara.
Siç edhe keni konstatuar, takimet me drejtuesit e institucioneve kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj janë bërë tashmë një praktikë e zakonshme pune e Kuvendit të Shqipërisë.
Unë kam ndjekur personalisht, por edhe nëpërmjet shërbimeve të Kuvendit, punën tuaj për të vazhduar ushtrimin e detyrave institucionale, me reduktime të burimeve njerëzore në zbatim të vendimeve të Qeverisë, por edhe në respektim të rregullave të mbrojtjes nga koronavirusi.
Kjo për faktin se funksionin kontrollues dhe monitorues po e vlerësojmë si një përparësi të Kuvendit.
Kjo përparësi dhe ky objektiv nuk janë qëllime në vetvete, por lidhen me rolin e institucioneve të pavarura si kolona të fuqishme të sistemit demokratik dhe shtetit të së drejtës.
Por lidhen gjithashtu me kontributin e tyre si roje të interesit publik, të drejtave e lirive themelore të qytetarëve të Republikës si edhe përcjellëse të opinionit të tyre për të tri degët e qeverisjes: legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.
Me funksionin monitorues e kontrollues, Kuvendi nuk bën gjë tjetër, veçse si zëdhënës dhe ushqyes i sentimentin publik, bëhet interpret i detyrimit të të gjitha pushteteve, përfshirë atë parlamentar, për të qeverisur në konsensus e harmoni me interesin publik dhe të qytetarëve.
Sot në Kuvendin e Shqipërisë raportojnë periodikisht mbi veprimtarinë e tyre 24 institucione të pavarura.
Dëshiroj tu uroj mirëseardhjen në këtë proces drejtuesve të institucioneve të reja të drejtësisë: Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Të gjithëve ju garantoj se do të kini mbështetjen maksimale nga Kuvendi.
Sipas përcaktimeve në ligjet organikë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, si dy institucione të reja, kanë raportuar në Kuvend për gjashtëmujorin e parë të vitit 2019 dhe Kuvendi vlerësoi pozitivisht veprimtarinë e tyre. Të dy institucionet janë në vonesë për të dorëzuar raportin e parë vjetor.
Në vazhdim, KLGJ e KLP duhet të informojnë Kuvendin mbi respektimin e të drejtave për gjykim të të drejtë dhe shkallën e zbatimit të procedurave te reja dhe të shpejta të gjykimit të çështjeve, me qëllim që të mos krijohen mbingarkesa në dosje dhe të ketë vonesa të pajustifikuara në gjykimet e çështjeve që nuk presin ose që mund të bëhen edhe në kushtet e pandemisë.
Edhe pse në kohë jonormale, drejtësia duhet të jepet si në kohë normale.
Aktet normative me fuqinë e ligjit që kemi miratuar për shkak të pandemisë kanë kufizuar përkohësisht disa të drejta qytetarëve.

Kuvendi ka detyrimin të vlerësojë ndikimin e këtyre kufizimeve te qytetarët, por edhe të marrë masa për të kufizuar këtë ndikim.
Ndërkohë, një pjesë e institucioneve, sidomos Avokati i Popullit dhe disa nga institucionet e Komisionerëve, duhet të monitorojnë që me këto kufizime të mos abuzohet dhe ato të mos shkojnë përtej dispozitave që kanë përcaktuar aktet normative.
Mbështetja e Kuvendit nuk do të kursehet sidomos për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, të cilin e presin dy sfida të vështira: formatimi dhe vendosja në efiçencë e institucionit brenda gjashtë muajve nga krijimi, por ajo që është më kryesorja, fillimi i mbarë i veprimtarisë si një organ kyç i ri i qeverisjes së sistemit.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka depozituar në Kuvend projektvendimin “Për miratimin e strukturës, organikës dhe numrit të punonjësve”, i cili u përfshi në Programin e Punës dhe Kalendarin e Punimeve.
Dëshiroj të nënvizoj rolin e ri që ka në sistemin e ri të drejtësisë Prokurori i Përgjithshëm, nëpërmjet udhëzimeve për piramiden e organit të akuzës, për të bërë të mundur zbatimin uniformë të dispozitave e procedurave penale.
Performanca e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Prokurorisë së Përgjithshme mund të shërbejnë si indikator për vlerësimin e ndikimit publik të reformës, rritjen e besimit të publikut te sistemi dhe efektin e ndryshimeve, kryesisht ashpërsimeve, të dispozitave penale. Këtu kam parasysh edhe ashpërsimin e dispozitave penale për rastet e epidemive dhe pandemive. Prokurori dhe Prokororia e Përgjithshme duhet të përpunojnë me kujdes e përgjegjësi statistikat e referuara në Raportin Vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme, në funksion të përmirësimeve strategjike, ligjore dhe proceduriale penale në të ardhmen.
E kam thënë dhe po e përsëris: qëllimi i reformës në drejtësi nuk është të krijojmë një mozaik të ri institucionesh me emra tërheqës, por të vendosin në binarët e Kushtetutës, ligjit dhe në shërbim të të drejtave të qytetarëve sistemin e drejtësisë, si një nga degët më problematike të qeverisjes.

Kontrolli parlamentar është ndër funksionet kryesore të Kuvendit dhe një mekanizëm për rritjen e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies ndaj publikut të Qeverisë dhe institucioneve të pavarura.
Në zbatim të nenit 103 të Rregullores së Kuvendit, gjatë vitit të kaluar,
• 23 institucione të pavarura kushtetuese dhe të krijuara me ligj depozituan raportet e institucionale,
• 21 titullarë institucionesh raportuan në komisionet e përhershme parlamentare,
• 20 titullarë institucionesh raportuan në seancë plenare,
• Në seancë plenare u miratuan 21 rezoluta, me rekomandime e detyra konkrete për veprimtarinë e institucioneve.
Kuvendi insistoi dhe ia arritëm që periudha e raportimeve (Mars-Maj) dhe procedura parlamentare e parashikuar, të respektohet në mënyrë korrekte, brenda afateve ligjore, sipas përcaktimeve në Rregulloren e Kuvendit dhe kërkesave të Vendimit 134/2018 “Për Manualin e Raportimit Vjetor dhe Periodik”.
Pas një analize të informacioneve të depozituara në Kuvend mbi nivelin e zbatimit të rezolutave për vitin 2019, rezulton se rezolutat e Kuvendit janë zbatuar në masën 93%.
Nga 223 rekomandime, janë realizuar plotësisht 109, janë në proces zbatimi 94, janë realizuar pjesërisht 9, ndërsa 20 rekomandime janë ende të parealizuara.
Në zbatim të ligjeve organike dhe nenit 111 të Rregullores së Kuvendit, gjatë vitit 2019 Kuvendi u angazhua për emërimin e 20 titullarëve apo anëtarëve të institucioneve të pavarura, duke siguruar funksionimin e tyre me kapacitet të plotë.
Sot kemi ende pozicione vakante, për shkak të vonesave nga institucionet propozuese.
Sot kemi në dispozicion dhe do tju dërgohet botimi “Monitorimi nga Kuvendi i Shqipërisë i institucioneve të pavarura gjatë vitit 2018”, hartuar nga Shërbimi i Monitorimit, dedikuar institucioneve të pavarura dhe raportimit të tyre në Kuvend për vitin që shkoi. Ju bëj me dije se ky botim do të kthehet në një traditë të përvitshme, si pjesë e rëndësishme e botimeve dhe kujtesës institucionale në Kuvend.
Në fund të vitit 2019 Kuvendi Shqipërisë jetësoi Platformën Ndërinstitucionale Onllain, e cila tanimë është funksionale dhe mund të aksesohet edhe në faqen veb të Kuvendit.
Në këtë platformë gjenerohet i plotë informacioni mbi nivelin e zbatueshmërisë së rekomandimeve të institucioneve të pavarura adresuar Qeverisë, duke evidentuar qartë kush dhe çfarë nuk ka realizuar.
Kjo platformë ka krijuar një mundësi më shumë për kontrollin parlamentar dhe përgjegjësinë e institucioneve publike për të zbatuar detyrimet para qytetarëve dhe Kushtetutës, nën monitorimin e vazhdueshëm të Kuvendit.

Me gjithë angazhimin konsistent të Shërbimit të Monitorimit, hedhja e të dhënave në platformë është ende në nivele të ulëta. Por të gjithë ju duhet të kuptoni se llogaridhënia është detyrim, jo nismë juaja dhe duhet të përgjigjeni kur Kuvendi ju kërkon informacione, jo kur e gjykoni ju.
Vendimet Kuvendit nuk duhet t’i mbani në sirtar, por t’i zbatoni pikë për pikë. Vetëm kështu mund të arrijmë të flasim me të njëjtën gjuhë mbi plotësimin e detyrave respektive nga të tri palët: Kuvendi, Qeveria dhe institucionet.

Ju ankoheni se nuk keni stafe, por duhet të dini që organikat i keni të plotësuara. Vendosini njerëzit në punë dhe punoni me kapacitete të plota.
Gjithashtu konstatojmë neglizhencë të përsëritur nga pothuajse të gjitha institucionet e pavarura që adresojnë rekomandime ndaj Qeverisë. Përcjellja prej tyre e të dhënave në Kuvend paraqitet problematike dhe jokoherente.
E kam thënë dhe po e përsëris: Kuvendi nuk kërkon të dhëna për qëllime statistikore apo studimore, por informacione mbi plotësimin e detyrimeve ndaj qytetarëve nga Qeveria dhe agjencitë e saj.
Informacionet prej institucioneve që ju drejtoni janë njera prej pasqyrave nëpërmjet të cilave Kuvendi vlerëson impaktin e politikave e programeve të Qeverisë në interesin publik dhe të qytetarëve.
Raportimi i këtyre vlerësimeve nga ana juaj nuk është një privilegj, por një detyrim kushtetues e ligjor.
Prandaj kërkoj një seriozitet dhe sinergji më të mirë nga të gjitha palët e kësaj platforme, të cilën Kuvendi e realizoi, por ju duhet ta bëni funksionale e produktive. Trekëndëshi Kuvend-Institucione të Pavarura-Qeveri duhet të vihet në efektivitet të plotë, si një mekanizëm për të rritur nivelin e zbatueshmërisë së rekomandimeve tuaja, edhe si pjesë e rekomandimeve të Raportit të Progresit të Komisionit Europian.

Kuvendi ka treguar angazhim maksimal, jo vetëm si institucion, por unë jam angazhuar personalisht në fuqizimin e zërit të institucioneve të pavarura ndaj Qeverisë. Por kërkojmë që Qeveria të angazhohet më shumë se deri tani për të raportuar periodikisht në Kuvend mbi zbatimin e rekomandimeve të institucioneve të pavarura nga ministritë dhe agjencitë e saj.

COVID-19, Rikthehen në shtëpi për 3 muaj 372 të burgosur, 17 të tjerë nuk i pranon familja

372 të burgosur kanë dalë nga qelitë dhe ndodhen në shtëpi, pasi përfituan nga i nga situata e krijuar nga  COVID-19.

Ata do të qëndrojmë për 3 muaj të izoluar në banesat e tyre dhe më pas do të kthehen në qeli për të vuajtur dënimin.

Mësohet se nga të burgosurit janë depozituar 841 kërkesa për “liri”, nga të cila 372 janë pranuar dhe 469 janë refuzuar.

Sa u përket kërkesave që janë refuzuar, mësohet se shumë prej tyre nuk plotësonin kriteret formale. Ndërsa,  17 të tjerë nuk i ka pranuar familja.

COVID-19, sot 10 raste të reja. Kamza e Tirana sërish “vatra të nxehta”

Ministria e Shëndetësisë raporton se në 24 orët e fundit nga 275 testime të kryera, janë shënuar 10 raste të reja, duke e çuar në 842 numrin total të të infektuarve. Nga të prekurit e identifikuar në 24 orët e fundit, 3 prej tyre janë në Tiranë, 3 në Krujë, 2 në Shkodër dhe 2 në Kamëz

Në përditësimin e shifrave, drejtoresha pranë ISHP, Rovena Daja tha se që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 842 qytetarë, ndërsa 605 prej tyre tashmë janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 206 persona aktivë me COVID19.

“Pjesa më e madhe e të prekurve po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, aktualisht janë të shtruar 38 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive”- tha Daja.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë distancimin fizik dhe të mbajnë higjienën personale, po ashtu bizneset e hapura të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë. Ftojmë qytetarët të mos neglizhojnë shenjat e COVID19 dhe të telefonojnë menjëherë urgjencën kombëtare 127 në rast se kanë dyshime se janë të prekur nga ky virus.

Për të kontaktuar mjekun e familjes, për pyetje në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

“Duhet të bëjmë një fushatë promovuese”, Klosi: Hotelet në Golem e Durrës investime luksi, s’ka ndryshim nga ata në Europë. Të shijojmë turizmin në Shqipëri

Promovimi i vendit është një nga qëllimet për ngritjen e sektorit të turizmit këtë vit, një nga sektorët më të prekur nga pandemia e koronavirusit që i sjell vendit miliona euro.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi deklaroi në “Real Story” në News24 se në Golem e Durrës janë bërë investime të mëdha dhe hotelet nuk kanë ndryshim nga hotelet në Europë duke kërkuar bashkëpunim për të njohur vendin qytetarët shqiptarë dhe për t’u hapur për rajonin.

“E gjithë biseda shkon në një sektor që është ndërtuar me shumë vështirësi. Kësaj sakrifice i jemi përulur çdo moment. Në një masë të madhe hotelierët shqiptarë janë në kredi. Është marrë vendimi për shtyrjen pa penalizime për kreditë për një afat tremujor. Vendimet duhet të jenë të vështira.
Sot hoteleria e ka TVSH 6% dhe e ka marrë si askush tjetër. Dhe industria e detit po merr mbështetje, TVSH 0 për mjetet. TVSH 0 për turizmin është e pamundur të bësh një goditje kaq të madhe në arkën e shtetit ndërkohë që ke një biznes të ngritur. Duhet të bëjmë një fushatë promovuese të gjithë së bashku, t’iu kërkojmë shqiptarëve të shikojnë bukuritë në vend. Çfarë mrekullish ka bregdeti i Durrësit? Çfarë ka Prestige Resort më pak se një resort në Turqi.
Duhet të krijojmë një mundësi të artë të njohim vendin tonë, të shijojmë turizmin në Shqipëri, të hapemi për rajonin. Kjo është lufta me shëndetësinë. Nëse ne do t’ia dalim të kontrollojmë pandeminë. Të hapemi me Kosovën, të lirojmë Maqedoninë, të shikojmë Malin e Zi”, tha Klosi.

“Viti 2020 do të kishte boom ekonomik nëse nuk do ishte korona”, Klosi: Hapja e ngadaltë ndihmon turizmin, urojmë në rikuperimin sa më të shpejtë të situatës

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” u shpreh se viti 2020 do të kishte boom turistik, në rast se nuk do të ishte koronavirusi.

Klosi tha se hapja e ngadaltë ndihmon turizmin, kurse shtoi se uron në rikuperimin sa më të shpejtë të të gjithë situatës.

Ne bëmë që të gjithë ata që vijnë në Shqipëri nga jashtë të karantinohen vetë në banesa për 14 ditë. Jemi në fazën ku po mendojmë që të kemi një lehtësim të karantinimit. Të gjitha këto i vendos mjekësia. Është një grup ekspertësh që vendos nëse duhen hapur kufijtë tokësor apo ajror apo jo.

Përpara se të shkojmë këtu, jemi në fazën e parë të hapjes. Në bazë të statistikave do të marrim vendim e ne duam që të marrim masa lehtësuese. Hapja është e bazuar në detaje. Ne vazhdojmë të jemi në aleancë me sektorin e turizmit. Nëse nuk do ishte koronavirusi, 2020 do të ishte vit i sukseshëm shumë për ne. Të jemi me këmbë në tokë e të ruajmë sektorin edhe për vitin tjetër”, tha Klosi.

“Duhet paketë e tretë për baret dhe restorantet”, Topuzi: Të lëvrohen kreditë! Në këto 10 vite jemi të parët në Ballkan me këto shërbime

Zak Topuzi, kryetar i sektorit të hoteleve deklaroi mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Real Story’ në ‘News24’ se nevojitet një paketë e tretë për baret dhe restorantet, të cilët janë goditur dhe do të goditen nga pandemia e koronavirusit.

Ai theksoi se këto biznese janë shumë të prekura edhe për shkak të faktit se shumë prej tyre kanë qira jashtëzakonisht të shtrenjta, ndërsa shtoi se ky sektor duhet të përfitojë uljen e TVSH-së. Po ashtu Topuzi tha se është e nevojshme që për sektorin e turizmit të lëvrohet kredia, në mënyrë që ata të përgatiten për sezonin e hapjes në qershor, sipas kushteve të vendosura nga qeveria, duke marrë shkas nga situata.

“Kjo është njësoj si lufta. Kemi shkuar në luftë, dhe është e pamundur që të rezistojë pa të vdekur, pa të falimentuar. Ndaj bota, rekomandon disa masa për ekonomë, që është motor i përgjithshëm. Ndaj duhet të implementohet urgjent një paketë. Jemi në momentet ku fillimi i qershorit të jetë fillimi i turizmit. Duhet të bësh kuzhina ndihmëse, të modifikosh baret. Ndaj është me rëndësi që kjo kredi të lëvrohet shpejt. Në këtë sektor është me rëndësi pjesa e bareve restoranteve. Ne jemi pjesë e Shoqatës Ballkanike të Hoteleve dhe Restoranteve e bareve, ku Shqipëria zë vendin e parë në 10 vite. Jemi në vendet e para të restoranteve dhe ia marrin dhe Greqisë. Jemi në vend të dytë për baret, pasi vendin e parë e zë Greqia. Ky është sektor i goditur. Në paketa e tretë duhet të përfshirë dhe baret dhe restorantet. Janë goditur dhe do goditen nga kjo pandemi, nga distancomi. Kanë ambiente me qira jashtëzakonisht të shtrenjta. Duhet të përfitojë ky sektor për uljen e TVSH-ve.”, pohoi ai.

Luan Bregasi: Sektori i turizmit më i godituri nga Covid-19, BSH të shtyjë dhe për një vit principalin për bizneset

Kreu i Biznes Albania Luan Bregasi i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” deklaroi se sektori i turizmit është më i godituri nga pandemia e Covid-19.

Bregasi theksoi se Banka e Shqipërisë duhet që të shtyjë edhe për një vit principalin për bizneset, me qëllim që këta të fundit të kenë mundësi të rimarrin veten më lehtë.

“Kemi kërkuar edhe hartimin e një paketë e tretë për disa sektorë të goditur nga pandemia e koronavirusit, jo vetëm për turizmin. Sektori i turizmit është goditui dhe ndoshta meriton një paketë të vecantë që nuk ka lidhje për t’i krijuar privilegj të vecantë, por realisht sektori i turizmit dhe ekonomia të goditur nga Covid-19, kërkojnë masa më të forta nga qeveria.

Unë mendoj që pavarësisht përpjekjeve të jashtëzakonshme që ka bërë Klosi, ka një meritë të jashtëzakonshme, duke ardhur te paketa e tretë, së pari do të thoja që kreditë e marra sidomos nga kompanitë e turizmit duhet të krijohet mundësia edhe për një afat tjetër shtyrje. Shtyrje të principalit, sapo më njoftuan se ka një vendim të BSH për të shtyrë edhe tre muaj të tjera kreditë. Unë kam propozuar një vit shtyrjen e principalit, dhe kjo ka një logjikë. Biznesi paguan interesa, sepse të ardhurat do të zvogëlohen, biznesi ka patur vështirësi për të kthyer principalin edhe në kushte normale, para pandemisë. Sepse të kemi parasysh që turizmi ka pësuar dy goditje. Pësoi goditjen e tërmetit të 26 nëntorit, dhe goditja e dytë e pandemisë.

Kështu BSH bashkë me qeverinë mund të shohin një politikë lehtësuese, jo për t’i falur kreditë por për t’i shtyrë pricipalet e tyre, që e bëjnë të pamundur në këtë lidhen të ardhure që do të ketë industria e turizmit këtë vit është e pamundur t’i shlyejë kreditë në principal. E falenderoj guvernatorin për vendimin, ne do e shikojmë vendimin për shtyrje edhe me tre muaj të tjerë, nëse do kemi zhvillime pozitive edhe mund të qëndrojmë në këto nivele.

Sa i përket protokollit, ai është bërë me standarde europiane, s’ka gjë që nuk është prekur me detaje. Shumicën e tyre e bëjmë edhe pa patur pandemi, ruhet një higjienë edhe në mungesë të pandemisë, protokolli është të mos krijojmë frikë se duket sikur po hapim spital për Covid të ri dhe jo hotel.” -u shpreh Bregasi.

“Më tepër flas në Whatsapp me ministrin se me gruan”, kreu i sektorit të hoteleve: Të hapet rajoni. Bregasi: Qeveria duhet të ndihmojë më shumë

Zak Topuzi kryetar i sektorit të hoteleve deklaron se kërkesa kryesore e turizmit në këtë periudhë është hapja e rajonit duke theksuar se Kosova ka dhe pjesën më të madhe të turistëve. Topuzi tha se ky sektor i ka paraqitur kërkesat qeverisë dy muaj më parë dhe të njëjtat i janë parashtruar dhe opozitës. Ai shtoi se kontaktet me ministrin Klosi kanë qenë të shpeshta në këtë situatë.

“Ne këto kërkesa i kemi paraqitur dy muaj përpara. Po të njëjtat kërkesa që i kemi paraqitur qeverisë i kemi paraqitur dhe opozitës. Dua të sqaroj pozicionin me zotin Klosi, ka qenë një nga ministrat që kemi pasur më shumë komunikim. Më shumë flas në whatsapp me ministrin se me gruan time. Shkoj në 12 të natës në ministri. Ne nuk diskutojmë që masat e protokollit janë detyruese dhe nuk vijnë nga dëshira e qeverisë por po ndërmerret gjithandej. Folëm dhe për problemet në Itali e Greqi. Të gjithë po tentojnë për t’u hapur dhe sinjalet janë pozitive. Shqipëria do ketë një turizëm të vendit dhe një turizëm rajonal. Kërkesa që kemi paraqitur është hapja e rajonit, kryesisht Kosova, duke nisur dhe nga rekomandimet që vijnë dhe nga OBSH dhe nga ekspertët e udhëtimeve. 55-60% e turistëve vijnë me mjetet e ture nga zona e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Kjo ka qenë kërkesa jonë. Akoma nuk ka një hapje dhe një sinjal pozitiv nga OBSH”, tha Topuzi.

Ndërkohë kreu i Biznes Albania, Luan Bregasi duke folur për një paketë të tretë që duhet nga qeveria tha se kishte shumë mesazhe e pyetje nga kolegë e sipërmarrës gjatë emisionit që flisnin për një bashkëpunim shumë të mirë me ministrin Klosi por jo nga qeveria.

“Para 3 ditësh Biznes Albania ka dalë me një deklaratë për shtyp ku midis të tjerash ka kërkuar dhe hartimin e një pakete të tretë, sigurisht nuk e kemi thënë vetëm për sektorin e turizmit e kemi thënë për të gjithë sektorët e prekur nga COVID-19 por sigurisht sektori i turizmit është më i godituri dhe ndoshta meriton një paketë të veçantë që nuk ka lidhje për t’i krijuar ndonjë privilegj të veçantë sektorit të turizmit apo sektorëve të tjerë që janë goditur nga COVID-19 por realisht sektori i turizmit por edhe ekonomia e goditur kërkojnë masa më të forta nga qeveria shqiptare. Edhe mua më kanë shkruar mjaft, më kanë ardhur mjaft mesazhe si rrallë ndonjëherë. Me sa duket Sokoli paska ndjekës të fortë domethënë sepse kam qenë dhe në televizione të tjera por shumë sms më kanë ardhur nga sipërmarrës dhe meqenëse i bëmë një pyetje Klosit më thonë thuaj që ministri është i mirë por qeveria duhet të ndihmojë më shumë”, tha Bregasi.

“Po pra është ajo që zoti Klosi s’ma pranoi. Ti je ministër me marrëdhënie shumë të mirë por e ke çik kryeministrin kurnac”, shtoi Sokol Balla.

Turizmi dhe pandemia/ “Duhet të krijojmë besim tek konsumatori”, Klosi: Në fund të muajit presim chartera

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi e vë theksin tek krijimi i besimet tek konsumatorit. Duke folur për turizmin, një nga sektorët më të goditur nga pandemia e koronavirusit, Klosi tha në “Real Story” në News24 se në fund të muajit ose në fillim të qershorti nëse gjithçka shkon mirë do të ulen dhe charterat e parë.

“Në fund të muajit mund të presim chartera nga Çekia. Nëse do pranohet që në fund të muajit 2-3 qershor do kemi uljet e para të charterave. Të gjitha këto kanë të bëjnë se si do shkojë pandemia. Në periudhën e pranverës hotele të tjera, Prestige Resort janë plot. Në këtë periudhë duhet të ishin plot me pushues nga Kosova, Maqedonia e Veriut etj. Këtë vit çdo gjë është me 100 pikëpyetje. Në qoftë se do të përpiqemi të ruajmë situatën që kemi për lëvizjen e brendshme, për zonat e gjelbra, hapja e kufijve do rrezikojë. A jemi të gatshëm ta mbajmë këtë rrezik së bashku? Nuk është puna se a do të jemi ne në qetësi me veten tonë? A do të themi ne se Prestige Resort është 100 % i sigurt por a do besojë një turist nordik që të vijë dhe të pushojë në atë hotel. Mund të fillojë lehtësimi. Është një protokoll që operatorët turistikë kërkuan t’iu paraqiteshin partnerëve ndërkombëtarë që kjo është situata. Në qoftë se do kemi turistë nga Çekia dhe një turist do infektohet aty do kemi një situatë të vështirë.

Me masat që marrim ne duhet të krijojmë besim tek konsumatori. Institucionet shtetërore dhe komuniteti do të jemi së bashku. Do të jetë e vështirë nëse ndërpresim urat e komunikimit”, deklaroi Klosi.

Skip to toolbar