Balla: Po përgatisim ligj të ri për investimet strategjike, jemi të hapur për dialog

Më të fundit


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi në Kuvend se mazhoranca është e gatshme të dialogojë me të gjithë ata që kanë shqetësime për qeverisjen, duke theksuar se parandalimi i abuzimeve me detyrën dhe mbajtja përgjegjëse e zyrtarëve mbeten pjesë e angazhimit të saj.

“Jemi të gatshëm në çdo moment të dialogojmë me ata që kanë shqetësime, me të gjitha ankesat dhe zemëratën e tyre lidhur me mënyrën se si duhet ta bëjmë detyrën më mirë, si duhet të parandalojmë çdo formë abuzimi me detyrën dhe ndaj çdo zyrtari që abuzon me mandatin përfaqësues. Ky është dallimi ynë i madh”, u shpreh Balla.

Gjatë fjalës së tij, Balla u ndal edhe te ligji për zonat e mbrojtura dhe ai për investimet strategjike, duke bërë të ditur se mazhoranca po punon për hartimin e një ligji të ri në këtë fushë.

“Duhet ta keni të qartë. Ne jemi duke punuar për një ligj të ri për investimet strategjike. Se kur e vendosim dhe se kur votojmë, është një çështje që e cakton vota”, deklaroi ai.

Në përfundim, Balla theksoi se agjenda parlamentare përcaktohet nga shumica e dalë nga vota e qytetarëve, duke iu drejtuar opozitës se vendimmarrja i takon asaj vetëm nëse arrin të sigurojë shumicën parlamentare.

“Kur të keni 71 këtu në sallë, do të vendosni ju. Deri atëherë është rrugë e gjatë”, përfundoi Balla.



Skip to toolbar