“Më tepër flas në Whatsapp me ministrin se me gruan”, kreu i sektorit të hoteleve: Të hapet rajoni. Bregasi: Qeveria duhet të ndihmojë më shumë

CORONAVIRUS


Zak Topuzi kryetar i sektorit të hoteleve deklaron se kërkesa kryesore e turizmit në këtë periudhë është hapja e rajonit duke theksuar se Kosova ka dhe pjesën më të madhe të turistëve. Topuzi tha se ky sektor i ka paraqitur kërkesat qeverisë dy muaj më parë dhe të njëjtat i janë parashtruar dhe opozitës. Ai shtoi se kontaktet me ministrin Klosi kanë qenë të shpeshta në këtë situatë.

“Ne këto kërkesa i kemi paraqitur dy muaj përpara. Po të njëjtat kërkesa që i kemi paraqitur qeverisë i kemi paraqitur dhe opozitës. Dua të sqaroj pozicionin me zotin Klosi, ka qenë një nga ministrat që kemi pasur më shumë komunikim. Më shumë flas në whatsapp me ministrin se me gruan time. Shkoj në 12 të natës në ministri. Ne nuk diskutojmë që masat e protokollit janë detyruese dhe nuk vijnë nga dëshira e qeverisë por po ndërmerret gjithandej. Folëm dhe për problemet në Itali e Greqi. Të gjithë po tentojnë për t’u hapur dhe sinjalet janë pozitive. Shqipëria do ketë një turizëm të vendit dhe një turizëm rajonal. Kërkesa që kemi paraqitur është hapja e rajonit, kryesisht Kosova, duke nisur dhe nga rekomandimet që vijnë dhe nga OBSH dhe nga ekspertët e udhëtimeve. 55-60% e turistëve vijnë me mjetet e ture nga zona e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Kjo ka qenë kërkesa jonë. Akoma nuk ka një hapje dhe një sinjal pozitiv nga OBSH”, tha Topuzi.


Ndërkohë kreu i Biznes Albania, Luan Bregasi duke folur për një paketë të tretë që duhet nga qeveria tha se kishte shumë mesazhe e pyetje nga kolegë e sipërmarrës gjatë emisionit që flisnin për një bashkëpunim shumë të mirë me ministrin Klosi por jo nga qeveria.

“Para 3 ditësh Biznes Albania ka dalë me një deklaratë për shtyp ku midis të tjerash ka kërkuar dhe hartimin e një pakete të tretë, sigurisht nuk e kemi thënë vetëm për sektorin e turizmit e kemi thënë për të gjithë sektorët e prekur nga COVID-19 por sigurisht sektori i turizmit është më i godituri dhe ndoshta meriton një paketë të veçantë që nuk ka lidhje për t’i krijuar ndonjë privilegj të veçantë sektorit të turizmit apo sektorëve të tjerë që janë goditur nga COVID-19 por realisht sektori i turizmit por edhe ekonomia e goditur kërkojnë masa më të forta nga qeveria shqiptare. Edhe mua më kanë shkruar mjaft, më kanë ardhur mjaft mesazhe si rrallë ndonjëherë. Me sa duket Sokoli paska ndjekës të fortë domethënë sepse kam qenë dhe në televizione të tjera por shumë sms më kanë ardhur nga sipërmarrës dhe meqenëse i bëmë një pyetje Klosit më thonë thuaj që ministri është i mirë por qeveria duhet të ndihmojë më shumë”, tha Bregasi.

“Po pra është ajo që zoti Klosi s’ma pranoi. Ti je ministër me marrëdhënie shumë të mirë por e ke çik kryeministrin kurnac”, shtoi Sokol Balla.




Skip to toolbar