Plagosën 26-vjeçarin në Korçë, arrestohen 3 persona

Tre persona kanë përfunduar në prangat e policisë, pasi akuzohen si autorë të plagosjes së një 26-vjeçari në qytetin e  Korçës. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e ditës së hënë, pas një sherri mes të rinjve për motive të dobëta.

Gjatë sherrit ka mbetur i plagosur shtetasi Armando Trimi, ndërsa policia ka vënë në pranga ditën e martë tre autorët me iniciale A.K, 18 vjeç,  M.J., 28 vjeç dhe I.A., 32 vjeç.

Sipas policisë 18-vjeçari rezulton një person i dënuar më parë nga drejtësia.

Rama: Kryebashkiaku i Kukësit ka frikë të dalë kundër PD

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar në Kukës kreun aktual të bashkisë, teksa tha se ai jeton në Tiranë dhe e qeveris Kukësin në distancë. Shefi i qeverisë tregoi edhe detaje nga disa biseda private me të. “Më tha me 1 mijë lekë e pranojnë kuksianët traun e Rrugës së Kukësit. Po mirë i thashë, dil e thuaja popullit. Jo më tha nuk dal dot, se ti e kupton vetë! Sot kishte dalë sikur kishte futur kasetën e Lulit. Bashkimi më tha se po pastrohet rruga nga bora ashtu si nuk është bërë asnjëherë, por prapë nuk doli ta thoshte. Bashkimi do hyjë në histori si rast unik që pengoi lejen për të ndërtuar spitalin. Bashkimi thotë nuk ka leje mjedisi. A ka idiot që pengon ndërtimin e një spitali? Bashkimi iku. Kur i bërtet tjetrit Ik, Ik! Ikën vetë. Kur nuk e ke mendjen të vraposh, i thua tjetrit ik!”, tha Rama në Kukës.

KQZ i përgjigjet Metës. Si u plotësuan vakancat e Kuvendit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është përgjigjur letrës së Presidentit Meta, ku kërkohej procedura e ndjekur për plotësimin e vakancave në Kuvend nga deputetët e rinj, pas djegies së mandateve nga Partia Demokratike, LSI dhe aleatët e tyre.

KQZ i ka dërguar Presidentit Meta të gjithë dokumentacionin, që nga nisja e mandatit pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 e deri te vendimet e deputetëve të opozitës për të lënë mandatet. Bashkangjitur me njoftimet e vendeve vakante, KQZ informon presidentin dhe për vendimet e dhënies së mandateve të deputetëve që kanë plotësuar vakancat në parlament, të ardhura nga listat shumë emërore të PD-së dhe LSI-së.

Letra e dytë e Presidentit drejtuar KQZ u konsiderua si një strategji e Metës për të mbrojtur veten nga një shkarkim i mundshëm nga Kuvendi i Shqipërisë, pas rezolutës së miratuar me 100 vota, që vinte në pah paligjshmërinë dhe shkeljet e Kushtetutës përmes dekretit të tij për anulimin e 30 qershorit.

Gjatë deklaratës të martën në mëngjes Meta nuk tha asgjë pse po kërkonte shkresat për deputetët. Ai pranoi se s`ka asnjë mjet për të ndaluar zgjedhjet në 30 qershor. “Duhet të keni të qartë që presidenti nuk ndërhyn për të penguar zgjedhjet partiake, por padyshim lidhur me 30 qershorin, kjo datë ka rënë. Nuk ekziston më ligjërisht. Kush do të zhvillojë zgjedhje partiake është i lirë”, tha Meta.

Rama: Meta si Nard Ndoka, por jo me batuta. Ai flet me molotov dekretesh

Kryeministri Rama e cilëson të palogjikshëm dekretin e anulimit të zgjedhjeve (një gabim si nga pikëpamja ligjore ashtu edhe politike) që presidenti Meta bëri për të mbrojtur opozitën me arsyetimin se po mbronte pluralizmin politik dhe po shmangte dhunën. Në fakt rezultoi se ky dekret solli krejt të kundërtën duke u shoqëruar me dhunë në disa KZAZ të vendit.

Rama e cilësoi dekretin si molotov institucional dhe se për nga logjika dhe batuta, ai bëri një krahasim ironik të presidentit Meta me Nard Ndokën, kreun e PDK. Gjatë takimit elektoral në Tropojë, Rama tha se dhunës në rrugë të opozitës, vendit ju shtua edhe dhuna institucionale përmes molotovëve me dekrete që presidenti vendoi të hidhte jo vetëm ndaj parlamentit dhe Kushtetutws, por edhe ndërkombëtarëve.

llir Meta ka zënë vendin e Nard Ndokës, me fjalinë, shantazhin ndaj gjykatësve, e pashë në fotografi. Nard Ndoka këtë nivel nuk e kishte kapur.  Ilir Meta ka marrë përsipër molotovët institucionalë, ka marrë përsipër të gjuajë me molotov dekretesh zgjedhjesh, me molotov fjalësh nga zyra e parlamentit, gjykatave, Amerikës, Europës…Unë nuk kam anuluar zgjedhjet në Amerikë që të pyesim Amerikën, sa të kem Lulin dhe Monikën nuk pyes për Italinë dhe Amerikën. Haxhi Qamili kur mori kot atëherë i çuan fjalë i thanë sikur po e tepron kujdes se po preken interesat e Francës, sa të kem Kavajën me vete nuk pyes për Francë dhe Angli unë. Ç’a ti bësh, është ky vend që e rrotullon dhe e rrotullon dhe prapë tak, e nxjerr ndonjë Haxhi Qamil“, tha Rama

Rama në Kukës, militantët e opozitës i “zënë pritë” tek Aeroporti

Pas mbylljes së takimit në Tropojë, kreu i qeverisë Edi Rama është nisur drejt Kukësit. Bashkë me të ka nisur edhe lëvizja e militantëve të PD, të cilët janë nisur t’i zënë pritë Kryeministrit pranë Aeroportit të Kukësit. Kjo ka bërë që edhe kreu i qeverisë të zhvendosë vendin e takimit elektoral, i cili ishte parashikuar të mbahej në qendër të qytetit.

Militantët e PD kanë bllokuar rrugën 3 kilometra pranë Aeroportit të Kukësit, duke krijuar disa incidente për shkak të përplasjeve me forcat e policisë. Në protestën e organizuar ka qenë edhe një grua e cila mbante në duar foton e Havzi Nelës, poetit të varur në kohën e diktaturës. Gjatë përplasjeve ajo është lënduar dhe ka humbur ndjenjat.

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Aeroportin e Kukësit, me helikopter, ku pritet të zhvillojë takimin elektoral dhe të prezantojë kandidatin për kryetar bashkie për zgjedhjet e 30 qershorit.

Edhe në Tropojë, militantët e PD kanë pritur kreun e qeverisë Edi Rama me protesta. Ata janë mbledhur në sheshin pranë zonës ku kreu i qeverisë po mbante mittingun elektoral. Disa militantë janë ulur edhe në lulishten pranë sheshit. Forca të shumta policie kanë mbajtur situatën nën kontroll duke shmangur përplasjet.

Aleatët e Bashës: Bojkotoni zgjedhjet, qëndresë qytetare më 30 qershor

Aleatët e Partisë Demokratike kanë bërë thirrje që qytetarët të bojkotojnë zgjedhjet duke mos pranuar farsën që Rama ka vendosur të  mbajë më 30 qershor. Zgjedhjet monopartiake të “Rilindjes” rrezikojnë pluralizmin politik dhe janë në kundërshtim me ligjin dhe dekretin e presidentit Meta thuhet në deklaratën e aleatëve të Bashës.

Duke njohur 30 qershorin, aleatët kanë kërkuar që Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë të vijojë misionin e saj legjitim për të mbrojtur demokracinë kur ajo është në rrezik. Një urdhër ky i porositur edhe nga Basha më herët që qytetarët të ndjekin modelin e Shkodrës dhe të bëjnë qëndresa më 30 qershor. Ky qëndrim i Bashës vjen të paktën në retorikë dhe shkresa, pasi vetë dita e zgjedhjeve do të jetë e qetë, ashtu si ka thënë më herët edhe realstory.al

Vendi ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm që kërcënon një arritje të shenjtë për çdo popull: Pluralizmin politik. Në kundërshti totale me ligjin dhe me dekretin e Presidentit, tashmë të botuar në fletoren zyrtare të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuesit e ‘Rilindjes’ vijojnë moskokëçarës projektin e tyre për zgjedhje monopartiake.”- thuhet në deklaratë.

Aleatët e Bashës bën thirrje për qëndresë qytetare si e vetmja alternativë për të shmangur zgjedhjet farsë të 30 qershorit. “Grupimi i Qendrës së Djathtë, në unison me opozitën e bashkuar, i bën thirrje qytetarëve shqiptarë të mos bëhen pjesë e procesit farsë të 30 Qershorit dhe të refuzojnë me neveri votime antikushtetuese dhe antidemokratike. Ne inkurajojmë Aleancën Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë të vijojë misionin e saj legjitim, për të bërë, as më shumë dhe as më pak sesa atë që bëjnë të gjithë popujt liridashës, nga të cilët ne frymëzohemi kur demokracia është në rrezik”.

Në sondazhin e publikuar mbrëmjen e ditës së hënë, të zhvilluar nga GPF Inspiring Research, rezultoi se pavarësisht dhunës dhe retorikës kërcënuese që opozita ka përdorur për të bllokuar zgjedhjet e 30 qershori, mbi 55 % e qytetarëve kanë votuar se do të shkojnë në zgjedhjet e 30 qershori.

Një përqindje goxha e lartë për zgjedhjet lokale. 55 % e pjesëmarrjes në votime është mesatarja normale e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, ndërsa në zgjedhjet lokale, pjesëmarrja tenton të jenë më e ulët, nën 50 %.

EXCLUSIVE/ PD, “paqe në 30 qershor”. Por problem mbetet Berisha…

Dita e zgjedhjeve do jetë një ditë e qetë, pavarësisht çfarë thotë Partia Demokratike me retorikë dhe shkresa. Selia Blu i ka dhënë garanci ndërkombëtarëve, që 30 qershori nuk do të ketë dhunë dhe incidente të shkaktuara prej saj. Megjithëse PD nuk heq dorë nga mospranimi i zgjedhjeve dhe ka mobilizuar gjithë kryetarët e bashkive të tentojnë të pengojnë procesin zgjedhor. Kreu i saj i ka dhënë garanci ambasadorëve Leyla Moses-Ones dhe Soreca që trokitën të martën në zyrën e tij. Por ambasadorët kanë patur edhe një mesazh për Ramën: jo festë e fishekzjarre të dielën dhe të hënën.

Të dy ambasadorët kanë shkuar te Rama e Basha pas takimit që u mbajt në orën tetë të mëngjesit të të martës, siç edhe Realstory.al kishte lajmëruar një ditë më parë. Ambasadorët e BE, OSBE, Italisë, Gjermanisë dhe Britanisë, janë takuar për më shumë se një orë në zyrën e ambasadorit britanik në Rrugën e Ambasadave. Takimi sipas burimeve brenda tij do të prodhojë një deklaratë të përbashkët, ku do t’i kërkohet palëve të sigurojnë zgjedhje të qeta në 30 qershor, një mesazh ky direkt për Bashën si dhe në funksion të paqes dhe qetësisë, jo festë e fishekzjarre nga pala tjetër, një mesazh ky për Ramën. Burime diplomatike i pohojnë Realstory.al se i vetmi qëndrim “ndryshe” ka qenë ai i Britanisë, i cili ka “kërcënuar” të tërheqë vëzhguesit britanikë nga Veriu i vendit, nëse nuk garantohet siguria e tyre.

Soreca më pas është bashkuar me zonjën Moses-Ones , (SHBA nuk janë bashkuar tryezës, pasi qëndrimi i tyre ka qenë i qartë, për të mos pasur negociata, pa pasur një proces pa dhunë e incidente në 30 qershor), e më pas i janë drejtuar zyrave të Bashës e Ramës. Sipas burimeve diplomatike Basha i ka siguruar ambasadorët se e ka marrë mesazhin e qartë dhe se dhuna verbale e 24 orëve të fundit është “për të mos humbur entuziazmin e bazës”, e cila mund ta interpretojë si humbje, mbajtjen e zgjedhjeve nga të cilat u vetëpërjashtuan e që po mbahen me Ramën (akoma) kryeministër.

Por duket se shpresat për një dialog politik pas një 30 qershori të qetë, pa incidente e festa, janë shtuar. Ambasadorët kanë diskutuar sërish mundësinë e ardhjes pas zgjedhjeve të një të Dërguari të Posaçëm, i cili të nisë ndërmjetësinë mes palëve. Momenti më delikat është ai i një takimi Basha-Rama, pas refuzimit të prerë të të parit për të bërë një gjë të tillë, sa kohë Rama është kryeministër. Por duket se edhe këtu është gjetur një dakordësi “teknike”. Fillimisht do të realizohet takimi i Bashës me një politikan socialist të “pranueshëm” për të, e më pas edhe takimi me Ramën.

Dihet se Basha ka një miqësi me Pandi Majkon, me të cilin është takuar edhe në 2017, gjatë periudhës së çadrës në Rogner. A thua dhe pajtimi do kalojë sërish mes duarve të tij?

Rëndësi ka që pavarësisht çfarë thuhet e shkruhet, palët do përpiqen (s’kanë ku shkojnë) të sillen mire dhe urtë në 30 qershor, një datë që është e rëndësishme më shumë për ndërkombëtarët, sesa ata vetë. Puna më e madhe i mbetet Bashës, të cilit përveçse me të vërtetën si zakonisht, i duhet të përballet dhe me linjën e ashpër Brenda PD të përfaqësuar nga Berisha e që ka jo pak mbështetje. Burime diplomatike të konfirmuara edhe nga vetë Brenda PD, flasin se Basha e Berisha nuk përjetojnë ditët më të mira mes tyre. 30 qershori ndoshta do të jetë provë edhe për këtë: nëse Basha e ka apo jo në kontroll Partinë. Nëse s’ka incidente i bie që meqë s’mundi Ramën, së paku të mundë Berishën dhe tu tregojë ndërkombëtarëve se e “vrau” babën e vet. Nëse në 30 qershor në PD triumfon linja e dhunës dhe e forcës, atëherë Lulzim Bashën nuk ka askush që ta shpëtojë. As Berisha, as ndërkombëtarët dhe as Rama vetë!/ Realstory.al

“Princi” i tmerrshëm që do mbrojë Ramën. Avokati VIP që fiton çdo proces

Kryeministri Rama ditën e martë bëri atë që kishte premtuar. Ai njoftoi se kishte marrë një avokat për të paditur gazetarin gjerman Peter Tiede të BILD, i cili u bë i famshëm pasi publikoi disa audio-përgjime të dosjes 339 dhe 184.  “Sapo i kam dhënë prokurën avokatit gjerman Matthias Prinz, për nisjen e procesit gjyqësor mbi publikimet e Bild! Gjykatat gjermane le ta vendosin kush ka të drejtë e kush ka faj në këtë mes. ” tha Rama në Twitter.

Po kush është avokati gjerman që Rama ka zgjedhur për të ruajtur dinjitetin e tij dhe të shtetit shqiptar?

Sipas kërkimeve të realstory.al duket se zgjedhja nuk është aspak rastësore. Avokati gjerman Matthias Prinz është një “përbindësh” i vërtet për gjykatat dhe rastet e fituara prej tij janë të panumërta. Matthias Prinz është një avokat që punon në fushën e mbrojtjes së reputacionit dhe privatësisë, si dhe në ligjin e shpifjes dhe mediave. Një avokat mjaft i njohur në botë për mbrojtjen e të drejtave dhe privatësisë së njerëzve. Klientët e tij vijnë nga familjet mbretërore ku përfshihen Familjen Mbretërore Suedeze, Princesha Caroline e Hanoverit, Sulltani i Bruneit, Princi Albert i Monakos, për rastet e tyre të cenimit të privatësisë dhe shpifjes, deri tek personat e njohur në botë si Helmut Newton, David Beckham, Don Johnson dhe Karl Lagerfeld. Ai ka përfaqësuar edhe korporata të mëdha, duke përfshirë SAP, Audi, Volkswagen, T-Mobile.

Por ka një arsye përse Matthias Prinz (Princ) ka një klientelë kaq të rëndësishme. Ai i ka fituar TE GJITHA gjyqet dhe paditë.

Zgjedhja e Ramës ka qenë e mirëmenduar. Ndoshta jo aq sa për të fituar një gjyq, por për të bërë bujë e zhurmë ende pa e filluar atë. Vetë Peter Tiede reagoi duke i dërguar një pyetje retorike kryeministrit shqiptar: “Do më padisësh për audio përgjimet e vërteta?”.

Përgjigjen do t’ia japë këtej e tutje Princi “përbindësh” i gjykatave gjermane dhe jo vetëm. Dhe në procese gjyqësore, audio përgjimet nuk janë gjithmonë prova. Për këtë Peter Tiede mund të pyesë edhe Ilir Metën.

Bashkitë e opozitës: Nuk ka zgjedhje më 30 Qershor

Bashkitë që janë nën drejtimin e opozitës kanë vënë në dijeni Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se asnjë vendim i paligjshëm i këtij Komisioni nuk do t’i pengojë ato të marrin nën administrim ambientet në pronësinë e tyre, të zëna nga komisionet e administrimit zonal dhe grupet e numërimit. Bashkitë që drejtohen nga opozita i kanë dërguar të njëjtën shkresë njëkohësisht KQZ-së, ku vihet në dukje se i vetmi vendim për zgjedhjet, me fuqi ligjore, është dekreti i presidentit, që ka shfuqizuar datën 30 Qershor.

Duke shprehur vendosmërinë për zbatimin e këtij dekreti në shkresën e bashkive të opozitës thuhet marrja nga KQZ e kompetencave të Gjykatës Kushtetuese, çka po cenon sigurinë dhe stabilitetin demokratik në vend, nuk do të thotë që njësitë e qeverisjes vendore ta ndjekin pas KQZ-në në këtë absurd kushtetues.

“Ju bëjmë me dije se ne jemi të vendosur qё të marrim nën administrim ambientet, ku janë vendosur KZAZ dhe GNV, pa asnjë tolerim, pavarësisht pengesave të paligjshme që na janë krijuar nga Policia e Shtetit në të shkuarën.”- thuhet në shkresën e bashkive të opozitës

Gjithashtu, kryebashkiakët, njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se  “në datat 27 Qershor deri në 2 Korrik, ambientet që ishin vënë në dispozicion për zgjedhjet, përpara shfuqizimit të datës 30 qershor nga Presidenti, do të jenë në dispozicion të qytetarëve për aktivitete të ndryshme artistike, kulturore dhe letrare, që do të organizohen nga bashkitë apo për tubime të tjera.”

Duke iu referuar Kodit Zgjedhor, kryebashkiakët njoftojnë KQZ-në se kanë shfuqizuar aktet me të cilat kanë dërguar listën e zgjedhësve pranë KZAZ-ve, si dhe aktet për vendet e qendrave të votimit në bashkitë e tyre, ku nuk do të lejohet vendosja e asnjë material zgjedhor, si dhe aktet e propozimit për qendrat e votimit në ambientet private. 

“Këtë njoftim po e bëjmë për efekt të detyrimit që ju keni për të mos çuar dëm materialet zgjedhore, sepse zaptimi i ambienteve tona me material, që nuk janë të autorizuara nga ne të futen brenda, do të shkaktojë asgjësimin e tyre të menjëhershëm, në funksion të lirimit të ambienteve, për realizimin e aktiviteteve të qytetarëve”-thuhet në shkresën e kryebashkiakëve. Ata shprehen se KQZ po vepron në paligjshmëri, kur i referon bashkitë të zbatojnë e rezolutën e Parlamentit, një akt me natyrë jo detyruese, dhe jo dekretin e Presidentit, akt me natyrë detyruese dhe i vetmi në fuqi nëlidhje me zgjedhjet. 

Kryebashkiakët thonë hapur se duke mos zbatuar dekretin e Presidentit, gjë për të cilën do të mbajnë përgjegjësi personale, anëtarët e zgjedhur nga PS, e kanë shndërruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Komisionin e Garancive Statutore të Partisë Socialiste. “Në të ardhmen, ju lutem na kurseni kohën me shkresa e ultimatume të kota, sepse as nuk na impresiononi dhe as nuk e realizoni dot objektivin tuaj për të na intimiduar në ushtrimin me përgjegjshmëri të përgjegjësive tona kushtetuese e ligjore”- thuhet në shkresën e kryebashkiakëve të drejtuar nga opozita.

Mero Baze: Pse Perëndimi filloi të flasë sot, pro 30 Qershorit

Nga Mero Baze

Philip T. Reeker, asistent sekretar për Euroazinë në Departamentin Amerikan të Shtetit, i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama të mbajë zgjedhjet më 30 qershor. Në një bisedë telefonike mes tyre, Philip T. Reeker ka këmbëngulur për mos bërjen e asnjë hapi pas, në zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Para SHBA, ministri i Jashtëm italian ka telefonuar Edi Ramën dhe Lulzim Bashën, duke theksuar nevojën e shmangies së dhunës më 30 qershor.

Ndërkohë Bashkimi Europian në Tiranë, ka përcjellë mesazhe të qarta për 30 qershorin tek Rama dhe Basha, përmes takimeve nga vetë ambasadori Soreca, dhe pritet që gjatë javës të rrisin presionin për shmangien e dhunës dhe hapjen e rrugës për zgjedhjet.

Ofensiva e Perëndimit nisi menjëherë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, që konstatoi pavlefshmërinë absolute të Dekretit të Presidentit.

Kolegji Zgjedhor është gjykata më e lartë dhe  e vetme në Shqipëri, që gjykon rreth akteve administrative për zgjedhjet, dhe Kolegji ka respektuar Presidentin, duke u marrë me aktin e tij, pasi nuk e ka lënë Dekretin në ajër, pa gjykim mbi efektin që ka për zgjedhjet.

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe spekulimi me këtë mungesë, kishte lënë të dyzuar qëndrimin e Perëndimit, duke mos bërë deklarata interpretuese për fuqinë juridike të aktit të Ilir Metës.

Vendimi i Kolegjit, i jep shanse çlirimit të energjive diplomatike të Perëndimit për të kanalizuar zgjidhjen e krizës tek 30 qershori dhe më pas tek zgjidhjet që mund të jepen, për të shmangur përsëritjen e këtij precedenti të pashembullt kundër demokracisë në historinë e vendeve pluraliste.

Dhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor nuk ankimohen dot askund më. Ajo është “Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese” për zgjedhjet.

Presidenti Ilir Meta pritet të reagojë nesër në mëngjes ndaj këtij vendimi. Natyrisht nuk ka surpriza, se ai është kundër tij.

Por problemi i Presidentit është se, gjithë vendimet anti-kushtetuese që ka marrë deri më sot, i ka marrë nën garancinë, se meqë nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe meqë ajo u prish nga reforma në drejtësi, ai mund të bëjë ç’të dojë.

Tani ka një gjykatë zgjedhjesh që gjykon aktet administrative që prekin ato dhe presidenti Meta gjendet para një vendimi gjykate, të cilin është i detyruar ta zbatojë.

Në të kundërt, ka vetëm një rrugë. Ai mund të japë dorëheqje, siç dhe i këshillojnë. Ky akt politikisht e nxjerr korrekt, pasi nuk e pranon vendimin e Kolegjit, por dhe shmang përballjen politike me shumicën parlamentare, kur ta shkarkojnë në sallë.

Kjo është kostoja më e ulët me të cilën mund të përballet me Perëndimin dhe me zgjedhjet e 30 qershorit. Çdo vendim tjetër, do t’i kushtojë më shumë.

Skip to toolbar