KQZ i përgjigjet Metës. Si u plotësuan vakancat e Kuvendit

Më të fundit


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është përgjigjur letrës së Presidentit Meta, ku kërkohej procedura e ndjekur për plotësimin e vakancave në Kuvend nga deputetët e rinj, pas djegies së mandateve nga Partia Demokratike, LSI dhe aleatët e tyre.

KQZ i ka dërguar Presidentit Meta të gjithë dokumentacionin, që nga nisja e mandatit pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 e deri te vendimet e deputetëve të opozitës për të lënë mandatet. Bashkangjitur me njoftimet e vendeve vakante, KQZ informon presidentin dhe për vendimet e dhënies së mandateve të deputetëve që kanë plotësuar vakancat në parlament, të ardhura nga listat shumë emërore të PD-së dhe LSI-së.


Letra e dytë e Presidentit drejtuar KQZ u konsiderua si një strategji e Metës për të mbrojtur veten nga një shkarkim i mundshëm nga Kuvendi i Shqipërisë, pas rezolutës së miratuar me 100 vota, që vinte në pah paligjshmërinë dhe shkeljet e Kushtetutës përmes dekretit të tij për anulimin e 30 qershorit.

Gjatë deklaratës të martën në mëngjes Meta nuk tha asgjë pse po kërkonte shkresat për deputetët. Ai pranoi se s`ka asnjë mjet për të ndaluar zgjedhjet në 30 qershor. “Duhet të keni të qartë që presidenti nuk ndërhyn për të penguar zgjedhjet partiake, por padyshim lidhur me 30 qershorin, kjo datë ka rënë. Nuk ekziston më ligjërisht. Kush do të zhvillojë zgjedhje partiake është i lirë”, tha Meta.




Skip to toolbar