Drejtoresha e spitalit: Foshnjat erdhën pa jetë, nuk ishin vizituar më parë

Drejtoresha e spitalit rajonal të Beratit, Edlira Shkëmbi, ka deklaruar se foshnjat kanë mbërritur pa jetë në spital dhe se nuk dihet nga se është shkaktuar vdekja e tyre dhe si ka qenë ecuria gjatë pesë muajve, pasi ato nuk ishin vizituar më parë në këtë spital. Duke iu përgjigjur interesit të mediave, Shkëmbi është shprehur se në momentin e mbërritjes në spital, binjakët kishin mbi një orë që kishin ndërruar jetë.

“Ditën e sotme rreth orës 10.00 në shërbimin e Pediatrisë u paraqitën dy fëmijë binjakë (djem) të moshës 4 deri 5 muaj banues në lagjen Uznovë, shoqëruar nga nëna e tyre. Mjeku pediatër referon se fëmijët ishin të dy pa shenja vitale në momentin që kanë ardhur në spital dhe mund të kishin 1 orë që mund të kishin vdekur. Në këto kushte, mjeku thjesht ka konfirmuar vdekjen pa pasur mundësi të jepte ndihmë mjekësore. Fëmijët nuk janë paraqitur më parë në spital për vizitë dhe nuk kemi informacion mbi historikun apo problematika për shëndetin e tyre. Fëmijët u transferuan në Morgun e Spitalit. Menjëherë u ftua mjekësia ligjore dhe policia për të gjetur shkakun e vdekjes”, tha drejtoresha e Spitalit të Beratit Edlira Shkëmbi.

Shefi pavijonit të Pediatrisë, Vladimir Kumaraku u shpreh për mediat shkaku i vdekjes së dy foshnjave është mister deri tani. Ai tha se prindërit i sollën pa shenja jete, ndërsa tani priten përgjigjet nga mjekësia ligjore.

“Dy fëmijët binjakë erdhën në repartin e Pediatrisë pa shenja jete, kishin filluar shenjat që vdekja ka ndodhur minuta përpara. U mbajtën në repart derisa erdhi policia e Beratit, drejtoria, mjekësia ligjore dhe pastaj filluam procedurat për shkakun. Është një ngjarje që na trondit të gjithëve, por shkaku mbetet enigmë. Ardhja e tyre ishte rreth orës 10:00 dhe u bënë të gjitha veprimet. U dërguan në morgun e spitalit, atje vijoi më pas procedura. Nuk kanë qenë fëmijë në ndjekje mjekësore deri në çastin e vdekjes, familjarët nuk paraqitën gjë konkrete, por i sollën pa shenja jete”, tha ai.

Protestat në Irak, 12 të vrarë dhe qindra të plagosur

Dymbëdhjetë persona u vranë dhe 230 të tjerë u plagosën në protestat në Irak gjatë tre ditëve të fundit, sipas Komisioni i Lartë i Pavarur për të Drejtat e Njeriut në Irak. Sipas CNN, nëntë protestues u vranë në kryeqytetin Bagdad dhe tre të tjerë në qytetin jugor të Nasiriyah, rreth 350 km në jug të Bagdadit.

Më shumë se 600 njerëz janë vrarë në demonstratat antiqeveritare që filluan në tetor. Dhjetëra forca të sigurisë irakiane përdorën municione dhe gaz lotsjellës ndërsa punuan për shpërndarjen e qindra protestuesve antiqeveritar në Sheshin al-Khalani, Bagdad.

Tragjike në Berat, dy foshnje ndërrojnë jetë, prindërit: U helmuan nga qumështi

Dy foshnje binjakë, vetëm 5-muajshe, kanë ndërruar jetë në kushte misterioze, duke shkaktuar tragjedi në familjen Agalliu në Berat, ndërkohë që prindërit kanë ngritur dyshimet se janë helmuar nga qumështi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së dielës, kur dy djemtë e vegjël kanë mbërritur të pajetë në Repartin e Pediatrisë të Spitalit Rajonal në Berat. Foshnjat me mbiemrin Agalliu janë dërguar në Morgun e spitalit, ku i janë nënshtruar autopsisë mjeko-ligjore.

Nga autopsia paraprake nuk ka rezultuar të ketë pasur shenja helmimi në trupin e fëmijëve edhe pse prindërit kanë pasur dyshime se fëmijët mund të jenë helmuar nga qumështi me kuti, me të cilin nëna i ushqente që nga dita e lindjes.

Mjekët e morgut të Beratit konfirmojnë se në trupin e dy foshnjave nuk ka pasur as shenja dhune. Ata dyshojnë se fëmijët mund të kenë gjetur vdekjen si pasojë e mungesës së ajrit në dhomë, ndërkohë që kanë dërguar për ekzaminim në Tiranë analizat dhe janë në pritje të përgjigjes së tyre për të zbuluar shkaqet e vdekjes.

Foshnjat binjake jetonin me prindërit Eduard dhe Merushe Agalliu dhe me motrën 6 vjeçe dhe vëllain 5 vjeç në një banesë dykatëshe në periferi të qytetit, në lagjen “Uznovë”. Kunata e Merushes, Natasha ka treguar për mediat se fëmijët ishin në gjendje të mirë shëndetësore në mëngjes dhe duke qenë se ishte ftohtë, e ëma i kishte zbritur në katin e parë ku ishte ndezur soba me dru.

Gjysmë ore më vonë ajo i kishte kërkuar kunatës të vinte të merrte fëmijët se do dilte, por në atë moment kanë vënë re që fëmijët nuk reagonin. Ajo pohon se i kanë dërguar menjëherë në spital, por fëmijët kishin ndërruar jetë. Natasha shprehet se fëmijët nuk ishin të sëmurë asnjëri prej tyre nuk kishte shfaqur shenja virozash apo temperaturë dhe askush nuk e kuptoi dot shkakun se përse vdiqën papritur foshnjat.

Tashmë, pritet ekspertiza e mjekëve ligjorë në Tiranë për të kuptuar nga se është shkaktuar vdekja e tyre, duke sjellë një tragjedi për familjen Agalliu, ku dyshimet kryesore lidhen me një mbytje të mundshme të tyre gjatë qëndrimit vetëm në dhomë, ose nga mungesa e ajrit për shkak të sobës së zjarrit, megjithëse nuk përjashtohen dhe pretendimet e ngritura nga prindërit për helmim.

Studentët shqiptarë në Kinë: Jemi mbyllur brenda, duam të kthehemi

Situata nga virusi nuk është alarmante vetëm në Kinë, por edhe në vende të tjera të botës për shkak të frikës së përhapjes, por edhe të njerëzve të shtetësive tjera që janë atje, mes tyre edhe shqiptarë.

Sefer Vrana është një student shqiptar, i cili ndodhet në provincën Guangdong. Ai shprehet për mediat shqiptare se është mbyllur në shtëpi për shkak të frikës, pasi lëvizja është me risk të lartë. Epiqendra e virusit është provinca e Wuhan-it, ku sipas burimeve nga Ministria e Jashtme kanë qenë katër studentë shqiptarë, por për momentin ndodhet vetëm një vajzë, e cila nuk është infektuar, teksa tre të tjerët janë larguar pak ditë më parë. Për virusin ka marrë masa edhe Shqipëria duke vendosur pajisje në aeroport për kontroll. “Unë kam marrë një masë vetjake, mbyllja në shtëpi për të mos u prekur nga virusi. Ka edhe njerëz që dalin, por në momentin që dilet jashtë duhet vendosur maska. Lëvizja nga këtu në Shqipëri mendoj se do të ishte me risk, pasi kalimi në aeroporte dhe trena është mundësi për t’u prekur. Mbyllja në shtëpi dhe pritja derisa shteti të bëjë dezinfektimin është hapi më i mirë. Sepse është një shtet i madh i fuqishëm dhe mendoj se do të bëjë kurimin”, shprehet studenti Vrana.

Ndërsa Silva Doçi është studente doktorante në vitin e katërt në Universitetin e Kinës Qendrore, në Wuhan, pikërisht në qytetin kinez ka shpërthyer epidemia nga virusi Coronavirus. Ajo lajmëron se nuk ka asnjë problem me shëndetin dhe kampusi ku ajo është nuk ka të prekur. Ka shërbime nga autoritetet shëndetësore dhe qeverisëse në çdo kohë dhe është në komunikim të vazhdueshëm më Ambasadën shqiptare në Pekin, duke kërkuar një mundësi kthimi. Silva shprehet se rastësisht ka qëlluar te jetë me grip dhe ky shqetësim shëndetësor e ka detyruar të bëjë kontrollet e duhura. “Jemi të shqetësuar dhe stresuar. Universiteti na ka këshilluar të mos lëvizim ndërkohë që ka një gatishmëri absolute. Kam shkuar dhe kam bërë analiza dhe përgjigjet rezultojnë se nuk kam asgjë që të më bëjë mua dhe mjekëve të dyshojmë për asgjë që ka lidhje me virusin. Nëpër klinika dhe spitale ka një fluks të madh njerëzish të cilët kryejnë kontrollet shëndetësore për të siguruar  për gjendjen e tyre në raport me epideminë që ka shpërthyer. Kam qenë në kontakt me Ambasadën dhe vazhdoj të jem, ata më kanë mirëpritur dhe kanë treguar kujdes për të më këshilluar apo mundësuar komunikimet e duhura në çdo kohë. Unë kam dëshirë të kthehem, gjë që e kisha parashikuar dhe më herët, për arsyet e mia, por për momentin është një proces i vështirë  që mbase mund të zgjasë. Analizat dolën shumë të mira, thjeshtë një grip normal i stinës e paprekur nga virusi. Është patjetër e nevojshme edhe skaneri i mushkërive edhe i gjithë trupit, pastaj nëse këto të dyja dalin të dyshuara ka edhe disa analiza të tjera që duhen bërë më vonë”, shprehet Silva për mediat shqiptare.

Vendimi, ekspertizë e thelluar për banesat e dëmtuara rëndë nga tërmeti

Qeveria ka vendosur që të bëhet një akt-ekspertizë e thelluar për të gjitha banesat e dëmtuara më rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit. Në Fletoren Zyrtare është publikuar dje vendimi i qeverisë, i marrë në 15 janar, që përcakton kryerjen e akt-ekspertizës së thelluar për banesat e dëmtuara më rëndë, ku oponencë do të bëjë mbi këto akte Instituti i Ndërtimit.

Sipas këtij vendimi, njësitë e vetëqeverisjes vendore ose autoritetet përgjegjëse shtetërore do të kryejnë akt-ekspertizë të thelluar për të gjitha objektet për të cilat kërkohet një rivlerësim më i thelluar, mbështetur në akt-konstatimet ose akt-vlerësimet paraprake të Institutit të Ndërtimit apo të grupeve përkatëse të inspektimit.

“Akt-ekspertiza e thelluar i vihet në dispozicion Institutit të Ndërtimit për kryerjen e oponencës. Instituti i Ndërtimit jep opinionin e tij, i cili mbizotëron mbi akt-ekspertizën e thelluar dhe zbatohet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore ose autoritetet përgjegjëse”, thuhet në vendim.

Po ashtu, në vendim përcaktohen edhe tarifat për kryerjen e akt-ekspertizës së thelluar për objektet, publike ose private, që janë klasifikuar me shkallë dëmtueshmërie DS4 dhe DS5.

Për objektet pa projekt teknik, vendimi parashikon realizimin e dokumentimit gjeometrik dhe teknik të strukturës së objektit, që përfshin realizimin detajimit gjeometrik, planeve të strukturave dhe të dimensionimeve gjeometrike të elementeve strukturale; projektimit simulues dhe studimit gjeologjik dhe projektit simulues të themeleve. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe Instituti i Ndërtimit për zbatimin e këtij vendimi.

Tiranë, shpërthim në një pikë shitjesh të bombolave të gazit

Një pikë shitjesh e bombolave të gazit në kryeqytet është përfshirë nga zjarri pasditen e së dielës. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Myslym Shyri” dhe shkak është bërë shpërthimi i një prej bombolave për shkak të rrjedhjes së gazit.

Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë forcat zjarrfikëse, ndërsa flakët rrezikuan disa automjete dhe ndërtesa që ndodheshin përreth. Nga burimet policore mësohet se nuk ka të lënduar në njerëz. Aktualisht nuk dihen rrethanat e shpërthimit, ndërkohë policia ka nisur hetimet.

Hajdutët bëjnë kërdinë në banesat e pabanuara nga tërmeti

Vjedhjet e banesave në godinat e dëmtuara nga tërmeti i datës 26 nëntor vazhdojnë të mbeten shqetësim në Durrës. Rasti më i fundit është shënuar në lagjen 18 të këtij qyteti, në pallatin fqinj me godinën e banimit, ku humbën jetën shtatë persona nga familjet Reçi e Karanxha. Hajdutët kanë hyrë në një nga apartamentet, duke thyer derën e blinduar dhe duke marrë prej saj shumë nga orenditë.

“Kanë marrë të gjitha orenditë që na duhen. Tentoj tani të hap derën dhe shikoj se dera u hap direkt. Shuli i derës ishte në vend, siç hapet normalisht, e shtyj derën pash që kasat ishin të thyera. Vajta direkt tek dera e djalit dhe nuses, të gjitha gjërat ishin shkatërruar, se djali sa ishte martuar. Ende nuk e dimë se çfarë kishin marrë. Shtëpia është e re. U larguam nga tërmeti si gjithë banorët e tjerë”, shprehet një nga banorët.

Më herët edhe banorët e një kompleksi pallatesh denoncuan vjedhjet ndërsa hajdutët kanë shfrytëzuar situatën pasi rreth 280 banorë kishin lënë shtëpitë e tyre, duke lënë në to sende dhe shtëpiake me vlerë.

Dajti dhe Dokle, 7 deputetë kërkojnë interpelancë me Gjonajn për burgjet

Situata e krijuar me shkarkimet pas lejimit të Dritan Dajtit të kryejë vizitë në një klinikë private okulistike në Bllok, por dhe shkarkimet në Krujë pas lirimit të Indrit Dokles kanë bërë që opozita parlamentare të kërkojë interpelancë me ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Shtatë deputetë të opozitës së re, kërkojnë me anë të një interpelance urgjente llogari nga ministrja Etilda Gjonaj për situatën e krijuar së fundmi me të burgosurit, transferimet e tyre si dhe masat që kanë çuar në shkarkimin e disa zyrtarëve në burgje. Sipas kërkesës së depozituar në Kuvend, deputetët kanë parashtruar 6 pika, duke filluar nga situata e rënduar në burgje lidhur me administratën dhe të burgosurit; shkeljet e bëra gjatë emërimeve, lirimeve dhe transferimeve të drejtuesve të IEVP-ve, drejtuesve në DPB dhe vartësve dhe mosrespektimi i të drejtave të të burgosurve gjatë lejeve dhe transferimit të tyre. Po ashtu, deputetët kërkojnë sqarime për shkarkimin e drejtorit të policisë së burgjeve dhe drejtorit të IEVP-së Peqin. Firmëtarë janë shtatë deputetët Lefter Maliqi, Suzana Topi, Artur Roshi, Besnik Troplini, Ramadan Gjuzi, Koçi Tahiri dhe Andi Përmeti.

Kryesuesi i interpelancës do të jetë ish-vartësi i Gjonajt, Lefter Maliqi i cili për disa kohë mbajti dhe postin e zëvendësdrejtorit të burgjeve para se të merrte mandatin e deputetit.

Zbardhet vendimi për Doklen: Ai u edukua në burg dhe është gati për liri

Endrit Dokle është edukuar e ndërgjegjësuar gjatë qëndrimit në qeli nga viti 2005 deri në janar 2020 dhe është i gatshëm të riintegrohet në shoqëri. Ky është thelbi i arsyetimit të Gjykatës së Krujës në vendimin që pranoi lirimin nga qelia të ish-anëtarit të “bandës së Durrësit”. Sipas vendimit të gjyqtares Enkeleda Hoxha, pranimi i lirimit me kusht të Dokles është bazuar në raportin vlerësues të Drejtorisë së Burgut Fushë-Krujë, për sjelljen e tij në qeli, si edhe në raportin e Zyrës së Shërbimit të Provës Krujë. 

“I dënuari, përsa i përket qëndrimit ndaj veprës penale dhe viktimës, është i penduar. I dënuari nuk ka konsumuar më parë vepër tjetër penale. Gjendja fizike dhe psikologjike e të dënuarit është jo e mirë. Sjellja e tij në institucionin tonë e bazuar nga kontaktet dhe dosja e tij personale është shumë e mirë”, lexohet në raportin e Drejtorisë së Burgut Fushë-Krujë.

Nxjerrja nga qelia e të dënuarit me burgim të përjetshëm i është rekomanduar gjykatës edhe nga Zyra e Shërbimit të Provës. “Koha e kaluar i mbyllur dhe larg familjes, e ka bërë të reflektojë shumë se pasojat e ardhura nga veprat penale në jetën e tij janë shumë të rënda dhe kurrsesi nuk e percepton ripërjetimin e një situate të tillë. Ai reflekton brejtje të ndërgjegjes për të gjitha pasojat e sjella në familje dhe jashtë saj. I dënuari ka shfaqur pendim të thellë për veprën penale, për të cilën është dënuar”, lexohet në raportin e Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës Krujë. Pikërisht kjo ka qenë dhe arsyeja që ministrja e Drejtësisë vendosi shkarkimit e drejtorit të burgut dhe kreut të shërbimit të provës, duke kërkuar ndjekje penale për ta.

Përveç faktit se dënimi i vuajtur kishte arritur ta edukonte Doklen, gjyqtarja Hoxha ka marrë për bazë edhe problemet depresive të të dënuarit, babanë e tij të sëmurë, kontratën e punësimit të tij në një pike ndërtimi, si edhe disa vendime të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, për të vlerësuar se kërkesa e tij për liri ishte e bazuar në ligj dhe në prova.

Rama, takim me Merkel para konferencës së donatorëve

Kreu i qeverisë, Edi Rama është nisur për një vizitë zyrtare në Gjermani, ku do të takohet me kancelaren Merkel para konferencës së donatorëve për pasojat tragjike të tërmetit të 26 nëntorit. Udhëtimin për në Gjermani e ka bërë publik vetë Rama me anë të postimit të një fotoje në një nga avionët me të cilin po udhëton për në Gjermani.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama shkruan se është nisur për në Berlin dhe do takohet me Kancelaren Angela Merkel, për të biseduar me të për Konferencën e Donatorëve.

 “Për në Berlin për takimin me Kancelaren Merkel, enkas për Programin e Rindërtimit në vigjilje të Konferencës së Donatorëve, që do të mbahet në Bruksel më 17 shkurt ”, shkruan Rama. Po ashtu, kreu i qeverisë pritet të diskutojë me Merkel dhe mbi çështjen e negociatave pas vendimit për mos hapjen e tyre në tetor të vitit që lamë pas.

Skip to toolbar