Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla, pak para votimit në Bungestag për rezolutën ku kërkohet vota pro për hapjen e negociatave me Shqipërinë, ka shprehur vlerësimin e tij ndaj Kancelares Merkel dhe grupit të CDU/CSU për dhënien e dritës jeshile për vendin. Gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të CDU Paul Zemiak, Balla u shpreh se Gjermania ka vlerësuar ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe progresit të Shqipërisë në reformat e tjera. Ai tha se është pikërisht ky progres që po shpërblehet dhe po jep frytet duke i dhënë një mundësi historike Shqipërisë për hapjen e negociatave me BE.
“Shqipëria i është mirënjohëse Kancelares Angela Merkel dhe Grupit Patlamentar të CDU për të mbështetur vendimin e Bundestagut që autorizon Qeverinë Federale për të miratuar në Këshillin Europian të 17-18 Tetorit fillimin e bisedimeve për anëtarësim mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Lidhur me rekomandimet e vendimit të Bundestagut, është në interesin e Shqipërisë, por edhe të partnerëve evropianë që puna në këto fusha të drejtohet dhe të monitorohet për hapjen e negociatave, por edhe për të rritur besueshmërinë e procesit të zgjerimit që të tregojë se dedikimi ndaj progresit në reforma po shpërblehet dhe është frytdhënës.” – është shprehur Balla, i cili theksoi se falë SHBA, Gjermanisë dhe BE, Shqipëria po ndërton një sistem të ri të drejtësisë, që do të kontribuojë në pavarësinë dhe transparencën e gjyqësorit.
Zgjerimi dhe forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve gjithashtu ka qenë pjesë e diskutimit, ku u dakordësua edhe për një vizitë e Sekretarit të Përgjithshëm të CDU Paul Zemiak në Tiranë.