Arrestimi i Marklen Hakës/ Reagon policia: Operacioni ishte i një shkalle të lartë vështirësie dhe rrezikshmërie

Policia e Tiranës ka reaguar në lidhje me arrestimin e të shumëkërkuarit Marklen Haka, në kuadër të operacionit policor të koduar “Liqeni i Bacungut”.

Uniformat blu deklaruan përmes një njoftimi se operacioni, i filluar më 2 shtator dhe i finalizuar këtë të premte, rreth orës 14:00, ishte ishte i një shkalle të lartë vështirësie dhe rrezikshmërie.

Gjatë operacionit janë shoqëruar dhe persona të tjerë të cilët po verifikohen nga strukturat e Policisë.

Në objektin ku është lokalizuar shtetasi Marklen Haka alias Marklen Aliu, është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi me vendimin 49/31 datë 15.05.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë.

Haka akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, pjesëmarrës në grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje.

33-vjeçari i ka shpëtuar dy atentateve. Në vitin 2022, ai u qëllua me një plumb në nofull. Në 2019, i shpëtoi një atentati në derën e shtëpisë, por si pasojë e të shtënave humbi jetën halla e tij./abcnews.al

Të hënën nis shkolla, Veliaj njofton planin e masave: Ndalohet lëvizja e furgonëve të mallrave në orën 07:00-09:00

Me nisjen e vitit të ri shkollor, Bashkia e Tiranës ka planifikuar një regjim të ri për qarkullimin e trafikut, për të shmangur vonesat për prindërit dhe fëmijët gjatë orëve të mëngjesit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se policia do të rekrutojë vullnetarë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, në mënyrë që të menaxhojnë fluksin në çdo shkollë. Gjithashtu, ai theksoi se do të jetë e ndaluar lëvizja e automjeteve që furnizojnë dyqanet nga ora 07:00 deri në 09:00 të mëngjesit.

“Të hënën do të futemi me regjimin e ri të trafikut. Do të angazhojmë edhe vullnetarë për të ndihmuar fëmijët të kalojnë në vijat e bardha, përveç ndihmës nga Policia Bashkiake dhe Policia Rrugore. Në fundjavë do të publikojmë urdhërin e kryetarit të bashkisë për orarin e qarkullimit në mëngjes. Në çdo vend të botës, në orën 7:00 nuk ka njeri që vjen me makina të sjellë patatina. O merri një natë më përpara ose nuk mundet që në orën 8:00 të bësh garë kush shkon në shpejt, fëmijët në shkollë apo çipsat dhe çimçakizat në dyqan. Gjatë kohës që shkojnë fëmijët në shkollë, nga ora 7:00 me 9:00, ne do t’i pezullojmë totalisht makinat e furnizimit”, tha Veliaj.

Një apel kryebashkiaku e bëri edhe për prindërit që punojnë në administratë publike, që të shmangin lëvizjen deri në 09:00 të mëngjesit, duke qenë se me orarin e ri mund të paraqiten në vendin e punës më vonë, mjafton që të plotësojnë orarin e plotë.

“Këtë vit kemi edhe një risi për prindërit që punojnë në administratën publike. Orari është fleksibël, që do të thotë: Një prind mund të shkojë edhe në orën 9:00 në punë, mjafton ta rikuperojë më pas. Nëse ka edhe njerëz që na ndihmojnë në këtë apel public, të cilët mund të shkojnë në punë pak më vonë, le të na ndihmojnë kështu, do e vlerësoja jashtë mase”, u shpreh kryebashkiaku./abcnews.al

Këmbëzbathur e pranga në duar, momenti kur Marklen Haka shoqërohet në polici nga forcat RENEA

ABC News ka siguruar pamjet nga momenti ku Marklen Haka shoqërohet në Drejtorinë Vendore të Tiranës. Haka shihet këmbëzbathur dhe i prangosur teksa shoqërohet nga forcat RENEA.

Haka u arrestua gjatë një aksioni blic në Nikël. Ai ishte i armatosur në momentin e arrestimit, ndërkohë që janë shoqëruar edhe persona të tjerë, siç njoftoi ministri i Brendshëm Ervin Hoxha.

Gazetari Ervin Leka raportoi se Marklen Haka kishte tre muaj që kishte ardhur nga Dubai. Ai akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, pjesëmarrës në grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje.

33-vjeçari i ka shpëtuar dy atentateve. Në vitin 2022, ai u qëllua me një plumb në nofull. Në 2019, i shpëtoi një atentati në derën e shtëpisë, por si pasojë e të shtënave humbi jetën halla e tij./abcnews.al

OBSH: Më shumë se 355 mijë fëmijë në Gaza janë vaksinuar kundër poliomielitit

Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, më shumë se 355 mijë fëmijë në Gaza janë vaksinuar kundër poliomioelitit.

Fushata, e fokusuar tani në Gazën jugore, do të vazhdojë gjatë ditëve të ardhshme, për të arritur objektivin e saj prej 640,000 fëmijëve në enklavë, tha agjencia në një postim në X.

Ministria palestineze e Shëndetësisë ka paralajmëruar se ushtria izraelite ka refuzuar të koordinojë hyrjen e ekipeve mjekësore në disa zona të Gazës jugore./abcnews.al

Vera më e nxehtë në histori/ Në të gjithë Evropën u thyen rekordet e temperaturës

Vera e vitit 2024 ishte më e nxehta në histori. Sipas Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Copernicus, ky sezon ishte më i ngrohti në të gjithë Evropën, me 1.54 gradë Celsius mbi mesataren afatgjatë 1991-2020, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm nga viti 2022.

Gushti ishte gjithashtu muaji i 13-të në një periudhë 14-mujore, ku temperatura mesatare globale tejkaloi 1.5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale.

Deri më tani këtë vit temperatura mesatare globale ka qenë 0.7 gradë Celsius mbi mesataren e viteve 1991-2020, që është më e larta në rekord.

Prandaj, ka gjithnjë e më shumë gjasa që viti 2024 të konsiderohet viti më i ngrohtë i regjistruar globalisht, sipas shërbimit të jashtëm i BE-së për klimën.

Në të gjithë botën kemi parë valë të nxehtit dhe mot ekstrem që kanë ndikime. Ngjarjet ekstreme të lidhura me temperaturën e dëshmuar këtë verë do të bëhen më intensive”.

Tha Zëvendësdrejtoresha e Copernicus. Në të gjithë Evropën, rekordet e temperaturës janë thyer gjatë verës. Austria ishte më e ngrohta në histori.

Ndërsa nxehtësia në të gjithë Evropën ishte e përqendruar në zonat jugore dhe lindore, ishte më e ftohtë në të gjithë Republikën e Irlandës, Britaninë e Madhe pjesët perëndimore të Portugalisë, Islandën dhe Norvegjinë jugore./abcnews.al

Nazarko: Debati kushtetues për gjuhën: partitë shqiptare bashkë dhe Shqipëria pas tyre!

Nga Mentor Nazarko

Si pjesë e një rrëkeje gurësh që vjen nga lart duke tërhequr e shtyrë njeri tjetrin, ndërsa derdhet në një rrugë automobilistike, mbrriti shprehja publike e kryetarit të gjykatës kushtetuese maqedonase. Ligji për gjuhët ka krijuar kaos dhe këtij kaosi i duhet dhënë fund, tha ai, në linjë me shumë qendrime apo akte të shumicës politike apo shoqërisë maqedonase të kohëve të fundit, që ngjajnë si revansh ndaj shqiptarëve. Duke parathënë pezullim të pjesshëm apo shfuqizim të plotë të një ligji që kur u miratua- u quajt sukses i madh kombëtar në 2018.

Pse po ndodhin tani këto qendrime a akte të ngjashëm me rrëkenë e gurëve që nuk dihet kur do ndalet? Gjasa më e madhe është se ato janë pjesë e një skenari restaurues, prapakthyes me regji unike- nga një qendër hibride pushteti ekonomiko-politike. Aktorë rajonalë apo të largët fërkojnë duart nga rritja e konfliktualitetit ndëretnik. Edhe sikur kryeministri Mickovski të mos jetë pjesë e këtyre akteve si ideator, apo në ndonjë rol, ai është përfituesi kryesor i tyre brenda Maqedonisë: me gjasë partia e tij është duke i rritur kuotat e veta elektorale mbi shifrat që dëfteu në zgjedhje. Kjo rritje shërben për të amortizuar koncesionet eventuale për ndryshimet kushtetuese. Kahja e këtyre akteve është e njëjtë- tkurrje në rritje e statusit legal të shqiptarëve pas 5 vitesh mbajtjeje në sirtar të padisë së Levicës; partitë maqedonase kanë të njëjtin qendrim, edhe kur heshtin; partitë shqiptare luftojnë duke treguar me gisht si fajtore njera tjetrën. Shqipëria zyrtarisht (në komunikimin publik) nuk thotë asgjë. Batalione dixhitale kombëtare reagojnë duke u viktimizuar, ose duke kërcënuar, por nuk ka ende akt politik e ligjor reagues. Edhe sa do vazhdojë kështu?

Pse përfshirja e Kushtetueses, hap skenar të vështirë?

Reagimi i fundit maqedonas, megjithatë është më i rëndi. Për disa arsye. Së pari se shfuqizimi i ligjit lidhet me të drejtën e përdorimit të gjuhëve në hapësirën publike, e drejtë themelore kushtetuese për të cilën u luftua derisa u sanksionua në Marrëveshjen e Ohrit e me ligj të veçantë. Ndërkohë Kryetari i Gjykatës kushtetuese që flet me akte legale dhe jo me intervista, e parapriu çfarë lloj vendimi pritet të merret. Ndonëse shkelje e rëndë e statusit të tij të lartë si gjyqtar kushtetues, qëndrimi i Darko Kostadinovskit megjithatë mbështetet në mendimin e paanshëm të Komisionit të Venecias. Ky mendim praktikisht e deklason ligjin në shumë elementë: inkoherent; i parealizueshëm; preferencial,i ngarkuar, etj. Dhe si pohojnë edhe zëra të arsyeshëm shqiptarë- ndonëse jopublikisht- vërejtjet e Venecias kanë njëfarë themeltësie. Ligji që nuk është realizuar në plotësinë e vet asnjëherë, u miratua në një kohë fuqie bukur të madhe të shqiptarëve në parlament dhe i dha atyre hapësira të mëdha të përdorimit të gjuhës që ngjajnë diskriminuese pozitivisht. Për të gjitha këto arsye, por dhe parimisht perëndimorët nuk mund të reagojnë kundër kryetarit të Gjykatës dhe as ndaj Komisionit të Venecias.

Çfarë duhet bërë?

Hapësira e veprimit bllokues është thuajse zero. Gjyqtarët shqiptarë (propozuar nga BDI) janë pak për ta bërë këtë. Protestat nuk është e thënë se mund të bllokojnë, përveç se do nxisin edhe më shumë ndarjen etnike që është shumë e thellë. Ka skenarë pezullimi të pjesshëm, të përkohshëm, apo shfuqizimi tërësor të ligjit-skenari më i keq, që shkon kundër një parimi kushtetues: të drejtat e fituara nuk mund të kufizohen, apo aq më keq të anulohen. Këtë duhet ta thotë avokati i palës shqiptare nëse supozohet se Gjykata do të bëjë debat gjyqësor. Mirpo shkeljen eventuale të kushtetutës do ta bëjë organi më i lartë mbikqyrës i saj, dhe atë nuk ka kush ta korrigjojë.

Në një skenar të tillë, ka vetëm një rrugëzgjidhje optimale. Praktikisht ngjan e pamundur, por e vetmja zgjidhje kushtetuese. Ajo mund të imponohet dhe miratohet me fuqinë e shqiptarëve, të bashkuar pavarësisht llogores ku gjinden. Të miratohet njëherë e mirë dhe urgjentisht një ligj i ri i plotë, sipas modelit më të mirë- pse jo nga Zvicra, realitet i konsoliduar nga vijnë raporterët e paanshëm të Komisionit të Venecias. Miratimi kësisoj është imponim i parimit të Badinterit: ligjet që prekin pakicën etnike, (term që kontestohet sepse shqiptarët nuk duan të konsiderohen pakicë), duhet të miratohen me shumicën e deputetëve të kësaj pakice, pavarësisht krahëve që i përkasin. Ky parim është i vetmi parim që është kushtetëzuar, pra si pjesë e kushtetutës. I ashtuquajturi parim tjetër: partia apo koalicioni më i madh i një etnie bën qeverinë me partinë apo koalicionin më të madh- ishte vetëm një zakon. Këtë zakon për hir të vërtetës e shkelën perëndimorët kur i kërkuan BDI të bënte koalicion me LSDM-në, në zgjedhjet e parafundit. Kështu që BDI-së pas kalimit në opozitë prej shfuqizimit të këtij zakoni, i takon me fuqi të rigjetur, e rishpikur strategjikisht dhe taktikisht, të bëjë thirrje për bashkim në miratimin e një ligji të ri e modern për gjuhët.

Situata ama nuk ngjan më e favorshmja. Një pakicë a faktor i ri po tenton të afirmohet kushtetutshmërisht, faktori bullgar. Ligji i kontestuar për gjuhët, kishte referenca për shqiptarët, por do kërkohet të mos i ketë, duke mbajtur parasysh çdo pakicë a faktor të krahasueshëm demografikisht me 20%, ndërsa bullgarët nuk kanë parti, por shtet që imponohet prapa logos së Bashkimit Europian. Ndërkohë miratimi i një ligji të tillë kërkon një klimë të relaksuar marrëdhëniesh ndëretnike: a është ajo sot, klimë e relaksuar?

Pikëpyetjet rreth arritjeve pas 2001 dhe rolit të Shqipërisë

SI në një rreth vicioz, gurët që bien nga shpati i malit e dëmtojnë këtë klimë, e dëmtojnë rrugën e trasuar të bashkëjetesës ndëretnike pas 2001-it, duke hapur skenarë të rinj e duke shtruar një pikëpyetje themelore. Çfarë u arrit që nga 2001 e këtej, a ishte e qëndrueshme dhe e pakthyeshme? Ok, nisi dhe u jetësua një proces i madh epokal për t’ i dhënë më shumë të drejta shqiptarëve. Por a u hodhën hapa për të krijuar pavarësisht etnisë, një vetëdije të përbashkët komunitare rreth shtetit a identitetit politik maqedonas, mbështetur mbi sportin ku militojnë bashkë sportistët e shquar; betejat e përbashkëta gjatë Rilindjeve kombëtare, festat shtetërore; bashkëjetesa në nivele të ndryshme të shkollimit, (ajo nuk ekziston thuajse fare) etj?

Bashkimi i shqiptarëve rreth një emëruesi minimal të përbashkët-ligj modern për gjuhët, është rruga që duhet ndjekur. Nëse brenda qendrës hibride ka përfaqësues nga të gjithë partitë maqedonase, pse partitë shqiptare nuk duhet të jenë bashkë për një ligj ku bashkimi imponohet dhe kushtetutshmërisht? Në favor të këtij bashkimi kombëtarisht duhet të investohet në mënyrë krijuese Shqipëria. Çdo tërheqje e vendit amë, duke lënë gjërat të rrjedhin kah fuqizimi i aksit proserb, apo pse ndërroi partia shqiptare në pushtet, sjell dobësimin kronik të faktorit shqiptar, garantit të aksit properëndimor, në një vend kaq të rëndësishëm sa Maqedonia. Kjo është totalisht vetëdëmtuese.

Komisioni antikorrupsion, ambasada e SHBA: Të mbrohet pavarësia e institucioneve

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë caktuar misionet përkatëse të asistencës të cilat do të monitorojnë dhe asistojnë veprimtarinë e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin.

Në një reagim në rrjetin social X, ambasada amerikane në Shqipëri bëri të ditura edhe pritshmëritë që ka nga ky komision.

“Si një partner i palëkundur i përpjekjeve të Shqipërisë për të çuar përpara reformat e nevojshme për anëtarësimin në BE, Ambasada e SHBA do të angazhohet me komisionin “ad hoc” për qeverisjen e mirë, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit. Pritshmëritë tona janë që puna e komisionit të jetë gjithëpërfshirëse dhe transparente, të përputhet me Kushtetutën, të mbrojë pavarësinë e institucioneve dhe të përmirësojë të ardhmen e Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Veliaj mbledh administratorët e shkollave dhe ironizon opozitën

Kemi sistemin më të avancuar të menaxhimit të shkollave; Ata që besojnë se toka është e sheshtë, mundohen të sabotojnë punën e Bashkisë

Në prag të vitit të ri shkollor, i cili nis në 9 shtator, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me administratorët e të gjitha shkollave të kryeqytetit, për t’u shprehur porositë e fundit për menaxhimin e ditës së parë të shkollës dhe ditëve në vijim. Veliaj tha se të hënën hapen rreth 400 institucione arsimore në Tiranë, të cilat janë dezinfektuar dhe përgatitur me të gjitha kushtet për nxënësit.

“Krahasuar me vitin 2015, menaxhimi i shkollave sot është si dita me natën. Kush i mban mend ato vite, drejtori ose drejtoresha e shkollës merrej me kabinën elektrike, me banjën, me pastrimin, me rojen e derës, duke devijuar totalisht nga misioni i mësuesit. Sot kemi një sistem menaxhimi, ndoshta më i avancuari në Ballkan”, tha Veliaj.

Ai tha se gjatë muajit gusht është bërë një punë e madhe për të përgatitur ashtu siç duhet të gjitha godinat arsimore, duke përfshirë edhe dezinfektimin e mjediseve për të ofruar më shumë siguri për fëmijët. “Ju falënderoj që kaluat gushtin duke punuar për të sjellë në terezi shkolla që kanë pasur nevojë për mirëmbajtje të thelluar ose për të mbajtur standardin e shkollave të reja që kemi ndërtuar. Shumica e prindërve e mbështet dezinsektimin, dezinfektimin dhe deratizimin e shkollave. 99.9% e njerëzve, që janë njerëz normale, e kuptojnë se çfarë po bëni duke dezinfektuar mjediset, e kuptojnë se shkenca, OBSH-ja, BE-ja, që certifikon këto produkte, është shumë më e avancuar se budallallëku i atyre që besojnë se toka është e sheshtë. Por, s’ka ilaç për këtë punë. Dhe ata nuk e kanë me ju, e kanë me mua sepse më kanë dedikuar jetën e tyre”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë i uroi suksese katër administratorëve të katër shkollave të reja në kryeqytet, që do të happen të hënën: “Emin Duraku” në Njësinë 5, “Xhezmi Delli” në Njësinë 3, “Avni Rustemi” në Njësinë 10, dhe “Musine Kokalari” e “Myslym Keta” në Njësinë 6.

“Dua t’u uroj suksese kolegëve që kanë filluar detyrën si administratorë të 5 shkollave të reja që do të hapim ditën e hënë. Kemi shkollën “Emin Duraku”, një shkollë totalisht e re, ndoshta më e bukura sot në Tiranë, të cilën e ndërtuam me Bashkimin Evropian. Veç atyre që pengojnë dezinfektimin e shkollave, kemi edhe këta që vijnë e djegin goma para bashkisë, që flasin për shkollat – se ka fëmijë që shkojnë në shkollë, por ka edhe nga këta që nuk e kanë mbaruar shkollën dhe si fëmijë nuk kanë mësuar se në jetë ka edhe humbje, s’ke çfarë i bën, rrihesh me 60 mijë vota, duhet të gjesh një punë tjetër. Në qoftë se shikohet me çfarë çmimi për metër katror bëhen shkollat e BE-së, është 20, 30, 40 deri 50% më shumë se sa ato që bën Bashkia e Tiranës. Pse? Sepse ata kanë edhe inxhinierë të huaj, burokratë, inspektorë të huaj, që rriten kostot. Për të gjithë ata që nuk e kanë mbaruar gjimnazin, por dinë të djegin goma, prandaj shkolla është e rëndësishme, ndaj duhet ta mbarosh gjimnazin, se aty kupton të bësh llogari, të mirëkuptosh edhe pse i huaji ka kosto më të lartë, se ai vjen më një rrogë tjetër”, sqaroi Veliaj.

“I hodhëm goma sipër trupit në pus”, i riu zbulon sa e ka paguar djali që vrau babain për bashkëpunim në krim

“Më ka dhënë 2 milionë Lekë të vjetra për ta ndihmuar në vrasjen e të atit”, kështu ka deklaruar Edison Brahaj, bashkëpunëtori i Esmerald Ballës në lidhje me vrasjen e Enver Ballës.

Brahaj ka thënë se ka qenë larg në momentin që Esmerald Balla ka qëlluar me armë të atin, sipas dëshmisë që ka arritur të sigurojë gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj.

Në deklarimet para policisë, Brahaj ka thënë se e kanë lënë trupin e pajetë në ferra në vendin e ngjarjes, ndërsa në darkë ka ndihmuar Esmerald Ballën që ta fusë në furgon trupin e pajetë të të atit dhe ta dërgojë tek pusi. Sipas tij, i kanë hedhur disa goma sipër trupit me qëllim që trupi të mos dalë sipër ujit të pusit.

Dëshmia e Edison Brahajt: Kam qenë larg në momentin që e ka qëlluar me armë babain. E kemi lënë trupin e pajetë në ferra në vendin e ngjarjes, pastaj në darkë e kam ndihmuar. E kemi futur në furgon dhe e dërguam te pusi. I hodhëm ca goma sipër trupit në pus që të mos dal nga uji. Më ka dhënë 2 milionë lekë të vjetëra.”

Kujtojmë se pasi vrau me armë zjarri babanë, Enver Ballën, Esmerald Balla u ndihmua nga miku i tij, 25-vjeçari Edison Brahaj për të fshehur kufomën.

Së bashku ngarkuan trupin në një furgon dhe e çuan rreth 1 kilometër larg vendit të krimit, ku e hodhën në një pus.

Smile.al, platforma që ndez dritën e shpresës!

Në një botë plot sfida, humanizmi është një dritë udhëheqëse, që na fton të veprojmë me empati. Na kujton se çdo individ është një univers i tërë, me ëndrrat, dhimbjet dhe shpresat e tij, të cilat meritojnë të dëgjohen dhe vlerësohen gjithmonë. Eshtë një urë që lidh zemrat e njerëzve, duke krijuar një rrjet të fortë solidariteti, ku dashuria dhe përkujdesja janë gurët e çmuar që ndihmojnë në ndërtimin e një bote më të bukur dhe më të drejtë. Në një botë që ecën me ritme të shpejta, të sjellësh ndryshimin dhe rritësh ndjenjën e shpresës, sot është më e rëndësishme se kurrë për shoqërinë tonë. Emancipimi dhe zhvillimi i shoqërisë varen nga angazhimi i të gjithë komunitetit për të promovuar vlerat e humanizmit dhe drejtësisë sociale.

Platforma Smile.al është një shembull i suksesshëm se si teknologjia në kohët e një epoke moderne, mund të përdoret për të sjellë ndryshime të qëndrueshme në një komunitet. E krjuar 4 vite më parë, platforma online e modelit crowdfunding Smile.al është një iniciativë e rëndësishme e fondacionit Credins, e cila ka kontribuar maksimalisht në tjetërsimin dhe vitalizimin e komunitetit vendas. Me qëllimin dhe misionin për të mbështetur projekte që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien dhe integritetin e shoqërisë shqiptare, Smile.al i ka dhënë zë çdo kauze sociale. Me strategjinë për t’i dhënë dinjitet qenies njerëzore në të gjitha dimensionet e saj, Smile.al e bazon punën në krijimin e një infrastrukture të fortë mbështetjeje dhe bashkëpunimi mes individëve, organizatave (ojq/ojf), grupeve të interesit jo-fitimprurës, partnerëve ndërkombëtarë dhe lokal, etj. Duke u fokusuar në projekte të shumta që adresojnë sfidat me tematika të ndryshme, Smile.al ka inkurajuar emancipimin e grupeve të margjinalizuara dhe jo vetëm, duke ndihmuar kështu në ecurinë e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë.

Përmes faqes së internetit www.smile.al, dhurimet janë vënë në dispozicion të projekteve që zbatohen nga organizata jofitimprurëse me eksperiencë dhe histori suksesi. Kështu, përgjatë aktivitetit të Smile.al janë hapur 4 thirrje, ku mes projekteve të shumta nga organizata të ndryshme, 30 kanë përfunduar me shumë sukses, fal një pune të jashtëzakonshme të ekipit të platformës dhe mbështetjes së donatorëve të angazhuar. Kjo platformë vizionare ka treguar ndër vite përkushtimin dhe vullnetin e mirë, për të sjellë ndryshime të prekshme në jetët e atyre që kanë më shumë nevojë. Numërohen mbi 2,500 dhurime me më shumë se 30,000 përfitues direkt (individë apo familjarë), të cilët janë sot dëshmia e punës impenjative të platformës Smile.al, ku padyshim, kryefjala e suksesit janë pikërisht vetë dhuruesit shqiptarë kudo në çdo skaj të botës duke treguar rrënjët e një populli human dhe fisnik. Ky është padyshim treguesi më i madh dhe më i fuqishëm i ndjenjës së bashkësisë. Ndërgjegjësimi se kontributi për të lumturuar dhe ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë dhe se çdo veprim i vogël ka potencialin të sjellë ndryshime të mëdha, janë emblema e vertetë e ndjenjës njerëzore.

Smile.al, është sot platforma e të gjithë shqiptarëve. Çdokush ka mundësinë të japë një kontribut modest, përmes një proçesi dhurimi transparent, të monitorojë çdo dhurim që bëhet, si dhe të gjithë implementimin e projekteve.

Smile.al – Një dhurim i vogël sot, mund të bëjë një ndryshim të madh!

Skip to toolbar