Disiplina në Spanjë, “fal” Barcelonën me gjobë

SPORT


Komisioni i Disiplinës në Federatën Spanjolle të Futbollit, gjobiti Barcelonën me 300 euro. Shkaku për këtë gjobë është sulmuesi i ardhur nga Atletico Madrid te Barcelona, Antoine Griezmann. Klubi katalanas hyri në negociata me sulmuesin francez, përpara se të njoftonte klubin e madrilen, gjë që ndalohet nga rregulloret e FIFA. Atletico kërkoi hetim dhe më pas dënim për Barçën, pasi i ka shkaktuar dëme financiare klubit.

Barcelona, sipas Atletico Madrid, arriti një marrëveshje me lojtarin në kohën që klauzola e tij ishte 200 milion euro. Por, transferimi u krye vetëm pasi klauzola e Griezmann shkoi në 120 milion euro. Në këto kushte, Atletico humbi 80 milion euro, ndërsa Barcelona i kurseu këto para.


Barcelona rrezikonte të zhvillonte një ndeshje pa tifozë në stadiumin “Camp Nou”, e cila praktikisht do të kishte  një kosto të konsiderueshme. Por, disiplina është treguar “bujare” me klubin katalanas, duke i vendosur një gjobë prej 300 eurosh, shumë e papërfillshme për Barcelonën.

Në fakt, “bujaria” e Federatës Spanjolle të Futbollit, buron nga rregullorja e Kodit të Disiplinës, e cila parashikon shuma të vogla të gjobës në rast të shkeljes së neneve 88 dhe 126. Ky vendim nuk duhet ta ketë kënaqur Atletico Madrid, pasi jo vetëm që humbi një nga lojtarët më të mirë të klubit, por nuk arriti të përfitonte aq sa do të dëshironte nga shitja e tij te Barcelona.




Skip to toolbar