Keir Starmer ka mbajtur fjalimin e tij të fundit si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, duke deklaruar se mandati i tij ka përfunduar dhe duke falënderuar qytetarët britanikë për besimin e dhënë.
“Puna ime ka përfunduar”, tha Starmer, teksa rikujtoi rrugëtimin e tij në krye të Partisë Laburiste dhe transformimin e saj pas humbjes historike të vitit 2019. Ai theksoi se në gjashtë vite e gjysmë si lider i laburistëve arriti ta ndryshonte partinë dhe ta çonte drejt fitores së thellë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024.
“Ka qenë privilegji i jetës sime t’i shërbej këtij vendi si kryeministër. Jam i bindur se Britania sot është më e fortë dhe më e drejtë se dy vite më parë”, u shpreh Starmer.
Gjatë fjalimit, ai renditi disa prej arritjeve të qeverisë së tij, duke përmendur uljen e varfërisë, reduktimin e emigracionit, forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe përmirësimin e rolit të Britanisë në arenën ndërkombëtare.
Starmer tha se pjesa më mbresëlënëse e detyrës së kryeministrit ishte mundësia për të parë nga afër përkushtimin e qytetarëve britanikë.
“Aspekti më përulës i kësaj detyre është vendi i parë nga ku sheh gjërat më të mira të këtij vendi në veprim”, tha ai, duke përmendur ushtarakët, punonjësit e shërbimit shëndetësor NHS dhe miliona vullnetarë që kontribuojnë në komunitetet e tyre.
Në fjalimin e lamtumirës, ish-kryeministri paralajmëroi për sfidat globale dhe tha se në një kohë kur “armiqtë do të bëjnë gjithçka për të na përçarë”, uniteti i vendit mbetet thelbësor. Ai përmendi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë ndaj Ukrainës.
Starmer i uroi sukses pasardhësit të tij, Andy Burnham, ndërsa falënderoi stafin e Downing Street dhe bashkëshorten e tij, Victoria.
“Po largohem me dinjitet, me një buzëqeshje dhe krenar për gjithçka që kemi arritur”, përfundoi Keir Starmer fjalimin e tij të fundit si kryeministër.
