U vra me plumb në kokë, kush është 45-vjeçari

Mediat në vendin fqinj, kanë zbardhur identitetin e shqiptarit që u ekzekutua në mënyrë mafioze mbrëmjen e të shtunës në rrethin Nuovo Salario-Fidene në Romë. Bëhet fjalë për shetasin Gentian Kasa, i cili humbi jetën pas një atentati mafioz.

Mediat në Itali shkruajnë se Kasa ishte duke u kthyer në qelinë e vuajtjes së dënimit, pasi kishte dalë me leje për të takuar familjen. Por, në momentin që doli nga shtëpia, ai u qëllua me një plumb në kokë dhe një në gjoks.

Kasa ishte arrestuar dhe dënuar në vitin 2011 për trafik droge. Kjo është dhe pista në të cilën po heton policia e vendit fqinj, për të shkuar në gjurmët e autorëve të vrasjes.

Gentian Kasa u vra në një zonë ku ka aktivitet të lartë kriminal të trafikut të drogës, e që kontrollohet nga bandat shqiptare.

Kapet në Korçë mashtruesi i dënuar 3 herë. Policia i gjen armë të ftohta

Policia e Korçës arrestoi një person i kërkuar nga të paktën katër Drejtori Vendore të Policisë së Shtetit, pasi ishte dënuar nga tre gjykata të ndryshme. Bëhet fjalë për shetasin Liridon Salihi, 31-vjeç nga Gjilani i Kosovës, i dënuar më parë për veprën penale “Mashtrimi”.

Shtetasi i mësipërm rezulton i shpallur në kërkim në qarqet Vlorë, Elbasan, Tiranë e Fier, për veprën penale “Mashtrimi” si më poshtë: Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar me 2 vjet burg, pasi nëpërmjet mashtrimit që u ka bërë dy personave (në kohë të ndryshme) dyshohet se ka përfituar një shumë mbi 10000 euro.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës, e cila ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën “Mashtrimi, kryer në bashkëpunim”.  Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, pasi ky shtetas në disa raste ka përfituar me anë të mashtrimit shuma parash duke shituar mjete të marra me qira.

Po ndaj këtij shtetasi po zhvillohen hetime edhe nga Seksioni për Krimin Ekonomik-Financiar në DVP-Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë, pasi ky shtetas, me anë të mashtrimit ka përfituar nga një shtetas në Levan të Fierit, një shumë prej 850.000 lekësh. Shtetasi L. S., në momentin kur shërbimet e Policisë në lagjen nr. 9, i kanë kërkuar të ndalonte, nuk i është bindur urdhrit të tyre dhe ka tentuar të largohet me mjetin tip “Benz”, por u neutralizua dhe u vu në pranga.

Gjatë kontrollit fizik ndaj tij, iu gjet 1 kartë identiteti shqiptare e dyshuar si e falsifikuar, si dhe në mjet iu gjet 1 thikë dhe 1 sopatë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Tirana do të pilotojë Shërbimin Vullnetar të Zjarrfikësve

Për herë të parë në vendin tonë, do të pilotohet shërbimi vullnetar i zjarrfikësve. Lajmin e dha kryebashkiaku Erion Veliaj, që priti në një takim Presidentin e shoqatës Austri Shqipëri, Wolfgang Grossruck, si dhe një grup ekspertësh për të ndihmuar jo vetëm në hartimin e një legjislacioni që mbështet shërbimin vullnetar të zjarrfikësve dhe në zbatimin e tij.

“Jam shumë i lumtur që një mik i Shqipërisë, z. Grossruck, por edhe një ish-kryetar bashkie dhe një politikan karriere, që drejton shoqatën tonë të miqësisë, na ka sjellë disa nga kolegët me më shumë eksperiencë në çështjet e zjarrfikësve”, u shpreh Veliaj.

Presidenti i shoqatës Austri-Shqipëri, Wolfgang Grossruck u shpreh se Tirana ka ndryshuar shumë që nga vizita e tij e parë, duke përgëzuar kryebashkiakun Veliaj për punën.

“Mendoj se është e domosdoshme, jo vetëm për sigurinë dhe luftën kundër zjarrit, por gjithashtu edhe për shoqërinë civile. Ne do të bëjmë më të mirën tonë, si dhe shpresojmë dhe jemi të bindur që do të na mbështesni me gjithë forcën tuaj. I uroj qytetarët e Tiranës, kam qenë këtu 25 vjet më parë dhe qyteti është zhvilluar në mënyrë të jashtëzakonshme. Ju uroj më të mirën për të ardhmen”, tha Grossruck.

“Kostot janë mbi 1 miliard euro”. Rama: Tre shtyllat e financimit për rindërtimin

Gjatë prezantimit të platformës online, ku qytetarët e prekur nga tërmeti do të kenë mundësi të aplikojnë për programin e rindërtimit, Rama bëri të ditur se shifra e përllogaritur e dëmeve deri më tani është 1 miliard euro. Megjithatë, kreu i qeverisë sqaroi se shifra për rindërtimin e banesave të reja është më pak se 1 miliard euro. Sipas kryeministrit, në shumën totale, janë llogaritur edhe kostot që tërmeti ka shkaktuar në sektorë të tjerë të ekonomisë.

“Aspekt tjetër i rëndësishëm është ai i financimit. Me BE, OKB, BB, kemi punuar dhe jemi në prag të finalizimit të raportit të dëmeve. Nga të dhënat e deritanishme jemi mbi 1 miliard euro dhe raporti final do bëhet zyrtar e publik më 4 shkurt. Kostot e të gjithë këtij raporti nuk janë vetëm kostot e dëmeve në banesa, por kemi shkuar te dëmet e shkaktuara në sektorët e ekonomisë. Pra dëmet që i ka sjellë tërmeti një sektori të ekonomisë, duke ngadalësuar sektorin”, tha Kryeministri Rama.

Më tej, ai tregoi edhe tre format e financimit për programin e rindërtimit, ku një pjesë do të sigurohet nga buxheti i shtetit, një pjesë nga donatorët, dhe një pjesë nga një plan, për të cilin Kryeministri nuk dha detaje.

“Masa që duhet të garantojmë për qytetarët është më pak se 1 miliard, por është më shumë se mundësitë tona aktuale dhe për këtë arsye ne kemi vendosur vëmendjen në tre drejtime, së pari: garantimi i një pjese të konsiderueshme të financimit për rindërtimin me buxhetin tonë, një pjesë  nga financimi ndërkombëtar. Ne nuk presim nga konferenca e donatorëve që të derdhen miliarda, por presim të kemi një volum plus për rindërtimin. E treta, ne po punojmë për disa alternativa të reja politike dhe operacione financiare, që do të na mundësojnë që të mbajmë zotimin”, theksoi Rama.

Rindërtimi, Rama fton opozitën: Denonconi abuzuesit, do ndëshkohen rëndë

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në prezantimin e platformës online për aplikimin në programin e rindërtimit, u shpreh se në këtë program janë përfshirë edhe qytetarët të cilët nuk humbën shtëpinë. Rama tha se janë identifikuar në kohë rekord zonat për ndërtimin e banesave të reja në zonat e prekura nga tërmeti. “Sot 2 muaj nga tragjedia e tërmetit. Kërkojmë durim nga qytetarët, po punohet pa orar. Në këto 60 ditë kemi bërë një volum pune shembullor. Programi s’adreson vetëm ata humbën shtëpinë, por dhe të dëmtuarit. Pasi janë identifikuar në kohë rekord, zonat e rindërtimit, se duam të krijojmë një situatë të re, që në aspektin e familjes për të marrë një shtëpi më të mirë se ajo që kishte, në 95% të rasteve, se ka ca që i kanë pasur shumë të mira, dhe do ua bëjmë” , tha Rama.

Rama shtoi më tej, se qytetarët që do të zhvendosen në shtëpitë e reja, do të përfitojnë banesë në pronën e shtetit, ndërsa prona në shtëpitë që u prekën do t`u mbetet gjithashtu atyre. “Duam të krijojmë komunitete dhe për këtë ka pasur angazhim nga kryetarët e bashkive, që të komunikohet banorëve në zonat rurale dhe t’u bëhet e qartë se ka një avantazh të madh që të s’postojmë shtëpitë ekzistuese nga rrënojat e shtëpive ekzistuese në qendërza që krijojnë komunitet. Prona në shtëpitë e tyre që janë prekur mbetet e tyre. Ata do të marrin shtëpitë e tyre, në një pronë që s’është e tyre. Do të përfitojnë pronë. Nuk do të humbasin pronë. Do të përfitojnë në çdo aspekt, sepse nëse sot i kanë shtëpitë me distancë nga shërbimet dhe duhet që e gjithë famija të angazhohet që për të shkuar në shkollë fëmijët, deri tek të moshuarit që duan të shkojnë në spital, duke u afruar kanë mundësi të tyre. Toka e tyre në zonat rurale do të vazhdojnë ta punojnë. S’ka pse të zhvendoset e gjithë familja”, u shpreh Kryeministri.

Gjithashtu, kryeministri u shpreh se banesat e reja do të jenë më të sigurta. Ai tha se do të ndërtohen duke zbatuar të gjitha parametrat e rindërtimit, për të siguruar cilësi jete. “Duhet identifikuar zonat, për të parë me nikoqirllëk, për të mos shkuar në zona private për të mos bërë shpronësime, por në zona publike, por nuk është e thjeshtë se ç’po heqim. Përtej aspektit të bazës ligjore dhe të planifikimit, qëndron aspekti i garantimit të të gjithë parametrave të rindërtimit. Parametrat e ndërtimit do të jenë të padiskutueshme. Që të jenë anti sizmike, që nëse ndodh në të ardhmen një lëkundje e fortë, shtëpitë të jenë shumë herë rezistente dhe të garantojnë cilësi jete. Dhe në zonat urbane ku do ndërtojmë blloqe banimi, të jenë shembullore të të gjithë parametrave”, tha Rama.

Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje personave përgjegjës që do të merren me aplikimin e qytetarëve për programin e rindërtimit, që të shmangin abuzimet. Rama tha se do të ndëshkohet çdokush që aplikon për banesë në programin e rindërtimit, por që nuk është prekur nga tërmeti. Gjithashtu, kryeministri u drejtoi një apel edhe zyrtarëve, të cilët i paralajmëroi se duhet të bëjnë kujdes në këtë aspekt, pasi sipas tij, një grup i posaçëm do të merret me verifikimin në terren të abuzimeve. Në këtë pikë, Rama ftoi dhe opozitën për të bërë denoncime. “Kemi ndërtuar një grup që nuk e njeh asnjë njeri, që do të vëzhgojë procesin e rindërtimit dhe abuzimet. Këtu e ftoj opozitën të vëri ulërimën për çdo rast abuzimi”, tha ndër të tjera Rama.

Ahmetaj: Në 10 mars nisim rindërtimin

Ministria e Rindërtimit prezantoi të dielën platformën online, ku qytetarët që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit do të aplikojnë për të përfituar nga programi i rindërtimit. Ministri Arben Ahmetaj prezantoi në mënyrë të detajuar platformën, e cila do të jetë e hapur për qytetarët në datën 29 janar. Ministri shtoi se për aplikimin do të ketë afat për 30 ditë. Ahmetaj u shpreh se në çdo bashki, që u prek nga tërmeti, do të ketë një zyrë të posaçme ku punonjës të trajnuar do të plotësojnë aplikimin për qytetarët e prekur nga tërmeti.

“”Nga e mërkura do duhet të ketë në çdo bashki nga një zyrë, ku jo qytetarët duhet të vijnë tek ju, por të merrni qytetarët për të bërë aplikimin online. Platforma bazohet në vetë deklarimin e qytetarëve. Do të deklarojnë dëmet. Të gjitha Bashkitë do të dërgojnë tre persona që do trajnohen nesër në orën 11:00, procesin e aplikimit. Që të kenë të saktë zonën, sipërfaqen e banesës. Kryetari i njësisë administrative do e marrë me shkrim, njësia administrative e hedh online. Aty ku qytetari ju jep të drejtën të mblidhi dokumentacionin vetë, atëherë do ia merrni ju. Është detyra juaj. Kemi bërë një manual të detajuar.

Fillon vlerësimi dhe apelimi, brenda fazës së dytë. Për 30 ditë duhet të ketë mbaruar aplikimi me dosjet e shoqëruara. S’ka të bëjë të ketë akt pronësie. Çdo njëri nga ne ka një dokument të tillë në lidhje me pronësinë, përveç atyre që nuk kanë filluar procesin e legalizimit dhe s’kanë asnjë dokument. Në bazë të saj, do ta shikoni që dy janë programet kryesore. Rindërtimi, pallate dhe banesa private. Rikonstruksioni.

Do të ketë një sistem pikëzimi që do të bëhet automatikisht online dhe ku banesat më prioritare do të ndërtohen të parat. Bëhet në mënyrë automatike. Më 6 shkurt mbaron procesi në Entin e banesave e prokurimit për modelet modulare, por që janë anti sizmike euro-kod. 7-10, njësitë e autorizuara do të hapin prokurimet për njësitë individuale. Në datën 10 mars ne shpresojmë të kemi kompanitë e para për ndërtimin”, tha  ndër të tjera Ahmetaj.

Kokaina me vlerë 50 milionë euro, Policia e Shtetit tregon rolin që pati në operacion

Policia greke finalizoi një operacion të madh kundër drogës të shtunën, duke sekuestruar një sasi prej 1181 kg kokainë e pastër, vlera e së cilës llogaritej në mbi 50 milionë euro. Në pranga u vunë disa shtetas shqiptarë, të njohur për aktivitetin e tyre kriminal në Greqi. Operacioni i bujshëm nuk ishte vetëm rezultat i hetimeve të autoriteve ligjzbatuese greke.

Në të, veç DEA-s amerikane, që dha e para sinjalin për zbulimin e drogës, është përfshirë dhe Policia e Shtetit Shqiptar. Në një komunikatë për shtyp, Policia e Shtetit tregoi rolin që pati në këtë aksion, duke u shprehur se luajti rol të rëndësishëm e të drejtpërdrejtë me hetime proaktive.

“Në këtë operacion Policia e Shtetit shqiptar mori pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë me hetime pro-aktive që u zhvilluan duke dhënë një ndihmesë dhe kontribut në  identifikimin e personave të organizatës, roleve te tyre individuale dhe në mënyrën e funksionimit të  organizatës kriminale, gjë që na mundësoi të identifikohen dhe konstatohej plotësisht përbërja dhe veprimtaria e saj.

Operacioni është në vijim dhe Policia e Shtetit është duke kryer detyrat e saj në  bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët që janë përfshirë në këtë operacion  për identifikimin e persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, thuhet në komunikatë.

Zbardhet emri i efektives që iu vu tritol në banesë

Të tjera detaje dalin në dritë nga ngjarja e rëndë në qytetin e Durrësit, ku mjetit të një punonjëse policie iu vu tritol. Balkanweb zbardhi emrin e punonjëses së policisë, ajo është Ornela Buraku, në oborrin e të cilës shpërtheu mbrëmjen e të shtunës një sasi tritoli.

Në deklarimet e saj për ngjarjen, punonjësja e policisë është shprehur se nuk ka konoflikte apo me ndonjë person tjetër. Pista e parë që po heton grupi hetimor lidhet me detyrën e saj. Ornela Buraku është punonjëse në polici prej 17 vjetësh, ndërsa deri më tani janë shoqëruar 10 persona për t`u marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen.

Shpërthimi i së shtunës në oborrin e banesës së polices ka qenë i fuqishëm, aq sa është dëgjuar në shumë lagje të qytetit të Durrësit. Persona të paidentifikuar kanë hedhur lëndën plasëse nga muri rrethues i banesës pranë mjetit tip “Audi” të punonjëses së policisë. Fatmirësisht nga sulmi ka pasur vetëm dëme materiale.

Doli nga burgu të takonte gruan, vritet shqiptari

Një 45-vjeçar shqiptar është vrarë në Itali mbrëmjen e të shtunës. Ngjarja ndodhi në Romë rreth orës 11:30, ndërsa mediat raportojnë se burri është një shtetas me kombësi shqiptare. Ai është qëlluar me një plumb në gjoks dhe një në kokë.

Ai kishte dalë me leje nga burgu për të takuar gruan e tij, ndërsa është qëlluar pasi po kthehej për në qeli. Vrasja ndodhi në mes të rrugës, pak pasi 45-vjeçari doli nga dera e shtëpisë për t`u kthyer në qeli në burgun e Rebibbia. Viktima, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur, ishte me precendent penal.

Ai po vuante një dënim prej vitesh në burgun e Rebibbia, ndërsa mediat italiane raportojnë se ishte në ditët e fundit të dënimit. Hetuesit po përpiqen të zbardhin vrasjen, ndërsa dyshimet e para lidhen me të shkuarën e 45-vjeçarit.

Koronavirusi, francezët ulin frikën e epidemisë në Evropë

Rrjeti europian televiziv, “Euronews”, raportoi të dielën në mëngjes se “Zyrtarët francezë të shëndetësisë ulin frikën për një epidemi europiane të koronavirusit”. Sipas zyrtarëve francezë, tre personat e diagnostikuar me koronavirus, një në Bordo dhe dy në Paris, po bënin “shumë mirë” dhe se frika për një epidemi evropiane të sëmundjes vdekjeprurëse ishte e parakohshme. Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm Francez i Shëndetit Jerome Salomon tha se tre pacientët “ishin të sigurt”.

Ndërkohë mjeku që po trajton dy rastet në Paris tha se sëmundja shfaqej më pak serioze sesa shpërthimet e të kaluarës, raportoi AP. Doktor Jezdan Yazdanpaneh tha që të dy pacientët në Spitalin Bichat-Claude Bernard të Parisit janë një çift nga Wuhan, ku u zbulua fillimisht sëmundja virale e frymëmarrjes.

Burri 31 vjeç dhe gruaja 30-vjeçare mbërritën në Francë në 18 Janar pa simptoma, por njëri prej tyre shfaqi simptoma ditën tjetër dhe pasoi te personi tjetër, tha mjeku. Të dy po qëndrojnë në dhoma të veçanta, dhe po shkojnë mirë, fizikisht dhe psikologjikisht, tha Yazdanpaneh.

Duke filluar nga e diela, ekipet mjekësore do të jenë në aeroportet e Francës, veçanërisht aeroportin Charles de Gaulle në Paris, për të ndihmuar pasagjerët që vijnë nga qytete të ndryshme kineze me pyetje, shqetësime ose nevoja mjekësore, tha shefi i shëndetësisë Salomon.

Pothuajse dy mijë raste janë konfirmuar në Kinë, me 56 vdekje në provincën Hubei, epiqendra e shpërthimit. Diku tjetër, Australia njoftoi rastin e parë të Shtunën, një burrë kinez në të 50-at që javën e kaluar u kthye nga Kina. Kanadaja gjithashtu konfirmoi rastin e saj të parë të Shtunën. Një burrë së fundmi fluturoi nga Wuhan në Guangzhou, dhe më pas në Toronto në 23 janar. Tani ai është në gjendje të qëndrueshme në izolim dhe u shtrua në spital një ditë pas fluturimit të tij në Toronto.

Skip to toolbar