Kuqezinjtë në Paris, Hysaj: Franca e fortë, por duam pikët

KOMBËTARE


Kombëtarja shqiptare ka udhëtuar të enjten drejt Parisit, pasi të shtunën në orën 20:45 do të luajë kundër Francës për eliminatoret e Europianit. Ata kanë mbërritur në Paris paradite, ndërsa pasdite kanë zhvilluar seancën e vetme stërvitore të programuar për të enjten, ndërsa të premten fillimisht do të jetë konferenca e trajnerit Reja në Stade De France dhe më pas stërvitja zyrtare.

Deri më tani grupi ka qenë i plotë dhe të gjithë futbollistët pritet të jenë të gatshëm për trajnerin Italian, i cili ashtu si futbollistët është shprehur optimist për pikë në këtë ndeshje.


Gjithsesi për t’ia arritur qëllimit do të jetë shumë e vështirë, të paktën sipas vlerave që kanë skuadrat. Duke iu referuar portalin ‘transfermaket’, i cili merret me analizat e të gjithë të dhënave të futbollit, Franca vlen 898,5 milionë euro, ndërsa Shqipëria vetëm 71,5 milionë euro, 12 herë më pak se kombëtarja e “gjelave”.

Të dhënat janë të përditësuara në bazë të grumbullimeve të fundit që kanë bërë kombëtaret dhe te Franca nuk janë llogaritur lojtarë si Mbappe, Pogba, Kante apo Dembele, të cilët mungojnë për shkak dëmtimi. Vetëm Mbappe kap vlerën e 200 milionë eurove. Ndërkohë lojtari i grumbulluar aktualisht që kap vlerën më të madhe te kampionët e botës është Griezman, i cili vlerësohet 130 milionë euro, ndërsa te Shqipëria futbollisti më i vlefshëm është Elseid Hysaj me 23 milionë euro. 

Futbollistët e kombëtares shqiptare përgjatë gjithë javës kanë qenë optimistë për ndeshjen me Francën, të cilët kuqezinjtë do ta luajnë të shtunën në ‘Stade de France’ për eliminatoret e Europianit.

Në të njëjtën linjë ka qenë të enjten edhe Elseid Hysaj, i cili për gazetën franceze “L’Euipe” ka folur shkurtimisht me të mbërritur në Paris, aty ku kombëtarja po qëndron në hotel para se të kryejë seancën stërvitore të pasdites. “Ne duam rezultat pozitiv, nuk vijmë këtu për të humbur. Franca është Francë, por jam i sigurt që me këtë grup dhe me këtë trajner, ne do të tregojmë vlerat tona. Ne vijmë këtu me idenë për të marrë pikë, një ose tre, me lojë të mirë dhe duke fituar terren. Sigurisht që do të përballemi me një ekip më të fortë, por Shqipëria mund të fitojë”, është shprehur Hysaj.




Skip to toolbar