Zguri: Hetim për mospërputhjen e shifrave, KQZ: Dakord, por jo tani

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri ka kërkuar nisjen e një hetimi administrativ për shkak të mospërputhjes së shifrave të pjesëmarrjes në zgjedhjet e 30 qershorit. Zguri paraqiti disa fakte mbi të cilën bëri edhe kërkesën e tij për ngritjen e një hetimi administrativ.

“Kemi deklaratën e orës 11:00 të KQZ ku thuhet pjesëmarrja në votime 12%. Ndërkohë këtu kam tabelat në faqen e KQZ, ora 11:00 kur deklarata thoshte 12%, në tabelën është 6.19 %, gati gjysmë për gjysmë. Kur unë këtu jam i paqartë mendo sa i paqartë është publike. I kemi detyrim qytetarëve për transparencë në procesin zgjedhor. Në deklaratën para mediave të dielën, deklarova që KQZ do duhet të ndërmerrte një hetim administrativ kryesisht duke i bërë thirrje kolegëve të mi. Kjo që po kërkoj ndihmon kryesisht në rritjen e transparencën dhe në risjelljen e besimit të publikut në procesin zgjedhor. Propozimin e kam në tavolinë.” – tha Zguri

Anëtari i KQZ, Denar Biba tha se është dakord me propozimin e kryetarit Klement Zguri për të nisur një hetim administrativ nisur nga shifrat e ndryshme të pjesëmarrjes në votimet e 30 qershorit, por shtoi se në të gjitha deklaratat e KQZ-së përmes zëdhënëses, është theksuar që raportimet janë paraprake dhe jo zyrtare. Ai tha së njëjtë ka ndodhur edhe në zgjedhjet e vitit 2017, ku deklarimet kanë qenë të ndryshme gjatë ditës, për shkak se janë bërë publike nga informacione paraprake dhe jo të zyrtarizuar. Të 4 anëtarët e KQZ në parim e mbështetën kërkesën e Zgurit, por thanë se ky proces mund të bëhet edhe më vonë, kur të kemi një përmbyllje zyrtare të të gjithë rezultatit.

Diskutimi për nisjen e një procesi hetimor është shoqëruar me detabe, pasi Zguri në moment të fundit ka kërkuar hapjen e kutive të votimit, për të numëruar edhe një herë votat për të nxjerrë shifra të sakta të pjesëmarrjes. Kjo kërkesë u quajt nga nënkryetari Denar Biba si një mënyrë për të hedhur në erë procesin zgjedhor të 30 qershorit. Biba i tha Zgurit se ndryshove mendim në moment të fundit pasi të erdhi një sms nga Gaz Bardhi, pasi kjo nuk ishte ajo që paraqite në fillim.

Zguri: Të nisë hetimi administrativ duke kërkuar procesverbalet e mbylljes së qendrave të votimit dhe listat për çdo zonë zgjedhore, në gjithë Shqipërinë.

Biba: Gjithë Shqipëria të numërohet në KQZ?

Zguri: Jo të numërohen, të kontrollohen të gjithë procesverbalet dhe listat

Biba: Ky nuk ishte propozimi i hedhur në erë, kjo është hedhje në erë e gjithë procesit zgjedhor.

Zguri: Ti nuk hidhesh në erë, mos u bëj merak

Biba: Mua s’ka perëndi të më hedhë në erë jo më ti.

Zguri: Po kush e vë në dyshim

Biba: Po të fala Gazment Bardhit.

Zguri: Kush është dakord me propozimin tim për të hapur kutitë e votimit dhe për të marrë procesverbalet dhe listat për të verifikuar sa është numri i atyre që kanë votuar?

Anëtarët: Jo, nuk ishte kjo kërkesa, hapja e kutive është tjetër gjë.

Biba: Për të bërë hetim po, për të hedhur zgjedhjet në erë, të fala Gazit. Hetim adminsitrativ në lidhje me sjelljet që ka bërë KQZ. Përmendët disa shifra që sipas jush kanë cënuar besimin e popullit. Në bindjen time, populli e di shumë mirë se çfarë ka ndodhur, edhe ata që shkuan në plazh e dinë fare mirë.

Zguri: Pse trembesh?

Biba: Më fal jemi në të njëjtën anë. Unë kam ngritur dorën bashkë me ju (për votë pro) por është tjetër gjë të hetosh pjesëmarrjen dhe tjetër të hapësh të gjitha kutitë. Këto zgjedhje nuk do mbarojnë kurrë nëse do të hapen të gjitha kutit, atë që kanë bërë 90 KZAZ dhe 5489 QV

Biba: Nuk e keni dashur kurrë këtë proces, e keni thënë që në fillim. Ti duhet ta tregosh, vazhdo shpalose deri në fund. Ti nuk doje këtë proces dhe nuk e do në as në këtë moment. Në këtë pikë çfarë do të bësh? Çdo gjë për ta sabotuar. Gjykojë në moral Klement nuk ka lidhje me nenet, nenet t’i gjen Gaz Bardhi ty. Ti në fillim këtë doje, këtë që dua edhe unë, por të erdhi një mesazh edhe ndryshove qëndrim.

Zguri: Nuk më bezdis fare, me kalimin e kohës nuk më krijon asnjë lloj gudulisje

Skënderi- Ruani etikën

Zguri: Kush e prishi etikën pse më drejtohesh mua. Unë mundohem të flas ju futeni tek fjala ime

Biba: Unë jam dakord të bëhet një hetim i brendshëm administrativ, ai që realisht nisët ju para se t’ju vinte ajo SMS-ja. Të bëhet hetim në lidhje me çdo lloj sjellje brenda KQZ, të rojës së derës që mund të ketë vënë në pikëpyetje besueshmërinë në zgjedhje, por të hapni ju gjithë kutitë, nuk ju mbështes dot.

Groposën drogë dhe para në oborrin e shtëpisë, arrestohet çifti shqiptarëve

Një çift shqiptarësh janë duke u proceduar penalisht në Itali, për trafikim të lëndëve narkotike. Policia italiane ka arrestuar shqiptarin T. K., 29 vjeç, ndërsa ka vendosur të ndjek në gjendje të lirë bashkëshorten e tij 28-vjeçaren A. E., për shkak se është shtatzënë.

Çifti është ndaluar në Padova, ku u kap me një sasi droge në makinën e tyre tip “Fiat”. Gjatë kontrollit të ushtruar në makinën dhe shtëpinë e tyre, policia ka gjetur 2.5 kg heroinë  dhe 6200 euro, të groposura në oborrin e shtëpisë së çiftit. Këto janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

PD i duhet të presë (Sa të lindë Jorida)

“Jam dakord me vazhdimin e revoltës…” Shprehja e Sali Berishës dy javë pas daljes nga vetëizolimi ishte e çuditshme. Me kë ishte dakord Sali Berisha? Pak më herët të enjten nga Selia Blu Lulzim Basha thoshte diçka tjetër: “Ne nuk i njohim zgjedhjet e 30 qershorit. Injorojini, përbuzini ato”, thoshte “Gandhi” trendy i Selisë Blu. Njeriu që një javë më parë, në të njëjtën orë bërtiste: “Zgjedhje pa opozitën, nuk ka dhe nuk do të ketë”.

Por befas gjërat ndryshuan shpejt. Brenda 24 orëve opozita mori mesazhin që në 30 qershor të mos dilte nga gardhi i vet. Edhe nëse dilte, të mos futej te oborri i votimeve. (E bëri vetëm një herë te shkolla Vasil Shanto, po shpejt u kuptua se dy të rinjtë thjesht nuk e njihnin Kodin Zgjedhor dhe lëvizën me shpejtësi jashtë. Të dielën ai që e respektoi më shumë se të gjithë “këshillën” amerikane, ishte Sali Berisha. Basha në mbrëmje thirri fitore, në mes të absurdit të një dite të pazakontë, kur votat nuk ishin as plumb për PD dhe as karamele për PS, por thjesht Peanuts amerikanë për të zhvleftësuar krizën e madhe dhe të paprecedentë që mori përsipër Lulzim Basha. Njeriu që në pesë muaj arriti të bënte atë që Berisha nuk e bëri dot kurrë: të humbiste një palë zgjedhje edhe pa marrë pjesë fare në to.

Pas pesë muajsh “Rama ik, nuk ka zgjedhje me Edi Ramën”, jo vetëm Rama nuk iku, jo vetëm zgjedhjet (ato farë zgjedhjesh) u mbajtën, por PD u fut në një spirale lufte me ndërkombëtarët, që e gjen sot në nivelin më të ulët në raportet me ta, dhe vetëm një fije të hollë të kuqe larg, listës së zezë së organizatave kriminale për Uashingtonin.

Atë të dielë ama, Basha ishte vetëm në festën e tij të absurdit. Atë të dielë nuk festoi Edi Rama. Dhe Sali Berisha.

Kreu historik i PD edhe në daljen e tij të parë publike të enjten, foli për revoltë, por jo për “fitore”. Zëdhënësja e tij besnike Erla Mëhilli, bashkëshorti i së cilës u la jashtë nga Basha në listën e 2017, në 1 korrik doli hapur në Instagram me Jozefina Topallin. Vetëm pak orë pasi politikania më karizmatike femër e tranzicionit shqiptar, e “masakroi” me tre fjali, 2300 komente, 400 shares dhe për më shumë me 9000 likes në Facebook, gjithë aksionin e dështuar pesë mujor të Bashës. Duke shprehur akumulimin e bazës militante të PD, frustrimin, trishtimin dhe zemërimin e një tjetër dështimi të Lulzim Bashës. Dështime të parathëna nga Topalli, që ditën e parë kur ai u fut në PD. Jo thjesht sepse pa sesi ai fitoi çuditshëm mandatin me 3000 vota plus, në një zonë të majtë në Tiranë (Njësia 7), jo vetëm sesi e trajtonte atë Lideri Suprem, por edhe kur ndjeu sesa e mbështetën atë ndërkombëtarët kur ai rrëmbeu (vodhi, varet nga këndvështrimi) por kurrë fitoi, garën për kryetar të bashkisë Tiranë. Jozefina ndjeu rrugën që po merrte lideri i ri i PD, kur mori garën me dhunën e Berishës për kreun e partisë në 2013 dhe me shifrat qesharake të Jemin Gjanës, në 2017, pas dështimit historik të PD në një palë zgjedhje, ku Edi Rama luajti me Bashën, me të njëjtën ndjenjë gazmore dhe dhembshurie që përdor çdo mëngjes me Zahon në Surrel.

Por Dështimi i 30 qershorit duket se kaloi dhe parashikimet e Topallit. Një aksion pa asnjë plan, ecur verbazi në bindjen se është “rruga ajo që na faktorizon” dhe intuita e gabuar se Rama do dorëzohej sërish, e kanë nxjerrë sot PD jo thjesht nga sistemi, por nga pritshmëritë e ardhjes sërish në pushtet për një kohë të gjatë. Së paku nga ky lidership i sotëm. “Kriza e sotme është shkaktuar nga opozita. Në demokracitë perëndimore kjo zgjidhet thjeshtë, pasi partitë ndërrojnë lidershipin që merr përsipër dështimin”, thoshte një muaj më parë, ambasadori italian Cutillo. Por mbështetësit e PD, shprehin dëshpërim edhe në këtë. Se Bashën nuk e heq kush. Së paku sa të jetë Berisha gjallë. Por duket se nuk është më ashtu.

Doktori duket po aq i mërzitur, po nuk është naiv si Ilir Meta që bën like postimet anti-amerikane të Manjanit, sa të bëjë share statusin e Topallit që parashkruante “funeralin” politik të Lulzim Bashës. Por Realstory.al ka mësuar se mes tij dhe beniaminit familjar, ka filluar faza e ngricës. Ajo duket e gjatë, e thellë dhe sipas disa burimeve diplomatike, “përfundimtare”.

Një burim pranë një selie diplomatike në Tiranë i pohoi Realstory.al se të hënën “nuk do të ketë rrëmujë në protestë, por do të ketë rrëmujë në PD”. A ishte kundërvënia e Berishës të hënën që fliste për “revoltë”, ndaj gandizmit të Lulit, shenja e parë e hapur e kësaj çarjeje përfundimtare. Berisha në ambiente të mbyllura e ka shprehur hapur frustrimin e tij, por gjithashtu dihet sa të vështirë e ka ai të pranojë gabimet historike. Ok pranoi Piramidat. Por nuk mund të bëjë “double jeapardy”: nuk mund të kërkojë dy herë ndjesë për të njëjtën gjë. Në 1997 për piramidat financiare, dhe në 2019, sërish për një piramidë. Atë politike të Lulzim Bashës që të madh ka vetëm një gjë: dështimin.

Duket se Lideri Suprem është i frikësuar nga profecia e tij fatale e pak muajve më parë kur deklaroi në mbledhje forumesh se “nëse në 30 qershor mbahen zgjedhje, PD rrezikon të shkrihet”. Që në prill kur u pa si po shkonte kjo punë, njerëzit e tij filluan të flasin se Doktori nuk kishte dorë në këtë aksion, pavarësisht se që në shtator vjet ai pat folur për këtë. Se diku nga shkurti ai i pat uruar “fat” Bashës në këtë aksion e më pas ishte tërhequr në kullën e tij. Por tashmë kur “les jeux sont fait, et rien ne va plus”, PD rrezikon realisht anihilimin. Kjo jo aq per shkak se është jashtë parlamentit, por se humbi bazën logjistike të pushtetit lokal, aq efikase në fushatat e zgjedhjeve politike. Realstory ka mësuar për dy takime të forta të kryebashkiakëve demokratë, një muaj para zgjedhjeve. Kur i kërkuan Bashës t’i linte të garonin të pavarur se mund të fitonin, pavarësisht betejës politike të PD në nivel kombëtar. Tregon njëri prej tyre: “Më mori dorën dhe më tha: më shiko në sy. Në 30 qershor nuk ka zgjedhje. Rama ikën. PD vjen në pushtet shpejt”. Dhe ne i besuam. Për të keqen tonë dhe të PD”.

Takimi i të mërkurës ishte edhe më i tensionuar. Shumë prej tyre dolën jashtë dhe thanë se nuk do të lëshojnë zyrën. Po jo se ja u tha Basha. Por pikërisht se pse ai u kërkoi të kundërtën. Pra jo revoltë ndaj 30 qershorit të Ramës, por ndaj 30 qershorit të Bashës dhe mënyrës sesi ai i nxori në rrugë, me po të njëjtën aftësi mashtrimi”, siç thotë një ndërkombëtar në kushte anonimiteti “mashtron çdo ditë hijen e tij”.

Frustrimi i të zgjedhurve lokalë ka shkuar edhe më tej. Realstory.al ka mësuar për një telefonatë të dy prej tyre me Kryeministrin e vendit, përmes një telefoni të një njeriu të besuar, ku i kanë kërkuar atij tu thotë nëse do ketë vërtet marrëveshje apo Luli i tyre i kishte mashtruar. Dhe betimi në telefon me kryeministrin kundërshtar: “Do shkojmë te Doktori. Tani o ne, o ai”.

Konfirmim të kësaj, mund të japin ata që qenë të mërkurën në takimin e bashkiakëve blu me Bashën. Ndërsa ndarja përfundimtare me Berishën, vjen nga përtej oqeanit. Aty me lobimin kundër Kavalec, “Basha is done” me Departamentin e Shtetit. Pa të bekimin e të cilit askush nuk vjen dot në pushtet në Shqipëri, përveçse nëse quhet Sali Berisha. Dhe këtij pikërisht ja tha pak muaj më parë në një takim thuajse privat, një zyrtar i lartë amerikan. Por që u shokua nga ajo që dëgjoi nga goja e vetë liderit suprem: “Jam totalisht i zhgënjyer nga zgjedhja ime”.

Natyrisht Berisha ka dhe halle të tjera me amerikanët. Në fund të fundit si të gjithë ne, duam më shumë fëmijët natyralë sesa ata të adoptuar. Dhe lënë mënjanë teoritë konspirative, PD mbetet kulla e vërtetë mbrojtëse për Berishën nga çdo rrezik i brendshëm dhe i jashtëm. Të paktën në këtë pikë, edhe amerikanët janë dakord me të. Partia Demokratike është një investiturë amerikane që prej vitit 1991. Partia që u përdor për të rrëzuar komunistët e fundit në pushtet në Europën Lindore. Prej 30 vjetësh një aset kombëtar por dhe elektoral, përballë përbindëshit të majtë, që nuk duket se dobësohet edhe kur i plasin skandalet njëra pas tjetrës. Mesa duket amerikanët dhe Berisha janë të bindur tashmë se PD duhet patjetër të ringrihet. Por këtë nuk e bën më dot Lulzim Basha.

Afëria e tij me LSi, e bën edhe më të pamundur këtë mision. Afëri që janë më shumë se politike por personale. Aq sa paradoksalisht LSI mund të jetë mbrojtësja e tij e vetme në këtë betejë kundër Sali Berishës që Basha nuk e kishte menduar kurrë. I thonin prej vitesh se duhet të vriste politikisht babën, që të ecte para, por stili i tij i jetës dhe përtesa patologjike, e bën të varur nga nervi i Doktorit dhe patericat e ilirit, nga energjia e Monikës dhe zgjuarsia e Aurelës. Dhe miqësia e të dyjave bashkë. Kryemadhi u mundua të enjten ti jepte mbështetje Bashës dhe t’i kundërvihej Berishës për retorikën e protestës së të hënës pro burrit të saj para parlamentit. Por tashmë duket shumë vonë. Berisha nuk foli për qëndresë në protestë. Tashmë në interes të tij është rikthyer PD. Qoftë dhe me sakrifikimin e miqësisë me ilirin. Për më shumë edhe të Bashës.

Të kota duken klithmat e ilir Metës në konferenca për shtyp për Mikun e tij. As paralajmërimet indirekte se ashtu siç lexoi mesazhin privat të Ramës, mund të lexojë dhe mesazhe të tjera. Tashmë Berisha ka lidhur sërish fatin e tij dhe të familjarëve të tij me amerikanët. Me një dinakëri të pashoq, edhe me PD. Tashmë atij nuk i duhet më Basha.

Realstory.al ka mësuar se Berisha tashmë e ka një emër në kokë. Dhe ai nuk është Nishani. Jo se nuk është besniku i  tij, por sepse ai erdhi në atë post në PD, edhe si investim i Metës, si garanci që Basha të mos bënte asnjë Pazar të ri me Ramën. PD i duhet një fytyre e re, qytetare, normale, mundësisht femër. Topalli? Do ishte kthim prapa. Burime diplomatike kanë konfirmuar për faqen tonë se një emër që ka filluar të bëjë lojën e saj është një ish kandidate tërheqëse për bashkiake në 2015. Por Berisha nuk e quan atë të përshtatshme. Në sytë e tij është vetëm një emër: Jorida Tabaku.

Ish nënkryetarja sharmante e bashkisë dhe e grupit parlamentar, është në muajin e saj të fundit të shtatzënisë. Ajo është fytyra që mund ta rifuste PD jo në sistem, por në preferencat e shqiptarëve, të lodhur me Viçidolin, Vuthajn dhe Shkodrën, si trekëndëshin nga duhet të dalë patjetër lideri i të djathtës. Jo. Zemra e demokracisë është Tirana. Dhe Jorida është tironse dhe “le e rrit n’tironë”.

Dhe ndër të tjera ky emër është lajm i keq për Ramën. Mazhoranca e tij ka mbijetuar edhe falë mediokritetit të fytyrave të opozitës. Por Jorida ngrihej gjithmonë mbi ta. Me zërin e qetë, veshjet elegante dhe manierat qytetare. Për më tepër me marrëdhënie të shkëlqyera me amerikanët. Për Ramën Basha ka qenë dhuratë nga zoti në këto 7 vjet. Realstory.al pat njoftuar për një plan të maxhorancës për të ofruar një plan që ta shpëtonte Bashën. Sidomos pasi Realstory.al ka mësuar se Basha i nxitur nga po ata njerëz që e hodhën në aventurën e 16 shkurtit, kësaj radhe nuk do iki me një fishkëllimë por do të rezistojë. Nuk do të japë dorëheqjen edhe po t’ia kërkojë Berisha, por do kërkojë garë. Garë ku Rama ka në dorë të ndihmojë.

Por këtu ka hasur sërish në një pengese. Të autoreve të vërtetë të krizës: amerikanëve. Me të cilët duket Basha i ka mbyllur hesapet. Po ashtu dhe Berisha, por në një mënyrë tjetër. Tani Ramës i është thënë të rrijë urtë e të presë me kë lider do bëjë tratativa potenciale në të ardhmen. Tani Ramës i duhet të presë, së bashku me pjesën tjetër të PD. Të Presë një muaj.

Sa të lindë Jorida.

/realstory.al/

I mbyllur në shtëpi prej 3 ditësh, fëmija hidhet nga kati i dytë

Një fëmijë 5-vjeçar është hedhur nga kati i dytë i banesës së tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Librazhd,  fatmirësisht fëmija është jashtë rreziku për jetën.

Sipas të dhënave paraprake mendohet se fëmija ka qenë i kyçur në banesë nga nëna e tij prej 3 ditësh, për arsye ende të panjohura.

Fëmija, një vajzë 5-vjeçare, ndodhet në spital jashtë rreziku për jetën, ndërsa policia është në kërkim të nënës së saj.

Zaloshnja: Prapambetja ekonomike e Shqipërisë sot dhe para një shekulli

Nga Eduard Zaloshnja

Sipas një studimi të John R. Lampe, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) në tokat shqiptare para pavarsisë (në vitin 1911) ishte i barazvlefshëm me 100 franga franceze për frymë. Krahasimisht, PBB-ja e Gjermanisë ishte e barazvlefhsme me 1000 franga për frymë. Fqinjët tanë ballkanikë, Serbia e Bullgaria, e kishin nga 250 franga për frymë. Ndërkohë Rumania e kishte 300 franga për frymë, Hungaria 400 franga për frymë dhe Çekia 700 franga për frymë.

Duke shfrytëzuar të dhënat publike të CIA-s amerikane (CIA WORLD FACTBOOK), shohim se në vitin 2017, renditja e vendeve të mësipërme mbetet e njëjtë për treguesin e PBB-së për frymë, me të vetmin ndryshim se Bullgaria është shkëputur pak nga Serbia (Shihni Tabelën 1).

Po si mund ta krahasojmë situatën e sotme ekonomike me atë të para një shekulli?   

  PBB PER FRYME
  1911 (në Franga) 2017 (në Dollarë)
Shqipëri 100                      4,554
Serbi 250                      5,852
Bullgari 250                      8,065
Rumani 300                      9,856
Hungari 400                    14,204
Çeki 700                    20,168
Gjermani 1000                    45,975

Mënyra më e thjeshtë është duke përdorur si pikë referimi Gjermanië, ekonominë më të zhvilluar në Europën kontinentale, si atëherë, edhe sot. Duke llogaritur PBB-në për frymë të çdo vendi si përqindje ndaj asaj të Gjermanisë, mund të shohim nëse ekonomitë e tyre i janë afruar apo larguar ekonomisë lider të Europës.

Siç mund të shihet në Grafikun 1, PBB-ja për frymë e Shqipërisë ka mbetur sa 10% e asaj të Gjermanisë edhe pas një shekulli. Ndërkohë të gjitha vendet e tjera kanë qenë më afër Gjermanisë  para një shekulli, në krahasim me sot. Largimi më dramatik vërehet në Çeki, e cila para një shekulli e kishte PBB-në për frymë sa 70% e asaj të Gjermanisë, ndërsa sot e ka sa 44% e asaj të Gjermanisë.

Arrestohet një 59-vjeçar në Vlorë, akuzohet për trafik droge në Itali

Policia e Vlorës ka arrestuar një 59-vjeçar, i cili ishte në kërkim nga autoritetet italiane për trafik droge. Ndaj shtetasit Ramadan Budani, banues në fshatin Fitore, është lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar që në 2009 nga Gjykata e Palermos, pasi akuzohet i përfshirë në organizatë kriminale që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.

Arrestimi i 59-vjeçari u bë në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative duke bashkëpunuar ngushtë me qytetarët. Ndalimi i tij ndodhi në fshatin Novoselë, ndërsa pritet që të ekstradohet drejt Italisë.

Kosova ndalon hyrjen e zyrtarëve serbë, Daçiç: Shuplakë ndaj bashkëjetesës

Ministria e Jashtme e Kosovës nuk do të lejojnë asnjë zyrtar serb të vizitojë territorin e saj dhe se kërkesat e tyre do të refuzohen deri sa Beogradi të ndryshojë sjellje. Lajmi u bë i ditur nga këshilltari politik i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Jetlir Zyberaj, me një postim në Facebook. Kërcënimet që Serbia bën ndaj Kosovës, propagandën e vazhdueshme dhe përpjekjet e fundit për të inskenuar një krizë humanitare në veri të Kosovës do të marrin përgjigjen e merituar thuhet në reagimin e Zyberajt.

Pas këtij vendimi ka reaguar kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, i cili tha se më këtë vendim Kosova kërkon të izolojë popullin serb nga çdo ndikim i Beogradit. Daçiç e ka cilësuar këtë si një shuplakë që i jepet bashkëjetesës ndërkombëtare.

“Ky vendim i autoriteteve të Prishtinës është një veprim i paparë dhe një shuplakë tjetër, jo për Beogradin, por mbi të gjitha për BE-në dhe bashkësinë ndërkombëtare që pa dyshim janë duke heshtur ndaj shkeljeve të të gjitha normave të qytetërimit që Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi po e bëjnë me vite të tërë.” – tha Daçiç

Aksidentoi me vdekje dy gra dhe një fëmijë, burg doganierit

Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për 47-vjeçarin Olsi Belortaja, doganierin që mbrëmjen e 30 qershorit aksidentoi për vdekje dy gra dhe një fëmijë në aksin rrugor Kapshticë-Bilisht.

Sipas prokurorisë, e cila kërkoi arrest me burg për 47-vjeçarin, në 30 qershor 2019, rreth orës 18:30, Olsi Belortaja, ishte duke qarkulluar me automjetin e tij të markës Benz me targë KO 775 0B në rrugën nacionale Kapshticë-Bilisht. Në një pjesë të kësaj rruge, konkretisht në kryqëzimin e saj me rrugën e fshatit Kapshticë, ishin duke ecur në këmbë Anjeza Gani, Valmira Çuko, të cilat me vete kishin dhe fëmijën Semi Çuko.

Në atë kryqëzim, automjeti i drejtuar nga Olsi Belortaja ka humbur kontrollin dhe ka goditur këmbësorët. Anjeza Gani dhe Valmira Çuko kanë ndërruar jetë menjëherë pas aksidentit, ndërsa fëmija Semi Çuko, është dërguar në spital në gjendje të rëndë, por më pas ka ndërruar jetë në një spital në Tiranë. Menjëherë pas aksidentit Olsi Belortaja është larguar nga vendi i ngjarjes dhe më pas është kapur në afërsi të fshatit Zëmblak nga punonjësit e Policisë Gjyqësore. Prokuroria tha se doganieri, i cili shkaktoi aksidentin ishte në gjendje të dehur në momentin e aksidentit.

Mbytet anija në Tunizi, të paktën 80 emigrantë humbin jetën

Një anije është mbytur duke shënuar 82 viktima, që i mbante në bordin e saj. Tragjedia e rëndë ka ndodhur në brigjet e Tunizisë, nga ku varka me emigrant ishte nisur drejt Italisë.

Varka është gjetur nga peshkatarët tunizianë, të cilët arritën të shpëtonin një emigrant gjallë. Fatkeqësisht ai ndërroi jetë në spital.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin në Tunizi, tha se numri i të mbyturve pritet të jetë edhe më i madh. Kjo tragjedi pason atë të muajit Maj, ku  një varkë me 65 emigrantë u mbyt sapo u nis nga Libia drejt Europës.

E quajti sharlatan, Panucci çon Nishanin në Apel: Kërkon 100 mijë euro

Ish-trajneri i Kombëtares së futbollit, Christian Panucci, nuk heq dorë nga padia e tij për të marrë 100 mijë euro dëmshpërblim nga ish-Presidenti Bujar Nishani i cili e quajti atë sharlatan.

Ish trajneri italian i Kombëtares shqiptare ngriti padi kundër ish presidentit dhe kërkoi 100 mijë euro dëmshpërblim për fyerje, por Gjykata e Tiranës vendosi në shkurt të këtij viti të mos dënonte Nishanin.

Por Panucci nuk ka hequr dorë, ai e ka çuar çështjen në Apel.

 “Bravo Kosova, Panucci një sharlatan që shkatërron dhe atë që ishte ndërtuar”- shkruante Nishani në një koment në facebook disa kohë më parë.

Koment ky që mund t’i shkaktojë një dëm prej 100 mijë eurosh.

Skip to toolbar