Kreu i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla deklaroi se vendimi historik i Gjermanisë për hapjen e negociatave në fakt tregon vlerësimin e saj për Reformën në Drejtësi dhe procesin e vettingut që ka nisur në 2018. Balla nuk heziton as të sulmojë opozitën e cila sipas tij i lexoi gabim dritën jeshile të dhënë nga qeveria gjermane, ndërsa i kërkoi të marrë përgjegjësitë e saj në këtë proces. Opozita, pas miratimit të rezolutën pro Shqipërisë nga CDU/CSU, tha se Shqipërisë iu shtuan edhe 9 kushte të tjera për të plotësuar para hapjes së negociatave. Gjatë një interviste për Deutsche Welle, Balla e ka cilësuar kërkesat e Gjermanisë si detyra shtëpi dhe jo kushte të reja për vendin.
“Ajo që është e rëndësishme është që Bundestagu Gjerman u shpreh pro fillimit të negociatave për Shqipërinë. Pra qeveria gjermane ka marrë autorizimin zyrtar nga Bundestagu që në samitin e Këshillit Evropian të 17-18 tetorit Gjermania të shprehet pro fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë. Ajo që doli në pah në diskutimet dje në grupet e mëdha parlamentare qeverisëse dhe do të diskutohet edhe sot në Komitetin për Çështje Evropiane dhe nesër në seancë plenare, shpreh qartë se ka një vlerësim pozitiv nga Bundestagu dhe nga qeveria federale për ecurinë e deritashme të procesit të Vettingut dhe të reformës në drejtësi. Ata që u nxituan dje në Shqipërinë tonë të dashur t’i quajnë këto vlerësime të Bundestagut si kushte, e kanë shumë gabim dhe duhet të marrin përgjegjësinë e tyre në këtë proces.” – tha Balla
Reforma në drejtësi ka qenë mjaft e sulmuar nga opozita jashtë parlamentare duke thënë se është e kapur nga qeveria. Megjithatë një vlerësim i saj nga ndërkombëtarët tregon edhe njëherë qëndrimin e gabuar të opozitës ndaj drejtësisë së re.
Numri dy i PS-së, Taulant Balla tha se detyrat e shtëpisë për Shqipërinë lidhen me krijimin e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, i cili theksoi se shumë shpejt do të jenë funksionale.
“Padyshim që çështjet që lidhen me zbatimin e reformës historike në drejtësi, janë çështje që lidhen me detyrat e shtëpisë. Reforma në drejtësi në Shqipëri nuk ka kthim pas. Unë jam shpresëplotë që anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese do të jenë në detyrë në një kohë shumë të shkurtër. Edhe anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë, tre të parët do të jenë në detyrë shumë shpejt, sepse procesi është një fazë shumë të avancuar. Në çdo rast, Konferenca e parë e anëtarësimit do të jetë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020. Koha në dispozicion për atë moment do të jetë plotësisht e mjaftueshme, që ne të kemi anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese” u shpreh Balla
Në lidhje me Reformën Zgjedhore, një nga kërkesat e Gjermanisë, Balla tha se mazhoranca gjithmonë ka qenë e gatshme me dorë të shtrirë për të bashkëpunuar si me opozitën brenda ashtu edhe atë jashtë parlamentit, por nuk do të pranonim të negocionim me asnjë për reformën në drejtësi. “Reforma në drejtësi është e pakthyeshme mbrapsht dhe angazhimi ynë për të është i panegociushëm.” tha Balla