Shtëpi të re për familjen në Gramsh, Rama: Pa gratë, jemi shkop i thatë

Brenda një viti ka ndryshuar si nata me ditën jetesa për familjen e Kujtim Sharkut në fshatin Pishaj në Gramsh, pasi banesa e tyre e rrënuar plotësisht u rikonstruktua me iniciativë të kryeministrit Edi Rama, që të enjten ishte i pranishëm për të dorëzuar çelësat e shtëpisë së re. Kreu i qeverisë tha se do të bëjë një inventar të familjeve në nevojë për t’i ndihmuar përmes vullnetarëve.

“Në këto shtëpi që kemi ndërtuar dhe që ka të tjera dhe që do i bëjmë, gjithë fjala “nuk kemi”, ia ka lënë vendin fjalës “dua të mësoj”, pa harruar nga jemi nisur. Topi të argëton por nuk të çon larg, mendoja të çon larg. Tani po bëjmë një inventar të këtyre situatave dhe do të vijojmë më shumë. Kemi disa ide të reja për të bashkëpunuar me këto grupet e vullnetarëve për t’u dhënë mundësi edhe të tjerëve për të dalë nga këto situata të tmerrshme. Ne nuk duam qoftë që edhe një familje e vetme të mbetet mbrapa për të pasur kushtet normale”, u shpreh Rama. Sipas tij, mazhoranca e bën atë që thotë, edhe pse jo gjithmonë në kohë, pasi nuk mund të parashikohen të gjitha.

Në fund, në momentin e largimit nga banesa nuk munguan edhe batutat nga kryeministri, që u shpreh se “Gratë janë në fillim, pa gratë ne jemi shkop i thatë”. Ndërkohë, statusin e tij e mbyll me një thënie të Nënë Terezës “Më mirë se të mallkosh errësirën, përpiqu të ndezësh një qiri”.

Familja Sharku, e cila është në skemën e ndihmës ekonomike, tashmë ka një strehë të vërtetë. Fëmijët e familjes, në këtë fillim viti të ri shkollor do të marrin edhe librat falas pas nismës së qeverisë për shpërndarjen e librave falas për të gjithë fëmijët në vend.

https://www.facebook.com/official.Tekste/videos/397523997547762/

Francë, gjeli fiton gjyqin, mund të këndojë çdo mëngjes

Gjykata franceze i ka dhënë fund debatit të madh, sa qesharak aq edhe të çuditshëm për ankesat që ishin bërë ndaj gjelit të quajtur “Maurice”, duke i dhënë të drejtë atij të këndojë që në orët e para të mëngjesit. Fqinjët e pronares së gjelit e kishin hedhur në gjyq, por tashmë ata duhet të paguajnë një dëmshpërblim prej një mijë eurosh plus interesat. Maurice mund të vazhdojë të këndojë çdo mëngjes duke zgjuar francezët në komunën e Sant–Pier–D’oleron.

Vendimi është marrë nga gjykata e qytezës, e cila refuzoi kërkesën e një fqinji të pronares së gjelit. Ai ankohej për zgjimin e hershëm dhe kërkonte një mijë euro dëmshpërblim me interesa. Pronarja e gjelit Corinne Fesseau u shpreh shumë e lumtur pas vendimit duke thënë se Maurice fitoi. Tashmë janë fqinjët ata që duhet të paguajnë dëmshpërblim.

Sipas avokates së pronares, çështja u fitua pasi sipas ligjeve franceze duhet të dëshmohet me fakte një ngacmim dhe një gjë e tillë nuk u bë e mundur nga fqinjët.

Avokatja ka shkuar dhe më parë duke propozuar që të hartohej një ligj i veçantë për mbrojtjen e kafshëve shtëpiake, duke i vënë dhe emrin e gjelit maurice. Denoncimi i parë u bë nga një çift pensionistësh sipas të cilëve gjeli këndonte shumë herët në mëngjes dhe shumë pranë shtëpisë së tyre.

Pronarja përgatiti një strehë të veçantë dhe të errët që të ndalonte gjelin të kuptonte se po zbardhte dita, por asgjë nuk e ndaloi Maurice të këndonte sapo dilnin rrezet e para të diellit. Çështja e veçantë u raportua nga shumë media prestigjioze, me CNN, New York Times. Ndërsa në Francë u hapën shumë debate dhe madje një fushate me hashtagun “Më lër të këndoj” në mbrojtje të gjelit Maurice. Peticioni pro tij u firmos nga 140 mijë persona, duke e kthyer këtë gjel në simbolin e jetës rurale së kërcënuar në Francë.

Drekë për njerëzit në nevojë, Veliaj: Të merret shembulli i Tiranës

Në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, Bashkia e Tiranës ka shtruar drekë në të gjitha qendrat e saj sociale për shtresat në nevojë. Mënyra më e mirë për të kujtuar Nën Terezën është të zbatosh porositë e saj dhe t’u shërbesh njerëzve dhe duket se këtë shembull ka vendosur të ndjek edhe kryebashkiaku Veliaj.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj tha se është i lumtur që njerëzit po tregohen gjithmonë e më shumë solidar ndaj shtresave në nevojë. Mensat sociale për shtresat në nevojë është ajo që do të donte edhe Nënë Tereza, u shpreh Veliaj dhe jo statuse në facebook, ndërsa shton se shpreson që kjo nisëm e Tiranës të shërbejë si model edhe për bashkitë e tjera të vendit.

“Më vjen mirë që të gjithë së bashku e kemi bërë qytetin pak më shumë solidar, siç donte Nënë Tereza. Në qoftë se ajo do të ishte gjallë, nuk do të kërkonte më shumë statuja dhe më shumë statuse në internet, por më shumë njerëz që shërbejnë një pjatë supë. Ky është një rast për t’i bërë thirrje të gjithë kryebashkiakëve të rinj: Tirana ka ende cepa ku duhet të shkojë asfalti, gjelbërimi, duhet të heqim rraqe pa leje që kanë zënë hapësira publike, por ama në morinë e madhe të problemeve, ka edhe një dozë njerëzillëku. Pra, nuk është keq që një qytet tjetër, përveç Tiranës, të hapë një mensë sociale, të ketë një qendër ku ndihmohet dikush në vështirësi. Jam i lumtur që me këtë dozë njerëzillëku punon jo vetëm kjo qendër sociale, por gjithë infrastruktura jonë sociale në Tiranë”- tha Veliaj

Video, masakër për pronat në Prishtinë, dy të vrarë dhe dy të plagosur

Dy të vdekur dhe dy të plagosur është bilanci i një sulmi të ndodhur në një nga lagjet e Prishtinës. Një person ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të këtyre 4 personave, ngjarje e ndodhur rreth orës 16:00 në rrugën Muharrem Fejza në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, ku ka bërë transportimin në spital të 4 të plagosurve. Dy prej të plagosurve humbën jetën në spital, ndërsa dy të tjerët ndodhen në gjendje kritike.

Dyshohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur për motive pronësi, ndërsa policia vijon hetimet për kapjen e autorit.

Një video nga vendi i ngjarjes tregon një person me armë që qëllon ndaj 4 personave dhe më pas është larguar, ndërsa të plagosurit shfaqen të shtrirë në mes të rrugës.

https://www.youtube.com/watch?v=1b1AIc9-Wwk

Kartëmonedha 200 lekë bëhet monedhë me fytyrën e Nënë Terezës

Një monedhë e re pritet të zëvendësojë kartëmonedhën 200 lekë. Banka e Shqipërisë ka treguar sesi do të duket monedha e emetuar në vitin 2012, që do të mbajë portretin e Nënë Terezës si shenjë përkujtimore për shenjtoren që ka lënë gjurmë në historinë e kombit shqiptar dhe në mbarë botën.

Në qendër të monedhës qëndron një pëllumb në fluturim, si simbol i paqes. Ngjyra e pëllumbit dhe ajo e shiritave harkorë e harmonikë, është blu, e njëjtë me atë të shamisë së Nënë Terezës, në pamjen pas të monedhës.

Në pjesën e poshtme, shkruhet vlera emërore, 200 Lekë. Në hark sipër, në formë simetrike, dy degë ulliri, si simbol i paqes që Nënë Tereza përcolli midis njerëzve.

Në pamjen e pasme, në qendër të monedhës është vendosur portreti i Nënë Terezës. Mbi portret shkruhet “NËNË TEREZA” dhe vitet e lindjes e të vdekjes. Poshtë portretit shkruhet emri i lindjes “Anjezë Gonxhe Bojaxhiu” dhe poshtë “SHQIPËRI – ALBANIA 2012”.

Librazhd, merr flakë në ecje kamioni i mallrave

Një kamion mallrash ka marrë flakë në aksin rrugor Librazhd – Prrenjas, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Kamioni me rimorkio, me targa të huaja, që transportonte letra ambalazhi, ka marrë flakë për shkaqe ende të panjohura.

Shoferi sapo ka parë që rimorkio është përfshirë nga flakët, ka bërë shkëputjen e kokës tërheqëse duke shmangur djegien e të gjithë kamionit. Fatmirësisht nga ngjarja nuk ka asnjë të lënduar, por vetëm dëme materiale. Policia ka nisur hetimet për shkaqet e rënies së zjarrit.

Kuqezinjtë në Paris, Hysaj: Franca e fortë, por duam pikët

Kombëtarja shqiptare ka udhëtuar të enjten drejt Parisit, pasi të shtunën në orën 20:45 do të luajë kundër Francës për eliminatoret e Europianit. Ata kanë mbërritur në Paris paradite, ndërsa pasdite kanë zhvilluar seancën e vetme stërvitore të programuar për të enjten, ndërsa të premten fillimisht do të jetë konferenca e trajnerit Reja në Stade De France dhe më pas stërvitja zyrtare.

Deri më tani grupi ka qenë i plotë dhe të gjithë futbollistët pritet të jenë të gatshëm për trajnerin Italian, i cili ashtu si futbollistët është shprehur optimist për pikë në këtë ndeshje.

Gjithsesi për t’ia arritur qëllimit do të jetë shumë e vështirë, të paktën sipas vlerave që kanë skuadrat. Duke iu referuar portalin ‘transfermaket’, i cili merret me analizat e të gjithë të dhënave të futbollit, Franca vlen 898,5 milionë euro, ndërsa Shqipëria vetëm 71,5 milionë euro, 12 herë më pak se kombëtarja e “gjelave”.

Të dhënat janë të përditësuara në bazë të grumbullimeve të fundit që kanë bërë kombëtaret dhe te Franca nuk janë llogaritur lojtarë si Mbappe, Pogba, Kante apo Dembele, të cilët mungojnë për shkak dëmtimi. Vetëm Mbappe kap vlerën e 200 milionë eurove. Ndërkohë lojtari i grumbulluar aktualisht që kap vlerën më të madhe te kampionët e botës është Griezman, i cili vlerësohet 130 milionë euro, ndërsa te Shqipëria futbollisti më i vlefshëm është Elseid Hysaj me 23 milionë euro. 

Futbollistët e kombëtares shqiptare përgjatë gjithë javës kanë qenë optimistë për ndeshjen me Francën, të cilët kuqezinjtë do ta luajnë të shtunën në ‘Stade de France’ për eliminatoret e Europianit.

Në të njëjtën linjë ka qenë të enjten edhe Elseid Hysaj, i cili për gazetën franceze “L’Euipe” ka folur shkurtimisht me të mbërritur në Paris, aty ku kombëtarja po qëndron në hotel para se të kryejë seancën stërvitore të pasdites. “Ne duam rezultat pozitiv, nuk vijmë këtu për të humbur. Franca është Francë, por jam i sigurt që me këtë grup dhe me këtë trajner, ne do të tregojmë vlerat tona. Ne vijmë këtu me idenë për të marrë pikë, një ose tre, me lojë të mirë dhe duke fituar terren. Sigurisht që do të përballemi me një ekip më të fortë, por Shqipëria mund të fitojë”, është shprehur Hysaj.

Erdogan kërcënon BE: Ndihmoni me emigrantët, ose do t’i lejmë të hyjnë në Europë

Vala e madhe e emigrantëve sirianë që hyjnë në kufirin turk ka vënë në alarm qeverinë e Erdogan. Presidenti turk i ka kërkuar ndihmë më të madhe ndërkombëtare për t’u përballur me valën e emigrantëve, ku nuk ka kursyer sa kërcënimet se nëse kjo nuk ndodh do të hap sërish rrugët që të lejojë kalimin e tyre në Europë.

Turqia do të detyrohet të hapë dyert nëse nuk ofrohet më shumë ndihmë për emigrantët. Nëse nuk na ofroni mbështetje, më vjen keq, mirëpo ne nuk do ta bartim këtë peshë të vetëm”. tha Erdogan.

Turqia ka strehuar mbi 3 milionë refugjatë, të cilët kalojnë kufirin për t’i shpëtuar luftës në Siri, Irak dhe Afganistan, duke krijuar vështirësi në emonominë e vendit. Bashkimi Europian, për të shmangur ardhjen e emigrantëve drejt perëndimit, ka lidhur një marrëveshje miliarda dollarë me Turqinë, për të mbajtur emigrantët në territorin turk. Në marrëveshjen e lidhur në 2016, thuhet se BE do i jap Ankarasë 40 miliardë dollarë për të përballuar valën e emigrantëve, dhe sipas Erdogan, ky premtim i Perëndimit nuk është përmbushur ende.

Balluku jep lajmin e mirë: Hapen urat e reja në Kukës-Morinë

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtoreshën e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, dhe kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, inspektuan nga afër përfundimin e punimeve në Rrugën e Kombit.

Balluku tha se tashmë edhe ky segment rrugor është pjesë e hartës së akseve nacionale punimet për të cilët janë mbyllur dhe dorëzuar dhe që tashmë është plotësisht i aksesueshëm për përdoruesit.

Ajo nënvizoi se rritja e sigurisë rrugore ka qenë në fokus të këtij projekti duke shtuar se mangësitë e evidentuara në projektin fillestar krijuan edhe vonesa duke marrë kohë për gjetjen e zgjidhjeve të tjera në mënyrë që ky aks të përmbyllej plotësisht.

“Siguria rrugore ka qenë një nga elementet kryesorë që është zbatuar me përpikëri në këtë aks duke qenë se është një nga prioritetet që Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dhe kompleksiteti i kësaj pjese ka qenë i ditur për publikun. Kjo është një kontratë e lidhur në vitin 2009 me kompleksitet të madh teknik, me një projekt gjithashtu të gabuar, siç e kemi parë dhe herë të tjera në projekte të mëparshme siç është dhe rruga Tiranë-Elbasan apo dhe gjetkë dhe përfundimisht i është gjetur një zgjidhje teknike”, deklaroi Balluku.

Por pavarësisht këtyre pengesave, ministrja Belinda Balluku theksoi se tashmë kjo rrugë, me standarde europiane, është plotësisht e hapur dhe në dispozicion të përdoruesve të saj.

“Ashtu si shumë kontrata të tjera të cilat kanë qenë të hapur prej vitesh në kantieret e rrugëve nëpër Shqipëri edhe kjo rrugë dorëzohet. Pra bëhet e kalueshme për automjetet duke filluar nga sot. Një rrugë sipas të gjitha parametrave europiane të sigurisë rrugore. Kukësi, por kjo është një rrugë që i takon gjithë Shqipërisë, e meriton një rrugë të tillë. Ne jemi shumë të kënaqur dhe ndihemi krenar që çdo ditë e më shumë i shtojmë listës së akseve kombëtare rrugë të kësaj cilësie kaq të lartë”, u shpreh Balluku.

Gjatë këtij inspektimi Qato deklaroi se ky ka qenë një projekt i cili kishte pjesë të tij disa vepra madhore dhe me kompleksitet të lartë por që morën zgjidhjen e duhur nga ana e kompanisë kontraktuese.

“Lajmi i mirë është që lançojmë hapjen për trafik të 7 viadukteve dhe rakordimet përkatëse të cilat janë kryer në infrastrukturën e cila lidh 13 kilometra. Janë 13 kilometra të cilat vihen në përdorim të gjithë mjeteve dhe përdoruesve të mjeteve që kalojnë në “Rrugën e Kombit” duke rritur sigurinë rrugore dhe duke rritur padiskutim dhe performancën e të gjithë kësaj vepre madhore e cila përbën “Rrugën e Kombit”, u shpreh Drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar.

https://www.instagram.com/p/B2BytTwgKai/

Pranga, rrahu punonjësit e ujësjellësit dhe policët

Policia e Korçës ka arrestuar një 35-vjeçar, i cili është konfliktuar me punonjësit e një firme ndërtimit me pretendimin se po i cenonin pronën. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M.M., banues në fshatin Kamenicë, (me precedentë të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve dhe dhunës në familje).

Policia, pasi ka marrë njoftimin se në fshatin Kamenicë, disa shtetas po konfliktoheshin me njëri-tjetrin, efektivët Blu, janë nisur menjëherë drejt vendngjarjes, ku kanë konstatuar shtetasin M.M., duke u konfliktuar me disa punonjës të një firme ndërtimi, me pretendimin se punimet e kryera nga firma e tyre për ndërtimin e ujësjellësit në këtë fshat, i kishin cënuar pronën e tij.

Në momentin kur punonjësit e policisë kanë ndërhyrë për të neutralizuar situatën, ky shtetas, i ka kundërshtuar me dhunë, si edhe nuk i është bindur urdhërit të tyre, gjatë shoqërimit për në ambjentet e Komisariatit. Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.

Skip to toolbar