Ajax shkëlqen me talentet dhe gjunjëzon Ronaldon (video)

Juventus është dorëzuar para talenteve të Ajax në shtëpi, duke u skualifkuar në çerekfinalen e Champions League. Skuadra e Allegrit nuk ka mundur të ruajë avantazhin që i dha Cristiano Ronaldo në minutën e 28` të takimit, duke u mundur me rezultatin 1-2 nga hollandezët, të cilët shkojnë në gjysmëfinale.

Vendasit e nisën më mirë ndeshjen duke kaluar të parët në avantazh me të përhershmin, Cristiano Ronaldo. Ky i fundit realizoi me kokë në minutën e 28` pas një goditje këndi, e shërbyer nga Pjanic.

Në fakt, pas goli arbitri u konsultua me teknologjinë (VAR-in), për të konfirmuar golin e portugezit pasi miqtë patën pretendime për një faull në zonë.

Mirëpo Ajax nuk dorëzohet dhe reagon menjëherë. Van de Beek realizon golin e barazimit, pasi merr një pasim brenda zonës, dhe përballë Sheznit realizon golin e barazimit. Ky gol krijon besim te skuadra mike, megjithëse pjesa e parë mbyllet në shifra të barabarta.

Në pjesën e dytë Ajax kërkon golin e fitores, ndërsa Juve vuan problemet në mbrojtje. Kështu do të shënohej dhe goli i dytë për miqtë, nga Matthijs de Ligt. Qendërmbrojtësi holandez realizon me kokë një gol spektakolar, pas një goditje këndi.

Kështu shifrat shkojnë në 1-2 për miqtë, të cilët kanë avantazhin e tre golave, pasi kanë në favor dhe golin e shënuar në ndeshjen e parë në shtëpi, që përfundoi barazim 1-1.

Fitorja e sotme i fut në histori talentet e skaudrës së Ajax, që këtë sezon të  Champions League kanë surprizuar këdo, madje duke lënë jashtë gjysmëfinales Cristiano Ronaldon, lojtarin që e ka fituar më shumë se kushdo Champions League në dekadën e fundit.

Mesi çon Barcelonën në “planetin” tjetër (video)

Barcelona nuk e ka diskutuar kualifikimin në gjysmëfinalen e Champions League mbrëmjen e sotme ndaj Manchester United. Katalanasit kanë fituar 3-0 në “Camp Nou” ndaj “Djallit”, duke prerë një biletë për në gjysmëfinale.

Ka qenë i zakonshmi Lionel Messi ai që ka zhbllokuar rezultatin për Barcelonën në minutën e 16`.

Argjentinasi ka bërë një lëvizje spektakolare jashtë zone, duke kaluar disa mbrojtës kundërshtar dhe më pas ka gjuajtur drejt rrjetës duke mposhtur De Gean.

Katër minuta më vonë “pleshti” ka dhuruar spektaklin e radhës, i ndihmuar këtë herë dhe nga gafa e portierit të United, De Gea.

Messi rrëmben një top dhe afrohet në kufijt e zonës kundërshtare, teksa gjuan me të djathtën. De Gea  e kap topin por nuk e kontrollon si duhet, duke e lënë të shkojë drejt rrjetës.

Kështu do të mbyllej pjesa e parë e takimit, teksa skuadra e Ole Gunnar Solskjaer nuk arriti të krijonte rrezik në portën kundërshtare. Madje vendasit do të trefishojnë me Coutinho në minutën e 61`, duke vulosur fitoren e Barcelonës 3-0.

Holanda kërkon vendosjen e vizave, MPJ: Ja si do të veprohet

Ministria e Jashtme ka sqaruar për të gjithë shtetasit shqiptarë se çfarë do të ndodh pas mocionit të parlamentit të Holandës për heqje të përkohshme të vizave për Shqipërinë. Përmes në deklarate për mediat, Ministria e Jashtme sqaron se mocioni i Holandës për t’i kërkuar Bashkimit Evropian inicimin e procedurës për pezullimin përkohshëm të liberalizimit të vizave nuk ndryshon rregullat e lëvizjes drejt vendeve Shengen.

“Shtetasit shqiptarë do të vazhdojnë të lëvizin të lirë drejt vendeve shengen sipas praktikës të derisotme dhe duke plotësuar vetëm kushtet aktualisht në fuqi. Një shtet anëtar i BE mund t’i kërkojë Komisionit Evropian hapjen e procedurës së pezullimit të lëvizjes pa viza vetëm mbi bazën e kushteve të mirëpërcaktuara në legjislacionin e BE dhe asnjë kusht nuk plotësohet për paraqitjen e kësaj kërkese nga Holanda për Shqipërinë.” – shkruhet në deklaratë.

Megjithatë Ministria e Jashtme ka sqaruar se do të jetë Komisioni Evropian që do të shqyrtojë kërkesën dhe do t’i jap përgjigje Holandës, duke gjykuar objektivisht, në bazë të fakteve dhe shifrave zyrtare.

“Jemi besimplotë se rezoluta në fjalë nuk mund të gjejë mbështetje në Komisionin Evropian, pasi asnjë nga kriteret që do të çonin në aplikimin e mekanizmit të pezullimit të përkohshëm nuk është plotësuar në rastin e Shqipërisë.” thotë Ministria e Jashtme.

Elbasan, lihen në burg 6 të arrestuarit me kokainë

Disa ditë pas arrestimit të tyre, kanë dalë para Gjykatës së Elbasanit, 6 të arrestuarit gjatë operacionit të koduar “Shënkolli”.

Të arrestuarit janë njohur me masën e sigurisë ‘arrest me burg”, pasi akuzohen për trafikimi të lëndëve narkotike në doza të vogla në qytetin e Elbasanit.

Gjatë operacionit u sekuestrua 550 gr kokainë, ndërsa u arrestuan shtetasit:

Klaudjo Trungu, 31 vjeç, banues në Elbasan

Agron Qafa, 45 vjeç, banues në Tiranë, me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit

-Skënder Pëllumbi, 23 vjeç, banues në Elbasan

-Lavdosh Demaj, 35 vjeç, banues në Elbasan

-Lorencio Gjini, 25 vjeç, banues në Elbasan

-Klajdi Gjeçi, 32 vjeç, banues në Elbasan me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit

Trafikonin sasi të mëdha droge, 44 të arrestuar, mes tyre dhe shqiptarë

Policia italiane e sektorit anti-drogë ka bërë të mundur shkatërrimin e një grupi kriminal që trafikonte drogë në disa vende të Italisë.

Një operacion i gjerë i zhvilluar në krahinat e Chieti, Pescara, Teramo, L’Aquila, Varese, Milano dhe Romë ka çuar në 44 arrestime, mes tyre edhe shumë shqiptarë.

Operacioni i koduar “Rubino” është rezultat i një hetimi që zgjati rreth dy vjet që lejoi goditjen e një grupi të ashpër kriminal, kryesisht me prejardhje ballkanike.

Gjatë hetimeve, 25 individë u arrestuan në flagrancë nën akuzën e tregtimit të sasive të mëdha të lëndëve narkotike si dhe u hetuan 57 subjekte të tjera. Ndërsa personat e tjerë u arrestuan gjatë hetimeve të mëtejshme.

Policia sekuestroi 300 kg marijuanë të një prej cilësive më të mira dhe armë e municione pa fund. Po të dilte në treg, droga do të kishte një vlerë mbi 5 milionë euro.

Përfundon seanca në CAS, Skënderbeu pret vendim e rëndësishëm!

Skënderbeu ka përfunduar seancën dëgjimore në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Zvicër. Drejtuesit e klubit korçar së bashku me avokatin e studios ligjore, që ka punuar gjatë kësaj periudhe për të mbrojtur Skënderbeun, kanë dhënë argumentet e tyre në lidhje me rrëzimin e dënimit të dhënë nga UEFA, që konsiston në 10 vite përjashtim nga kupat e europës dhe 1 milion euro gjobë, pas akuzës së ngritur për trukim ndeshjesh.

Seanca dëgjimore me trupën gjykuese në CAS ka nisur në orët e paradites, duke zgjatur deri rreth orës 18:00 pasdite. Nga sa mësohet deri tani, Skënderbeu e ngritur mbrojtjen mbi dy pika themelore, atë të përfshirjes direkte në trukime, gjë e cila nuk është vërtetuar, sipas klubit të korçar dhe pika e dytë ajo e përfitimit direkt nga trukimet, që gjithashtu nuk është vërtetuar nëse drejtuesit e klubit korçar kanë përfituar para nga bastet e vëna gjatë kohës që UEFA dyshon se janë kryer manipulimet e rezultateve.

Ndërkohë, UEFA pretendon në një raport të hartuar nga dy anëtar të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës, se Skënderbeu është përfshirë në rregullimin e rezultateve në ndeshjet ndërkombëtare, që ka luajtur në kompeticionet ndërkombëtare të organizuara nga UEFA. CAS pritet të zbardhë vendimin brenda katër javësh, për të mësuar nëse do të mbetet në fuqi vendimi fillestar i UEFA-s, apo do të rrëzohet.  

Cërrik, humb kontrollin e mjetit, një i vdekur

Një person ka humbur jetën pasi ka humbur kontrollin e mjetit që drejtonte. Shtetasi me iniciale B.L. , 50 vjeç, banues në fshatin Mollas, ka humbur kontrollin e motoçikletës që drejtonte duke u rrëzuar. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Gostimë – Mollas.

Rrëzimi ka qenë fatal për 50 vjeçarin, i cili ka humbur jetën rrugës për në spitalin e Cërrikut. Policia po heton për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Tiranë, goditet grupi kriminal, sekuestrohet 111 kg drogë

Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë 3 shtetas, pais u kapën me një sasi prej 111 kg lëndë narkotike e dyshuar “Cannabis Sativa”, në formën e çokollatës.

Arrestimet u kryen në kuadër të operacionit të koduar “Çokollata”, nga forcat e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale, në DVP Tiranë.

Si rezultat i operacionit në rrugën “Pavarësia” në Tiranë, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. K., 37 vjeç, M. L., 33 vjeç, I. G., 57 vjeç, të gjithë banues në Tiranë

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, dyshonte se shtetasi I. G., në bashkëpunim me shtetasit E. K., M. L. dhe persona të tjerë, tregtonin lëndë narkotike të llojit “Cannabis Sativa”, të presuar në formë çokollate, në sasi të konsiderueshme.

Mesditën e sotme shtetasi I. G., që drejtonte automjetin “Citroen”, bënte lëvizje të dyshimta në rrugën “Pavarësia”, duke shoqëruar automjetin tjetër “Mercedez – Benz”, me drejtues shtetasin E. K. dhe pasagjer shtetasin M. L., ku dyshohej se këta të fundit kishin në automjetin e tyre lëndën narkotike.

Policia ka ndaluar mjeti “Mercedez – Benz” me drejtues shtetasin E. K. dhe pasagjer shtetasin M. L., janë gjetur në bagazhin e këtij mjeti 4 thasë, ku brenda tyre kishte lëndë të dyshuar si “cannabis sativa”, të presuar në formë çokollate. Gjithashtu rreth 50 m larg automjetit të parë, është ndaluar dhe automjeti tip “Citroen”, me drejtues shtetasin I. G. Sasia e lëndës së dyshuar narkotike, pasi u peshua, rezultoi 111 kg.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim”

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/vb.1502420603377639/449099659160349/?type=2&theater

Vendosja e vizave nga Holanda, reagon opozita

Pas votimit të mocionit për heqjen e përkohshme të vizave për shqiptarët në Zonën Shengen në Parlamentin e Holandës, kanë qenë të shumtë edhe opozitarët shqiptarë që kanë reaguar ndaj këtij lajmi aspak të mirë për Shqipërinë.

Në një deklaratë për mediat ish Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha kërkoi nga ministri Cakaj, ministri Lleshja dhe kryeministri Rama të bashkëpunojnë me Holandën dhe të pastrojnë imazhin e Shqipërisë.

“Ky vendim i paprecedentë, të cilin e kam paralajmëruar shumë kohë më parë, që pas konkluzioneve të Këshillit në Qershorin e kaluar, po vendos në rrezik një të drejtë të qytetarëve tanë, të fituar 10 vjet më parë për të lëvizur të lirë në hapësirën Shengen. I bëj thirrje Ministrit të Jashtëm, të komanduar në mënyrë antikushtetuese të mos merret më me targat dhe pasaportat diplomatike, por në mënyrë urgjente të kërkojë dialog me palën holandeze për të frenuar këtë fenomen, që mund të marrë përmasa të papërshkrueshme në debatin e ardhshëm të Këshillit, pra të vendeve anëtare. I bëj thirrje Ministrit të Brendshëm të ndalë menjëherë arrestimet e qytetarëve që protestojnë paqësisht në të drejtën e tyre, dhe të merret seriozisht me të gjitha instancat që ai drejton, për të luftuar krimin e organizuar që nuk ka destabilizuar tashmë jo vetëm Shqipërinë, por është prezent përtej kufijve tanë. I bëj thirrje të nisë urgjentisht bashkëpunimin me institucionet e rendit të Holandës dhe të vendeve të tjera anëtare, për të goditur në partneritet këtë fenomen që po cënon rëndë të drejtat e të gjithë qytetarëve shqiptarë. I bëj thirrje Kryeministrit të ndalë arrogancën, memet, fyerjen dhe përçmimin që po i bën në mënyrë të përditshme Shqipërisë dhe shqiptarëve, të gjejë urgjentisht një rrugëdalje dhe zgjidhje për këtë vendim, i cili do të mbajë peng të ardhmen evropiane të Shqipërisë.” – ka thënë Gjosha

Ndërkohë nënkryetari i PD-së, Edi Paloka e cilësoi ngjarjen tepër të keqe dhe u bëri thirrje shqiptarëve të ngrihen dhe të mos lejojnë të rikthehen ditët e zeza të radhëve të gjata në nëpër ambasada.

“Nuk ka kaluar shume nga koha kur në tentativë për të shkuar drejt perëndimit, qindra jetë shqiptarësh humben në ujërat e ftohta të detit apo rrëpirat e maleve. I kemi harruar! Kemi harruar radhët e gjata neper ambasada! Prindër qe prisnin me muaj për një vize sepse i kishte marre malli për fëmijët emigrant. Vize qe ne shumicën e rasteve as nuk arrinin ta merrnin ne se nuk paguanin sekserë e matrapazë jashtë e brenda ambasadave…” – shkruan Paloka

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=2108975852733723&id=100008639860309

Ndërsa Petrit Vasili e konsideroi vendimin e Holandës si një tjetër ditë të zezë për shqiptarët nën qeverisjen Rama.

“Kryeministri dhe qeveria nuk e luftojnë krimin, por mbështeten tek ai dhe përdoren prej tij. Opozita po kërkon me forcë largimin e kryeministrit sepse çdo ditë që ai rri në karrige është ditë e zezë për shqiptaret. Sot shqiptaret morën lajmin më të keq qe mund te mendohej. Ka vetëm një fajtor, ai është kryeministri që po çon vendin drejt greminës. Asnjë hap pas për largimin e tij si shpëtimin e vetëm te Shqipërisë nga të tjera mënxyra dhe nga të tjera lajme të zeza”- shkruan Vasili.

https://www.facebook.com/petritvasil/posts/2068757680090720

Tahiri në bankën e të akuzuarve, caktohet seanca e parë gjyqësore

Pas mbylljes së hetimeve më 28 shkurt nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, është caktuar edhe seanca e parë gjyqësore ndaj ish ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri.

Tahiri do të ulet në bankën e të akuzuarve më 19 qershor, ndërsa çështja do të gjykohet nga gjyqtarët Ardit Mustafaj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka.

Ish ministri do të gjykohet për akuzat “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Skip to toolbar