Gazeta Dita provokon Ramën: Bëj testin e drogës

Gazeta “BILD” publikoi disa përgjime të reja që kanë lidhje me Shqipërinë.

Bëhet fjalë për zgjedhjet e vitit 2017 dhe përgjimet zbulojnë këtë here me audio mekanizmin e njohur prej kohësh të lidhjes së të fortëve të rrugës me piramidën e politikës shqiptare.

Qytetarit jomilitant partiak nuk i duhet edhe aq nga e kanë burimin, kush i nxori dhe pse.

Atij fillimisht i bën përshtypje gjuha e halabakëve të rrugëve, të cilët bëjnë ligjin në një parti politike, në më të madhen, më të qetën e deritashme, ku kanë milituar në vite figura të nderuara të skenës politike dhe intelektuale shqiptare.

Njeriu i zakonshëm dëgjon se si një bandit ordinier vendos se kush do të jetë kandidat për deputet; ai thërret në takim shefat e bashkive si të thërriste dy nevojtarë që shohin duart e tij; ai premton një rezultat fantastik zgjedhjesh që të habitë shefin e qeverisë, atë nga i cili pret të shpërblehet dhe “të dali i nderum” ; ai i thërret njerëzit një nga një për një kafe dhe i tregon se për cilin duhet votuar.

Nuk është as drejtues fushate, as njeri që haptas punon për një forcë politike, por thjeshtë një i rrugës. I cili e sjell partinë nëpër duar si një palë tespije.

Që PD-ja e ka pasur këtë tabiat kurdoherë, kjo është e ditur. E kanë dëshmuar si budallenj të klasit të parë në zgjedhjet e vitit 1996, e kanë përsëritur në zgjedhjen e Bashës si kryetar bashkie, e ka risjellë në zgjedhjet e vitit 2009, kur nuk lejoi të hapej se një kuti e vetme dhe dogji mes shkurreve të gjitha fletët e votimit.

Por PS-ja nuk është votuar të bëhet si ajo, por të ishte ndryshe nga ajo; ajo nuk është votuar që të nxjerrë në krye një farë Rilindje të vjedhjes dhe abuzimit, të mediokritetit, papjekurisë, amatorizmit dhe gagaçllëkut politik; nuk është votuar për të kthyer një parti të madhe që ka mbështetjen e shumicës së qytetarisë shqiptare, në kapsollë të kryetarit; është votuar të promovojë mendjet e mençura të vendit; ajo nuk ka fituar për t’u sjellë në majë të gishtërinjve nga disa banditë, por për të bërë zap banditët. Përfshirë ata që zëvendësoi në pushtet të cilët, të pandëshkuar, sot po i rikallin flakën vendit. Përfshirë oligarkët e tyre që dikur ishin bëri klientë të PD e sot janë jo vetëm klientë, por ca më keq: mentorë të Rilindjes që na shkruajnë edhe programet e qeverisjes për vitet e ardhshëm.

Në fakt banditët e kanë kapur Rilindjen dhe kjo e fundit ka kapur PS-në.

Si shkuan gjërat deri këtu, sa që njerëzit sot nuk e krahasojnë më të mirën me të keqen, por të keqen më të vogël, me të keqen më të madhe? Pse Rama gjithnjë e më shumë po rrëshket në drejtim krejt të kundërt me atë për të cilin e votuam? P

ërse të gjithë këta njerëz, të cilët janë pjesë e përgjimeve dhe të tjerë që i di edhe vetë Rama, janë rikandiduar, janë rimbështetur, janë rizgjedhur? Shefi i gjatë, i ka ditur dhe përsëri i ka promovuar. I ka njohur dhe u ka hapur rrugën. I ka dëgjuar dhe i ka mbështetur. I merr dhe në mbrojtje me shoprehje vulgare që fyejnë inteligjencën e çdo qytetari të mesëm se “kështu na ndodhka në gjithë botën”. A përnjimend?

Asnjëherë më parë PS-ja nuk ka qenë e njohur për banditizëm të tillë. Rama, përmes Rilindjes, po shkon drejt kriminalizimit të PS-së, njëjtë si bëri e po bëjnë dy B-të me PD-në.

Po bëhen dy qershia të lidhur në një rrfanë, por të prishura.

Rama, për hir të pushtetit ka shkuar larg me imazhin që duhej të kishte një forcë e majtë, progresive, më e madhja në vendin tonë, e cila ka vuajtur nga dhuna e rrugaçëve politikë dhe nuk ka menduar kurrë se duke qenë kudhër, një ditë do të bëhet çekani i së keqes.

Shkurt e shkoqur: U pëlqen apo jo disave, ai nuk duhet lejuar të vijojë kriminalizimin e mëtejshëm të forcës politike që e grabiti përmes një besimi të rremë që krijuan ata që ende sot, i rrinë pranë dhe heshtin.

PS, shumë më e pastër, më fisnike, më inteletuale dhe më qytetare se sa halabakët e PD-së, nëse vazhdon të lerë shefin në rrugën e banditizmit, do të halabakizohet përfundimisht.

Bindja po zevendëson arsyen dhe është koha, ndoshta e vonshme, që forcat e duhura brenda saj të mendojnë seriozisht që të venë më parë Shqipërinë e pastaj partinë; të vendosin nderin e fjalës dhe të jetës së tyre përpara servilizmit ndaj shefit që nesër i nxirrka në rrugë; të vendosin dinjitetin dhe të kërkojnë mëvetësinë e mendimit të tyre, duke ndryshuar sistemin e zgjedhjes, të cilën e vendosën brutalisht dy autokratë në 2008.

Reagimet skandaloze të djeshme të Ulsi Manjës për audio-përgjimet tregojnë se nuk ka asnjë reflektim, nuk ka asnjë mendim ndryshe, serioz dhe të dinjitetshëm. Kjo të frikëson, kjo e errëson edhe më të ardhmen.

Një tufë lapanjozësh sot si dje, i janë vërsulur shtetit përmes pushtetit. Shihni ku është katandisur drejtimi i PS, organet drejtuese: një kryesi me individë pa personalitet, të pashkolluar, plagjiaturistë diplomash, të verbër politikisht; partia sundohet nga kalibrat më të ulët të jetës së saj politike, nga mediokër politik të tipit Balla etj.

Pse? Sepse vetëm të tillët sundohen lehtë, por kjo është kaq banale dhe kaq e pafalshme t’i rindodhë Shqipërisë.

Rilindja po e shkëpt të majtën nga shtresa e varfër dhe e mesme, nga veteranët e luftës dhe familjet e tyre; po e ballistizon, në formë, frymë, ide, vizion, përkushtim, mendim, e në “pulari” shumë milionëshe, një forcë politike, e cila, nëse nuk reagon, pas ikjes së Ramës, sepse shpejt do të ikë, do të katandiset në një copëz të mëshirshme, por që do të jetë vonë të kuptojë se e gjitha i erdhi nga heshtja e saj, nga koka e saj dhe nga bashkimi me të keqen.

Çfarë do të lejojmë të lërë pas Edi Rama? Një parti të marrë fund? Një parti minore që nuk do të kujtohet për asgjë tjetër, veçse si iu dorëzua në fund një njeriu që e rropi, e shplau nga idetë, e vendosi në duart e horrave dhe e ktheu në një harem politik çupërlinash e dylberësh me rroba firmato dhe kokën bosh?

Ftojmë lexuesin të reflektojë mbi perspektivën e PS. Pas Ramës çfarë do mbetet: Një institucion? Sië e gjeti dhe e mori i gjati, i pashmi, karizmatiku i Rilindjes? Apo një gërmadhë? E zbrazur nga minjtë e hajdutërisë së re që braktisin anijen në mbytje?

Rama mendohej të ishte njeriu i shpresës në PS. Në fakt, ai e vrau shpresën.

Ne të Ditës kemi dhe një lutje për të.

Në shkrimin e djeshëm të gazetës gjermane ngrihej pyetja pse ai vetë dhe drejtuesit e tjerë politikë në Tiranë nuk pranojnë të bëjnë testin e drogës.

Ftojmë Ramën ta bëjë këtë test që t’u japë fund dyshimeve që është vetë një përdorues droge.

Ne të Ditës e dimë më mirë nga të gjithë që ai nuk merr drogë. Dhe ai e di, që ne e dimë.

Bëje testin Edi, mos ki frikë.

Se po e bëre ti, do ta bëjnë të gjithë e do shpëtojmë nga këta të drogumit. Si thua?

Dita.al

Nations League, tripleta e Ronaldos kualifikon Portugalinë në finale

Portugali avancon më tej në finalen e Nations League pasi ka mundur Zvicrën me rezultatin 3-1 në Grupin A.

Cristiano Ronaldo kaloi skuadrën portugeze në avantazh në minutën e 25, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej me këtë rezultat.

Mirëpo Zvicra rikthehet më agresive me nisjen e pushimit të pjesës së dytë, duke fituar një penallti në minutën e 57`.

Rodriguez nuk gaboi nga gjuajtja e njëmbëdhjetë metërshit, duke vendosur barazpeshën në fushë, por që do të mbetej e përkohshme.

Për të rikthyer Portugalinë në avantazh mendon përsëri CR7, që në minutën e 88` duke shënuar golin e dytë personal dhe të dytin për skuadrën e tij.

Mirëpo Ronaldo nuk ndalet me kaq, pasi dy minuta më vonë, kur po luhej minuta e fundit e takimit, ai shënon dhe golin e tretë për Portugalinë, duke vulosur fitoren e ekipit të tij, që avancon në fazën tjetër.

Portugali do të përballet në finale me fituesen e çiftit Hollandë-Angli që do të luhet të enjten në mbrëmje.

https://www.youtube.com/watch?v=eL1ivlAjpv0

Kina prezanton çipin që na “lexon mendjen”

Një çip që lexon mendimet dhe lejon të kontrolloni një kompjuter apo telefon vetëm përmes të menduarit është prezantuar në një konferencë në Kinë. I quajtur “Brain Talker”, çipi punon duke mbledhur impulse të vogla elektrike në tru dhe më pas i duke i dekoduar ato në sinjale për një kompjuter mund të arrijë t’i interpretojë. Çipi mund të përdoret për të kontrolluar kompjuterë, smartphone dhe pajisje të tjera vetëm përmes mendimeve pa qenë nevoja të lëvizni apo shtypni një buton.

Çipi “Brain Talker” është zhvilluar nga Universiteti Tianjin dhe Korporata Elektronike e Kinës. Është ende e paqartë se si do të përdoret ky çip, por sipas prodhuesve të saj është një ndër më efektivët dhe të shpejtët që ekziston deri më tani në lidhje me zhvillimin teknologjik të ”leximit të mendimeve”.

“Bota” sfidon “pasqyrën” për Shqipërinë. Die Welt kundër Bild: Ja pse Shqipëria meriton Europën

E përditshmja e madhe gjermane, “Die Welt”, ka publikuar ditën e sotme një botim special të përbërë nga më shumë se 20 artikuj dhe pothuajse 30 intervista rreth vendit tonë.

Të gjithë këto artikuj arrijnë në një konkluzion të vetëm: Shqipëria, e quajtur nga “Die Welt” si dikur kandidati më pak probabël, sot e meriton më shumë se kushdo tjetër të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.

“Nuk them asgjë të re, teksa pranoj që Shqipëria ka hedhur hapa të mëdhenj përpara”. Me këtë frazë të Kancelares Anxhela Merkel, “Die Welt” nis specialen e saj.

Çfarë mundet t’i ofrojë BE-së një vend i vogël si Shqipëria, me ekonominë e saj mikroskopike krahasuar me bllokun e Unionit? “Die Welt” përgjigjet se: “Shqipëria ofron një recetë të jashtëzakonshme bukurie, historie dhe klime, me një potencial të jashtëzakonshëm turistik. Ofron dalje në det, stabilitet politik, një stil europian jete, por mbi të gjitha, ka dëshmuar gatishmërinë për t’u përshtatur, veçanërisht sa i përket 5 përparësive kryesore të BE-së: administrata publike, shteti ligjor, korrupsioni, krimi i organizuar dhe të drejtat e njeriut”.

Në vijim, gazeta gjermane ndalet tek ekonomia. “Sistemi bankar, më i shëndetshëm se kurrë më parë, në vitin 2018 njohu 147 milionë euro përfitime. Kreditë e këqija, nga ana e tyre ranë nga 25% e totalit në vitin 2015, në 11% në 2019-n. Papunësia, nga 18,7% në 12,3%, me projeksionin për t’u ulur në vijim në 8%, më mirë se shumë prej vendeve anëtare”.

E gjitha kjo, në një vend që që prej vitit 1992, ka 18-fishuar Prodhimin e tij të Brendshëm Bruto. Ndaj, “Standard & Poor” jep një parashikim pozitiv për të ardhmen e vendit, duke paralajmëruar një rritje të vlerësimit, e duke nënvizuar se rritja do të mbetet më e lartë se 4% në vit deri të paktën në 2022.

Në ciklin dedikuar turizmit, “Die Welt” shkruan për “një vend përrallor mesdhetar, me plazhe idilike, por jo të mbipopulluara (të paktën deri tani)”, e që ka shumë se çfarë do të ofrojë veç peisazheve të veta. “Tirana, kryeqyteti, i është nënshtruar një rilindje të plotë urbane, që ka transformuar grinë e zymtë të komunizmit në një të tashme të mbushur me ngjyra, festa dhe jetë kulturore”.

Sipas të përditshmes, për të arritur objektivin e 10 milionë turistëve në vit, Shqipërisë i duhen ende investime në infrastrukturë. Por, vendi është në rrugën e duhur. Rruga e Arbrit, një investim prej 250 milionë eurosh, po realizohet pas 20 vitesh premtime. Janë në plan për t’u ngritur dy aeroporte të rinj, në Kukës dhe në Vlorë, ndërsa hekurudhat e degraduara të komunizmit më në fund po rehabilitohen, me investimin për linjën elektrike Tiranë-Rinas-Durrës e planin për dy lidhje të reja me Malin e Zi e Greqinë. Megjithatë, për Shqipërinë, një potencial i shkëlqyer vjen nga projektet europiane, mbi të gjitha Korridori i Kaltër që e lidh me Kroacinë e më tej.

Tek energjia, “Die Welt” veçon faktin që Shqipëria është ndër vendet e pakta në të gjithë botën që prodhon energji pothuajse 100% të rinovueshme, e se kapacitetet janë duke u rritur vit pas viti. Me zbulimin e ri të bërë nga “SHELL” së fundmi, Shqipëria mund të shndërrohet në një eksportues kryesor europian të naftës dhe gazit natyror, vijon gjermania.

Pavarësisht të gjitha këtyre arritjeve, një sfidë e veçantë në luftën kundër pabarazisë mbetet gjithpërfshirja dhe ilaçi për këtë është programi i “100 fshatrave”. “Një program unik, që promovon turizmin rural, por mbi të gjitha ofron incentiva të qarta për zgjerimin e industrisë së agroturizmit dhe artizanatit”.

Shumë e veçantë pikëpamja e “Die Welt” sa i përket krimit të organizuar. “Kur Shqipëria hapi kufijtë e saj në vitin 1991, turistët nisën të vijnë dhe qytetarët e saj të largohen drejt vendeve të Europës, deri atëherë të ndaluara për ta. Midis të larguarve ishin edhe kriminelët, që panë një mundësi për të zgjeruar aktivitetet e tyre të jashtëligjshme.

Kriminelët e rikthyer shpesh janë bërë më të sofistikuar pasi kanë mësuar prej bosëve të krimit jashtë vendit, ndaj edhe puna për të luftuar krimin e organizuar është bërë shumë më e vështirë. Edhe pse Shqipëria ka shpesh një etiketë të keqe, bashkëpunimi ka sjellë fryte. Përshembull, sasia e kanabisit me prejardhje shqiptare të kapur në Itali ra me 81% nga 2017-ta në 2018-n”, thekson “Die Welt”.

Për të përditshmen gjermane, edhe reforma në drejtësi është një përvojë unikale midis vendeve kandidate për anëtarësimin. “Gjysma e prokurorëve dhe gjykatësve janë eliminuar nga sistemi, ndërsa po krijohet një agjensi e re, si FBI që do të ketë detyrën e posaçme për të hetuar politikanët, zyrtarët e lartë dhe krimin e organizuar”.

Ciklin e saj të intervistave, “Die Welt” e nis me Kryeministrin Edi Rama, i cili pyetet për mundësinë e hapjes së negociatave. “Duhet të saktësoj se ne nuk pretendojmë të anëtarësohemi në BE që tani, ne thjesht duam hapjen e negociatave. Koha për t’u anëtarësuar do të vijë më vonë. Është si të planifikosh një martesë, por jo të martohesh menjëherë. Kjo e bën të gjithë këtë situatë edhe më fruestuese dhe edhe më absurde sepse ndërsa kemi bërë gjithçka që na është kërkuar për hapjen e negociatave, trajtohemi sikur duhet të vendoset që tani nëse do të jemi apo jo pjesë e Unionit. E kjo është thjesht e pavërtetë”.

Rama thekson rëndësinë që ka për të gjithë vendet e rajonit dhënia e një sinjali pozitiv, që të dëshmojë se Europa është e përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor. Për “Die Welt”, e veçantë është pikëpamja e Ramës për Kancelaren Merkel. I pyetur për të, Rama thekson se: “Kancelarja Anxhela Merkel është e papërsëritshme dhe ajo ka një vizion tejet të qartë rreth Ballkanit, rreth të shkuarës dhe të ardhmes së këtij rajoni. Kjo është arsyeja përse ajo ka qenë dhe mbetet kampionia jonë”.

Mes të tjerave, “Die Welt” interviston edhe ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca. “Shqipëria ka bërë një progres të qënësishëm gjatë dy viteve të fundit, sidomos në reformën në drejtësi, që është thelbësore për të ardhmen e vendit. Ndaj i bëj thirrje investitorëve të huaj se nuk duhet të fokusohen tek problemet, por tek mundësitë që ofron Shqipëria. Edhe në këtë situatë politike të vështirë, rritja ekonomike është tejet e lartë, shumë më e lartë se disa nga vendet europiane. Kështu vazhdon prej disa vitesh dhe parashikimet janë pozitive. Ka shumë potencial për një rritje të mëtejshme”, thekson Soreca.

Lexo.al

Zbulohen 3 laboratorë droge të “El Chapos” në Meksikë

Një aksion i ushtrisë meksikane ka çuar në zbulimin e 3 laboratorëve në veri të Sinaloa, që prodhimin drogë sintetike. Sipas zyrtarëve në laborator do të prodhoheshin mbi 17 milionë doza metamfetamine në formë të kristalizuar, që kryesisht kontrabandohen drejt SHBA, që është edhe konsumatori më i madh i drogës në botë. Shumica e metamfetaminës në dispozicion në Shtetet e Bashkuara është prodhuar në mënyrë klandestine në Meksikë.

Ministri i sigurisë i Sinaloa, Cristóbal Castañeda Camarillo tha se një numër gjithnjë e më i madh i laboratorëve të drogës po zbulohen, ndërsa Sinaloa është dominuar prej kohësh nga karteli kriminal me të njëjtin emër. Ish udhëheqësi i saj, Joaquín “El Chapo” Guzmán, edhe pse i arrestuar në 2016, karteli i tij Sinaloa ka ende ndikimin më të madh të trafikimit të drogës në SHBA cilëson DEA.

Mero Baze: “399”, pazari i Bashës për marrëveshje dhe prokurorët politikë

Nga Mero Baze

Është e treta herë që publikohet dosja “339”. Në fillim shqip, nga gazetarët që punonin si zëdhënësa jozyrtarë, të prokurorëve që u prekën nga reforma. Dhe në fakt, atëhere ishte dhe më serioze. Prokurorët që kishin dosjen nuk vepruan, pasi donin të bënin pazar me dosjen për vendin e tyre të punës, të rrezikuar nga Vettingu. Një prej tyre, më i famshmi, që furnizonte gazetarët me pjesë nga dosja në çdo emision, i humbi shpresat se mund të bënte punë me dosjen, dhe e çoi në zyrat e opozitës.

Pastaj dosjen e rimori BIRN dhe “Zëri i Amerikës”, të cilët bënë me të një raport më serioz. E dëgjuam dhe në anglisht. Me të u motivua ikja nga Kuvendi dhe djegia e mandateve.

Pastaj nisi lobimi i Bashës në Gjermani, me shpresë të bllokojë negociatat dhe të justifikojë bojkotin e zgjedhjeve. Dosja u përkthye dhe në gjermanisht, dhe ju dha një gazete gjermane. E dëgjuam dhe në gjermanisht, tani si justifikim për mos hyrje në zgjedhje. Prapë “Niçen” dëgjuam. Kemi shpresa ta dëgjojmë dhe në frëngjisht, spanjisht dhe holandisht.

E vetmja gjë e re, janë justifikimet për të cilën përdoret dosja këtë herë. Dosja është e vjetër, është dy vjeçare dhe është e rëndë për Prokurorinë, pasi tashmë ajo është bërë “Nul” dhe e papërdorshme nga ana ligjore. Dhe është bërë me qëllim, që të përdoret vetëm për shantazh.

Dosja ka pasur në qendër të hetimit një grup kriminal, i cili, siç del, është përzier dhe në zgjedhje. Meqë grupi ka qenë në përgjim për aktivitet kriminal, prokurori që ndiqte çështjen, sapo ka parë interferencë të grupit kriminal në zgjedhje, duhej të zbardhte përgjimet, të dokumentonte provat dhe të niste menjëherë procedimin penal.

Sipas nenit 328 i kodit penal, “Dhënia e shpërblimit në zgjedhje, është kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim gjashtë muaj, deri dy vjet”.

Pra këtu kemi të bëjmë me kundravajtje penale, dhe nëse gjatë përgjimit kanë dalë ato biseda, Prokuroria duhet të kishte marrë masat për vënien në vëzhgim dhe arrest në flagrance të personave të përfshirë.

Fatkeqësisht tani e vetmja vepër penale këtu është mos reagimi në kohë i Prokurorisë për t’i kapur në flagrancë, dhe përdorimi i dosjes për shantazh politik, që nga prokurori që e ka nxjerrë, ngaqë nuk e përdori dot si shantazh për t’u mbrojtur nga Vettingu, e deri tek Berisha e Basha, që kanë dy vjet që e mbajnë në zyrë, duke e shëtitur redaksi më redaksi.

Prokuroria duhet të dalë e të sqarojë vlerën jurdike të atyre provave, pasi gjithë prokurorët që i kanë “depozituar” ato prova, thjesht kanë siguruar prova të gatshme kundër tyre, për mos veprim.

Nga ana tjetër, është shumë banale kërkesa e sotme e Prokurorisë, që urdhëron shtypin në Shqipëri të ndalojë publikimin e atyre fashikujve. Ato po ribotohen për herë të tretë, dhe sot është burim një gazetë gjermane.

Askush nuk ndalon dot shtypin në Shqipëri të citojë një gazetë të huaj rreth disa fakteve, qofshin këto dhe të stërthëna. Prokuroria duhet të hetojë kush ka shantazhuar me dosjen dhe jo të ndalojë ribotimin e saj nëpër gazeta. Kjo është më tepër një alibi për të thënë se u prish hetimi dhe të shpëtojnë nga hetimi, shantazhuesit e vërtetë, se sa një kujdesje ndaj daljes së sekretit, për të cilin shtypi nuk ka asnjë përgjegjësi.

E gjithë historia e dosjes “339” është historia e një shantazhi nga një aleancë e gjerë mes Prokurorisë dhe politikës në Shqipëri, që ishin kundër reformës në drejtësi.

Në fillim prokurorët e rrezikuar nga reforma tentuan ta përdorin, duke u çuar fjalë në qeveri se kanë dosjen dhe mund ta mbyllin, pastaj kur humbën vendin e punës, duke e çuar dosjen në zyrën e opozitës.

Kjo dosje është përdorur edhe për të ikur nga Parlamenti, kjo dosje është përdorur edhe për të djegur mandatet, kjo dosje po përdoret edhe për të mos hyrë në zgjedhje, dhe po kjo dosje po përdoret edhe kundër hapjes së negociatave.

Në këtë pikë, PD dhe Basha meritojnë lavdërime, pasi e kanë shtrydhur aq shumë, sa nuk mban më, por në të vërtetë kjo është një arsye më shumë, përse reforma në drejtësi duhet të ecë shpejt, përse prokurorët dhe gjithëkush që e ka prekur këtë dosje me dorë që ditën e parë dhe e ka kthyer nga dosje penale në dosje shantazhi, duhet të shkojë para drejtësisë.

Së paku, të mos ndodhë siç e kemi traditën, që ata që dalin në dosje përgjimi, të ngrihen lart e më lart në detyrë, deri në President, apo akoma më keq, ata që janë subjekt krimesh, të kthehen në viktima.

Shqipëria është e mbushur me përgjime të tilla, që nga Saranda në Shkodër, ku bëhen pazare majtas e djathtas, se kë duhet të spostojnë, e kë duhet të mbështesin.

Ka kaseta që provojnë se kush e rrëzoi Kokëdhimën në Gjykatën Kushtetuese si “Pashai i Jugut” dhe kujt ju premtua influencë në jug, kaseta që provojnë pagesa të frikshme nga biznesmenë që janë në burg për politikanë, dhe plot histori të tjera. Por asgjë nuk vlen nëse Prokuroria nuk vepron në kohë dhe vendos drejtësinë, por i përdor këto dosje si shantazh.

Kjo dosje ka pasur në fokus një grup kriminal dhe e ka çuar në burg grupin kriminal, ndërsa Prokuroria politike ka tentuar të përdorë pjesët e tjera të dosjes për shantazh politik, duke e bërë të pavlefshme dosjen për t’u ndëshkuar autorët e krimit elektoral.

Si shantazh politik ja kanë nxjerrë zinë, por nuk është se kanë gjetur përkrahje. Thjesht ka shërbyer për të justifikuar aktet politike të opozitës. Lulzim Basha harxhoi tre ditë në Berlin këtë fundjavë me dosjen e përkthyer në gjermanisht, dhe as ndonjë punonjës të rëndomtë në Bundestang nuk takoi dot, përveçse u sigurua se dosjen do ta botonte për herë të tretë “Bild”.

Ndërsa dy ministra të Ramës, ai i Brendshëm dhe ajo e Drejtësisë, u pritën në Bundestag nga ata që Basha i konsideron përkrahës të tij.

Por dosja na tregon kulturën e keqe të shkatërrimit të drejtësisë në Shqipëri, ku drejtësia nuk vepron ndaj personazheve politikë, por i ruan për shantazh dhe i bën publike vetëm për të bërë politikë.

Tani kjo dosje ka prodhuar politikë më shumë se sa ka prodhuar vetë Basha që kur ka hyrë në PD. E mira do të ishte të prodhonte të pandehur, duke nisur nga ata që praktikisht kanë bërë “NUL” dhe të pëpërdorshme kundravajtjen penale të hasur në dosje gjatë fushatës së vitit 2017.

Kur Basha ishte i lumtur se i kishte funksionuar shantazhi i parë për bojkot dhe kishte pazar me Edi Ramën.

Përgjimet e fundit Dako-Avdylaj:

Miqësoret, Shqipëria U-19 mund vëllezërit në Kosovë, disfatë për 17-vjeçarët

Ekipi U-19 përfaqësues i drejtuar nga Nevil Dede ka mundur Kosovën, në ndeshjen e dytë miqësore, që është luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. 19-vjeçarët kuqezinj kanë triumfuar me rezultatin 4-1 ndaj vëllezërve kosovarë.

Sulmuesi i Tiranës, Ernest Muçi ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 23-të falë një penalltie. Loja sulmuese ka dhënë rezultat, dhe në minutën e 40-të, sulmuesi i Chelsea, Armando Broja, ka dyfishuar rezultatin dhe ka dërguar skuadrën në dhomat e zhveshjes me rezultatin 2-0. Pjesa e dytë ka konfirmuar dominimin e Shqipërisë, që ashtu si edhe në pjesën e parë ishin superior ndaj bashkombasve të Kosovës duke shënuar edhe 2 gola të tjerë.

 Në minutën e 48-të, Kosova ngushton diferencat me Bytyqin, por kuqezinjtë përgjigjen menjëherë me Muçin në minutën e 56-të dhe Brojan në minutën e 65-të, gol që vulos dhe rezultatin i cili nuk do të ndryshoj deri në fund. Më datë 3 Qershor, vetëm dy ditë më parë, në Drenas u luajtur miqësorja e parë që u fitua nga kuqezinjtë me rezultatin 3-1, falë një dopiete të Muçit dhe golit të Brojas.

U-17 mundet nga Maqedonia e Veriut

Kombëtarja U-17 është mundur nga bashkëmoshatarët e saj të Maqedonisë së Veriut me rezultatin minimal 1-0, në ndeshjen e parë miqësore, që kuqezinjtë e drejtuar nga Elvin Beqiri kanë zhvilluar ndaj fqinjëve tanë.

Ndeshja e luajtur në Ohër përfundoi me vetëm një gol, shënuar nga një 17-vjeçar shqiptar, që aktivizohet në ekipet zinxhir të shtetit fqinj. Maqedonia e Veriut kaluan në avantazh në minutën e 2-të falë një penalltie të shënuar nga Behar Feta. Kombëtarja jonë ka krijuar disa raste por pa mundur të ndryshojë rrjedhën e miqësores.

Abuzonte seksualisht me fëmijët, arrestohet kreu i një sekti fetar

Kreu i një organizate ndërkombëtare fetare është arrestuar në SHBA për akuzat e trafikimit të qenie njerëzore, dhunim seksual të fëmijëve dhe krime të tjera. Naason Joaquín García, i cili ishte kreu i kishës La Luz del Mundo (Drita e Botës), u arrestua në aeroportin e Los Anxhelosit, së bashku me 3 gra që akuzohen si bashkëpunëtore të tij.

Plot 26 krime rëndojnë ndaj të arrestuarve për periudhën 2015 dhe 2018 në Kaliforninë e Jugut, mes të cilave prodhim të imazheve të abuzimit seksual të fëmijëve dhe përdhunimin me forcë të të miturit.

García, i njohur si “Apostulli”  është kreu i një organizate fetare  me seli në Meksikë, që pretendon se ka pagëzuar më shumë se 5 milionë njerëz rreth globit si ndjekës të saj.

Vjazat e mitura të përdhunuara kërcënoheshin me fjalët se “nëse do të shkonin kundër dëshirave të “Apostullit” ata do të shkonin kundër Perëndisë.” Ndërsa vetë organizata La Luz del Mundo i ka hedhur kategorikisht poshtë akuzat duke thënë se García do të shpallet i pafajshëm.

Reja provon skemën taktike në Gjermani, të enjten niset drejt Islandës

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka mbyllur pasditen e të mërkurës përgatitjet për ndeshjen e eleminatore ndaj Islandës, që do të luhet më 8 qershor.

Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Edy Reja u kanë dhënë fund përgatitjeve në Frankfurt të Gjermanisë, aty ku prej fillimit të këtij muaji kombëtarja vijonte stërvitjen dhe njëherazi përshtatej me klimën.

Gjatë programit stërvitor të së mërkurës, kombëtarja është stërvitur mbi 90 minuta në fushën e FC Oberstedten, ndërsa janë aplikuar variante taktike të vendosjes së lojtarëve në fushë, në prag të ndeshjes me Islandën.

Pas mbylljes së stërvitjes, falënderimit të punëtorëve të fushës dhe një foto të përbashkët me ekipet e moshave të FC Oberstedten, skuadra është bërë gati për nisjen drejt Rekjavikut në Islandë. Ndërkohë,  gjatë mesditës të së mërkurës Edy Reja ka zhvilluar dhe një analizë taktike me skuadrën.

Të enjten në orën 08:15, kombëtarja lë rezidencen e saj të përkoheshme, hotel “The Rilano”, për të shkuar në aeroportin e Frankfurtit. Rreth orës 11:40, kuqezinjtë nisen për në Rejkjavik.

Zaev: Nëse nuk hapen negociatat, rrezikon të bjerë qeveria

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, gjatë një takimi me gazetarët në Bruksel, ka bërë një deklaratë të fortë në lidhej me të ardhmen e qeverisë dhe stabilitetit në vend. “Nëse vendi nuk merr një datë për fillim të negociatave, ekziston rreziku të bie Qeveria” ka thënë Zaev ndërsa mendon se shtyrja e datës për hapjen e negociatave mund të rris rrezikun e forcimit të forcave nacionaliste dhe humbjen e shumicës në Kuvend.

“Nëse vendosin të mos na japin datë, do të ketë mundësi të bie Qeveria. Kjo qeveri stabile me të gjitha këto vendime pozitive, ka gjasa menjëherë ta humbë shumicën në Kuvend. Kjo për shkak se deputetëve u premtuam se sigurisht do të marrin vendim pozitiv nga BE-ja nëse ecim përpara. Ajo do të thotë se qytetarët do të inkurajohen të mbështesin nacionalizimin, radikalizmin dhe ajo nuk është në të mirë as të vendit tonë e as rajonit. Ato janë opsionet dhe ne frikësohemi nga ai variant.”- tha Zaev

Ashtu si për Shqipërinë edhe për Maqedoninë e Veriut, Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave për anëtarësim, ndërsa pritet që vendimi përfundimtar të merret nga Këshilli i Europës.

Skip to toolbar