“Kryenegociatori” Meta kërkon zgjidhje me propozim të vjetër që s’e mbështet as Basha

AKTUALITET


Presidenti Ilir Meta ka risjellë të hënën një deklaratë të bërë prej tij, gati një vit më parë, më 27 qershor të vitit 2018, ku bënte apel për bashkëpunim politik në mënyrë që vendi të fitonte çeljen e negociatave nga BE.

Pas një viti, presidenti Meta bën të njëjtin apel drejtuar partive politike në vend, ndërsa shkruan se u shpërdorua një vit pa bashkëpunim.  


“Po ju rikujtoj qëndrimin tim publik në 27 qershor 2018, një ditë pasi ishin bërë të njohura konkluzionet e Këshillit për Çështjet e Përgjithshme mbi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian!

Jo vetëm që u shpërdorua një vit pa bashkëpunim, përqëndrim e përgjegjësi, por gjithçka u përkeqësua vetëm në interes të luftës për pushtet”, shkruan Presidenti në facebook.

Sipas Metës zgjidhja për këtë situatë janë zgjedhjet e 13 tetorit, një mundësi që ai u ka dhënë palëve për të dalë nga kjo situatë. Një zgjidhje kjo që sipas Metës duhet shfrytëzuar që vendit t’i hapen negociatat më 18 tetor.

“Ndërkohë kanë kaluar më shumë se dy muaj nga dita kur u dhashë mundësi të dy palëve për të realizuar zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse.

Ende kemi mundësi t’i shfrytëzojmë këto ditë, për të realizuar zgjedhje në 13 tetor 2019, si një detyrim, jo vetëm ligjor, por edhe si domosdoshmëri për të mos i mbajtur zero shanset që Shqipëria t’i çelë negociatat për anëtarësim me BE në 18 tetor 2019.

Askush të mos lodhet të gjejë justifikime dhe alibi nëse nuk reflekton. Çdo gjë mund të lobohet në BE, por jo injorimi i kritereve të Kopenhagenit. Zgjedhjet e lira e të ndershme janë pjesë e tyre dhe të paevitueshme.

Ndaj duhet shfrytëzuar urgjent gatishmëria e drejtuesve të OSBE-së për të ndihmuar në tejkalimin e kësaj krize duke e pranuar këtë gatishmëri tani, me qëllim që jo vetëm të realizohen zgjedhjet vendore në 13 tetor 2019, por edhe të arrihet marrëveshja për reformën zgjedhore sa më parë, në mënyrë që vendi ynë të ketë mundësi të çelë negociatat në 18 tetor 2019”, shkruan Meta.

Propozimi i Metës për zgjedhje më 13 tetor përveçse është i vjetër, antikushtetues është edhe një propozim që nuk ka gjetur mbështetje jo vetëm nga maxhoranca por edhe nga partia më e madhe në opozitë, Partia demokratike. Kreu i PD-së, Lulzim Basha vetëm pak ditë më herët tha në një konferencë për shtyp se PD nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit, duke theksuar se asnjë parti politik nuk bën ndonjë shkelje të kushtetutës duke refuzuar të mos marrë pjesë në zgjedhje. Edhe maxhoranca nga ana e saj i ka vënë kapak njëherë e mirë çështjes së zgjedhjeve. Për të zgjedhjet u zhvilluan më 30 qershor dhe u njohën nga ndërkombëtarët. Rama është shprehur i gatshëm të bisedojë për reformën zgjedhore dhe për asgjë tjetër. Meta ka vetëm mbështetjen e Kryemadhit dhe të Mediut në propozimin e tij për zgjedhje në 13 tetor dhe të askujt tjetër. Por edhe kjo datë është antikushtetuese njëlloj si anulimi i 30 qershorit dhe e rrëzuar nga Kolegji Zgjedhor, ndërkohë që KQZ as që e mori mundimin ta shqyrtonte për shkak se është nul. Kështu që presidenti i mbetur vetëm në përpjekjen e tij për t’u bërë kryenegociator, vijon të fitojë sado pak protagonizëm politik në këto ditë të nxehta gushti me propozime të vjetra të bëra nga Prevalla ku ai po kalon disa ditë pushimesh larg Tiranës./Realstory.al




Skip to toolbar