U gjet i vrarë në kanal, 23 vjeçari i arrestuar më parë për vjedhje makine

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e 23 vjeçarit Florian Selimaj i cili u gjet në një kanal në vendin e quajtur  “Kthesa e Hamilit” në fshatin Sulaj të Fierit.

Policia njoftoi më herët se i riu ka ndërruar jetë si pasojë e plagës së marrë me thikë gjatë një konflikti me persona ende të paidentifikuar.

Në vendin ku është gjetur trupi i tij i pajetë është gjetur edhe një makinë me kofano të hapur edhe goma të hequra. Dyshohet se i riu ka qenë duke rregulluar makinën që kishte pësuar defekte dhe është sulmuar me thika nga persona ende të paidentifikuar. Pasi është plagosur me thikë trupi i tij është hedhur në një kanal aty pranë.

Policia njofton se 23 vjeçari është arrestuar në vitin 2015 për vjedhjen e një makine, të cilën me pas e ka djegur në rrethana të paqarta.

Ende nuk dihet nëse vrasja e tij të hënën lidhet me ngjarjen e arrestimit të tij nga policia katër vite më parë.

Dorëzimi i bashkive nga PD, Salianji: Kam qarë me lot për bashkinë e Devollit

Megjithëse i dorëzuan një nga një bashkitë e djathta dhe pa shumë zhurmë, ndryshe nga sa kishin premtuar, kjo s’do të thotë se demokratët janë ndjerë mirë. Përkundrazi ka nga ata që edhe kanë qarë dhe një prej tyre është edhe ish deputeti Ervin Salianji. Ai e ka pranuar vetë faktin se ka derdhur lot teksa ka parë dorëzimin tek socialistët të drejtimit të bashkisë së Devollit.

“Në momentin kur isha në bashkinë e Devollit dhe shihja demokratë, qytetarë dhe njerëz që mbështesnin prej kohësh kauzën e PD dhe dridheshin nga uzurpimi apo nga pushtimi, pa diskutim që nga përmbajtja edhe vetë kam lëshuar lot. Kjo është një sakrificë që bëjnë demokratët, por është një sakrificë që i shërben në fund interesit publik. I gjithë aksion opozitar do të matet në ditën kur të arrijë apo jo suksesin”, është shprehur Salianji në një intervistë për Ora News.

Pavarësisht kësaj Salianji vazhdon të mbështesë aksionin 6 mujor të PD-së që nisi me djegien e mandateve dhe përfundoi me dorëzimin e bashkive për të cilat thotë se ka derdhur lot.

“Qëllimi i parlamentit është që të përfaqësojë zërin e qytetarëve  dhe të marrin vendime. Në parlamentin aktual nuk ishte një parlament i cili i shërbente interesave të qytetarëve. Në momentin kur ne si përfaqësues të qytetarëve ishim kthyer në fasadë sepse asnjë mekanizëm ligjor nuk funksiononte, asnjë pushtet nuk kishte, por vetëm fjala e kryeministrit, padiskutim që i shërben interesit publik lënia e mandateve  dhe qëndrimi jashtë sistemit, për t’ia lënë të gjitha kostot e këtij sistemi, qeverisjes së Edi Ramës dhe Edi Ramës personalisht, i cili po qeveris si despot dhe jo si një kryeministër i një vendi demokratik. Kështu që jo vetëm nuk e ka ul skepticizmin lënia e mandateve, por e ka rritur entuziazmin dhe besueshmërinë tek PD, sepse nuk po lufton për pushtet apo për karrige, sepse ato karrige që kishim i lamë me vullnet, por po sakrifikon njësoj si çdo qytetar shqiptar”, është shprehur Salianji.

Partia Demokratike vendosi të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit dhe si rezultatat dorëzoi të gjitha bashkitë e djathta dhe tani ka mbetur pa asnjë pushtet si në nivel qendror ashtu dhe në atë lokal. Për më tepër PD refuzon të futet në një proces tjetër zgjedhor pa plotësuar dy kushtet e saj të panegociueshme që është largimi i Ramës nga posti i kryeministrit dhe ngritja e një qeverie teknike.

“Kryenegociatori” Meta kërkon zgjidhje me propozim të vjetër që s’e mbështet as Basha

Presidenti Ilir Meta ka risjellë të hënën një deklaratë të bërë prej tij, gati një vit më parë, më 27 qershor të vitit 2018, ku bënte apel për bashkëpunim politik në mënyrë që vendi të fitonte çeljen e negociatave nga BE.

Pas një viti, presidenti Meta bën të njëjtin apel drejtuar partive politike në vend, ndërsa shkruan se u shpërdorua një vit pa bashkëpunim.  

“Po ju rikujtoj qëndrimin tim publik në 27 qershor 2018, një ditë pasi ishin bërë të njohura konkluzionet e Këshillit për Çështjet e Përgjithshme mbi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian!

Jo vetëm që u shpërdorua një vit pa bashkëpunim, përqëndrim e përgjegjësi, por gjithçka u përkeqësua vetëm në interes të luftës për pushtet”, shkruan Presidenti në facebook.

Sipas Metës zgjidhja për këtë situatë janë zgjedhjet e 13 tetorit, një mundësi që ai u ka dhënë palëve për të dalë nga kjo situatë. Një zgjidhje kjo që sipas Metës duhet shfrytëzuar që vendit t’i hapen negociatat më 18 tetor.

“Ndërkohë kanë kaluar më shumë se dy muaj nga dita kur u dhashë mundësi të dy palëve për të realizuar zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse.

Ende kemi mundësi t’i shfrytëzojmë këto ditë, për të realizuar zgjedhje në 13 tetor 2019, si një detyrim, jo vetëm ligjor, por edhe si domosdoshmëri për të mos i mbajtur zero shanset që Shqipëria t’i çelë negociatat për anëtarësim me BE në 18 tetor 2019.

Askush të mos lodhet të gjejë justifikime dhe alibi nëse nuk reflekton. Çdo gjë mund të lobohet në BE, por jo injorimi i kritereve të Kopenhagenit. Zgjedhjet e lira e të ndershme janë pjesë e tyre dhe të paevitueshme.

Ndaj duhet shfrytëzuar urgjent gatishmëria e drejtuesve të OSBE-së për të ndihmuar në tejkalimin e kësaj krize duke e pranuar këtë gatishmëri tani, me qëllim që jo vetëm të realizohen zgjedhjet vendore në 13 tetor 2019, por edhe të arrihet marrëveshja për reformën zgjedhore sa më parë, në mënyrë që vendi ynë të ketë mundësi të çelë negociatat në 18 tetor 2019”, shkruan Meta.

Propozimi i Metës për zgjedhje më 13 tetor përveçse është i vjetër, antikushtetues është edhe një propozim që nuk ka gjetur mbështetje jo vetëm nga maxhoranca por edhe nga partia më e madhe në opozitë, Partia demokratike. Kreu i PD-së, Lulzim Basha vetëm pak ditë më herët tha në një konferencë për shtyp se PD nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit, duke theksuar se asnjë parti politik nuk bën ndonjë shkelje të kushtetutës duke refuzuar të mos marrë pjesë në zgjedhje. Edhe maxhoranca nga ana e saj i ka vënë kapak njëherë e mirë çështjes së zgjedhjeve. Për të zgjedhjet u zhvilluan më 30 qershor dhe u njohën nga ndërkombëtarët. Rama është shprehur i gatshëm të bisedojë për reformën zgjedhore dhe për asgjë tjetër. Meta ka vetëm mbështetjen e Kryemadhit dhe të Mediut në propozimin e tij për zgjedhje në 13 tetor dhe të askujt tjetër. Por edhe kjo datë është antikushtetuese njëlloj si anulimi i 30 qershorit dhe e rrëzuar nga Kolegji Zgjedhor, ndërkohë që KQZ as që e mori mundimin ta shqyrtonte për shkak se është nul. Kështu që presidenti i mbetur vetëm në përpjekjen e tij për t’u bërë kryenegociator, vijon të fitojë sado pak protagonizëm politik në këto ditë të nxehta gushti me propozime të vjetra të bëra nga Prevalla ku ai po kalon disa ditë pushimesh larg Tiranës./Realstory.al

Serbia: Nga taksa e Kosovës kemi humbur 281 milionë euro

Ministri serb i Tregtisë, Rasim Ljaliç ka deklaruar se për shkak të vendojes së taksës mbi mallrat serbe nga qeveria e Kosovës, Serbia ka humbur jo pak por 281 milionë euro nga muaji nëntor deri në gusht të këtij viti.

Në një prononcim për televizionin shtetëror serb (RTS), ministri serb tha se humbja e parave ka ardhur si pamundësi e eksportit të mallrave në Kosovë.

“Ne nuk kemi shpresë së në Kosovë do të flitet për heqje të taksës, pasi të gjithë po garojnë duke prezantuar taksën si ide të vetën dhe po përdoret si fushatë për të mbledhur pikë politike”, deklaroi ministri serb.  

Ministri serb i tregtisë, Ljajiç deklaroi se është më mirë që Serbia nuk ka marrë ndonjë kundërmasë ndaj Kosovës, pasi sipas tij kështu ka fituar politikisht.

Ljajiç ka thënë se nëse vazhdon kjo situatë humbjet do të vazhdojnë të jenë edhe më të mëdha.

“Këto janë humbje direkte financiare, por dëmet do të jenë edhe më të mëdha sepse prodhuesit tanë ndoshta do ta humbin atë treg”, deklaroi Ljajiç.

Këtë situatë duket se e kanë shfrytëzuar më së miri shtetet e tjera të Ballanit. Greqia në maj ka rritur eksportin në Kosovë  tri herë e gjysmë.  Hungaria, Sllovenia, Bullgaria dhe Kroacia më shumë se dy herë e gjysmë, kurse Maqedonia e Veriut për 50 për qind. Taksa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe është vendosur më 21 nëntor të vitit të kaluar nga Qeveria e Kosovës si kusht për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Tragjedi në SHBA, zjarri djeg kopshtin e fëmijëve, 5 të vdekur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Pensilvani në Shtetet e Bashkuara ku 5 fëmijë kanë humbur jetën tragjikisht si pasojë e një zjarri që përfshiu ndërtesën në qytetin Erie.

Sipas autoriteteve amerikane, viktimat janë të moshës nga 8 muaj deri në 7 vjeç.

Më tragjikja është se katër nga viktimat ishin kushërinj ndërsa i vdekur ka mbetur edhe djali i pronarit të qendrës.

Hetuesit thanë se kishin gjetur vetëm një detektor tymi në papafingo të shtëpisë. “Nëse do të kishte sasinë e duhur të detektorëve të tymit shumica e njerëzve në ndërtesë do të kishin mbijetuar”, bënë të ditur autoritetet.

I nxehti afrikan, merrni masat, temperaturat sot mbi 40 gradë

Masat ajrore që vijnë nga Afrika e Veriut kanë bërë që Shqipëria të përfshihet nga një valë temperaturash tejet të larta. Gjatë të dielës është regjistruar temperatura më e lartë në qytetin e Elbasanit me 41.5°C por që ndjesia e vërtetë ishte disa gradë më e lartë.

Gjithashtu temperatura të larta termometri shënoi edhe në vende të tjera si Gjirokastër 40.4°C si dhe Berat e Tiranë me 38.0°C.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak edhe gjatë ditës së hënë por edhe në ditët në vijim, vendi do të vazhdojë të karakterizohet nga temperatura të larta.

Pra e hëna (dita e sotme) parashikohet të jetë një tjetër ditë e nxehtë me temperatura të larta (në vlerat e mesditës 40-42°C) ndërsa me kalimin e ditëve pritet tërheqja e masat ajrore me origjinë nga Afrika e Veriut me temperaturat e mesditës të cilat do të zbresin në vlerat e tyre normale për periudhën në të cilën ndodhemi.

Gjatë ditës së mërkurë dhe të enjte pritet depërtimi i masave ajrore relativisht të paqëndrueshme me origjinë perëndimore. Moti do të jetë kryesisht i kthjellët, por do të ketë edhe prezencë të vranësirave kalimtare shoqëruar me reshje shiu në formë shtrëngatash (dita e mërkurë) në zonën e veriut. Dita e enjte do të ketë vranësira kalimtare të cilat do të shoqërohen me reshje shiu të izoluara.

Video nga turistët e magjepsur të Thethit. Së shpejti nis ndërtimi i rrugës

Kryeministri, Edi Rama njofton mëngjesin e së hënës se së shpejti qeveria do të nisë ndërtimin e rrugës turistike të Thethit ndërsa ka shpërndarë në facebook një video me pamje fantastike nga Thethi. 

Kryeministri njofton se video është postuar me lejen e autorëve që janë të magjepsur pas burimeve natyrore dhe natyrës fantastike të kësaj zone në Shqipëri.

“Me këtë video ekskluzive që postohet me lejen e autorëve Cathy Brown dhe Greg Williams, dy vizitorë të magjepsur nga Thethi, si edhe me lajmin e mirë të nisjes së shpejti të investimit për rrugën turistike të Thethit, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama në facebook.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2444819645801829/?__xts__[0]=68.ARA6JGXcXu10Q1nA7POzGzX82kGx6tRYxZcdge42OWYAnwZF8cuap5SuH7nz89RDfdYqF8oM45ZNxGHd6eBFKX2YT7nf-QueLHSZ21wRMPxTYBSW_eXPqk4IMXooDhbxfLW7DgT-tZmSIm3VcG-eXNHDD7AE_YuwfDwOyLjSWfM1p_x57Gf_8qjMF8zOO8RrGiEklKxWjCFZl1EGTl_59ToUTwATsVBWn7-kwlWt2kTAsuAk1-CtmvDui-BeZ1QvyL0o0pJ6S009Bdenaj4QLV7KuHGrVqwDyuOu-pyQAckTmkSjshIrTBL1isPSTCpvSBdmSDN9kSfEAFgPcvpb1xueOZRI238v&__tn__=-R

Vritet me thikë dhe hidhet në kanal, 23-vjeçari në Fier

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së hënës në vendin e quajtur “Kthesa e Hamilit”, ku policia e Fierit ka gjetur të hedhur në kanal trupin e pajetë të një 23-vjeçari.

Nga këqyrja paraprake duket se 23 vjeçari ka shenja plagësh në trup të shkaktuara nga goditja me thikë.

Ai është gjendur i vdekur rreth orës 07:00 të mëngjesit të së hënës.

“Shtetasi F.S, (Florian Selimi) 23 vjeç dyshohet se ka ndërruar jetë si pasojë e plagës së marrë nga goditja me një mjet të mprehtë (thikë), dyshohet gjatë një konflikti”- njofton policia.

Pranë vendit të ngjarjes është gjetur një makinë me kofano të hapur dhe më njërën nga gomat të hequr. Ende nuk dihet se kujt i përket makina, ndërkohë që grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e kësaj ngjarje.

Policia ka shoqëruar disa persona dhe po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Rikthehet Luiza Gega, fiton garën e 3000 metrave në Shkup

Luiza Gega ka triumfuar në garën e 3.000 metrave me pengesa në Ligën e 3-të të turneut kontinental të Atletikës, që po mbahet në Shkup. Atletja shqiptare arriti ta përfundonte për 9 minuta 25 sekonda e 80 të qindtat garën dhe ishte e vetmja që e përfundoi në 10 minuta. Pas saj preu finishin në garën shkupjane, sportistja armene Alaverdian ndërsa e fundit në podium doli serbja Jovanovic.

Gara u mbajt në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ndërsa pak më herët njoftoi se do të marrë pjesë në lojërat olimpike “Tokyo 2020”.

Sportistët e delegacionit shqiptar në kampionatin europian ekipor të atletikës kanë bërë një paraqitje të mirë. Franko Burraj spikati në garën e 400 metrave me vendin e parë, madje duke vendosur edhe një rekord të ri kombëtar. Shqiptari Burraj ndali kronometrin në 46 sekonda e 48 të qindtat

Luiza Gega kthehet pesë muaj pasi u skualifikua nga kampionati Europian i Atletikës për shkak të mungesës së informacionit në njohjen e rregullores.

Skip to toolbar