Bashkitë e opozitës: Nuk ka zgjedhje më 30 Qershor

AKTUALITET


Bashkitë që janë nën drejtimin e opozitës kanë vënë në dijeni Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se asnjë vendim i paligjshëm i këtij Komisioni nuk do t’i pengojë ato të marrin nën administrim ambientet në pronësinë e tyre, të zëna nga komisionet e administrimit zonal dhe grupet e numërimit. Bashkitë që drejtohen nga opozita i kanë dërguar të njëjtën shkresë njëkohësisht KQZ-së, ku vihet në dukje se i vetmi vendim për zgjedhjet, me fuqi ligjore, është dekreti i presidentit, që ka shfuqizuar datën 30 Qershor.

Duke shprehur vendosmërinë për zbatimin e këtij dekreti në shkresën e bashkive të opozitës thuhet marrja nga KQZ e kompetencave të Gjykatës Kushtetuese, çka po cenon sigurinë dhe stabilitetin demokratik në vend, nuk do të thotë që njësitë e qeverisjes vendore ta ndjekin pas KQZ-në në këtë absurd kushtetues.


“Ju bëjmë me dije se ne jemi të vendosur qё të marrim nën administrim ambientet, ku janë vendosur KZAZ dhe GNV, pa asnjë tolerim, pavarësisht pengesave të paligjshme që na janë krijuar nga Policia e Shtetit në të shkuarën.”- thuhet në shkresën e bashkive të opozitës

Gjithashtu, kryebashkiakët, njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se  “në datat 27 Qershor deri në 2 Korrik, ambientet që ishin vënë në dispozicion për zgjedhjet, përpara shfuqizimit të datës 30 qershor nga Presidenti, do të jenë në dispozicion të qytetarëve për aktivitete të ndryshme artistike, kulturore dhe letrare, që do të organizohen nga bashkitë apo për tubime të tjera.”

Duke iu referuar Kodit Zgjedhor, kryebashkiakët njoftojnë KQZ-në se kanë shfuqizuar aktet me të cilat kanë dërguar listën e zgjedhësve pranë KZAZ-ve, si dhe aktet për vendet e qendrave të votimit në bashkitë e tyre, ku nuk do të lejohet vendosja e asnjë material zgjedhor, si dhe aktet e propozimit për qendrat e votimit në ambientet private. 

“Këtë njoftim po e bëjmë për efekt të detyrimit që ju keni për të mos çuar dëm materialet zgjedhore, sepse zaptimi i ambienteve tona me material, që nuk janë të autorizuara nga ne të futen brenda, do të shkaktojë asgjësimin e tyre të menjëhershëm, në funksion të lirimit të ambienteve, për realizimin e aktiviteteve të qytetarëve”-thuhet në shkresën e kryebashkiakëve. Ata shprehen se KQZ po vepron në paligjshmëri, kur i referon bashkitë të zbatojnë e rezolutën e Parlamentit, një akt me natyrë jo detyruese, dhe jo dekretin e Presidentit, akt me natyrë detyruese dhe i vetmi në fuqi nëlidhje me zgjedhjet. 

Kryebashkiakët thonë hapur se duke mos zbatuar dekretin e Presidentit, gjë për të cilën do të mbajnë përgjegjësi personale, anëtarët e zgjedhur nga PS, e kanë shndërruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Komisionin e Garancive Statutore të Partisë Socialiste. “Në të ardhmen, ju lutem na kurseni kohën me shkresa e ultimatume të kota, sepse as nuk na impresiononi dhe as nuk e realizoni dot objektivin tuaj për të na intimiduar në ushtrimin me përgjegjshmëri të përgjegjësive tona kushtetuese e ligjore”- thuhet në shkresën e kryebashkiakëve të drejtuar nga opozita.




Skip to toolbar