Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri të ditur të hënën se rreth rrotullimi te Shqiponja do të përfundojë brenda 24 muajve. Në një konferencë për mediat, Balluku njoftoi se kontrata me kompaninë e mëparshme fituese është anuluar pas konfirmimit se ka falsifikuar bilancet me të cilat është paraqitur në tender dhe se për këtë ka nisur një proces gjyqësor.
Ajo gjithashtu tha se familjet që po shpronësohen kanë nisur të përfitojnë në kohë reale pagesat e dëmshpërblimit financiar.
“Nuk do përfitojmë thjesht një nyje që do lehtësojë trafikun por do mundesoje edhe një qendër urbane. Shpronësimet janë bërë. Procesi ka nisur. Shpronësimet janë zhvilluar përmes një procesi model. Këtë herë ato janë bërë duke paguar në kohë reale menjëherë pas nisjes së procesit. Ne kemi ecur me Bashkinë e Tiranës edhe me rregullimin”, tha Balluku.
Sonila Qato e ARRSH-së tha se elementi i shtuar në këtë projekt do të jetë rikonceptimi i nyjes dhe rrugëve lidhëse që tashmë parashikojnë kontrollin e fluksit të mjeteve teksa njoftoi se procedurat e garës do të nisin menjëherë.
“Elementi i shtuar është rikonceptimi i nyjes dhe rrugëve lidhëse të cilat tashmë parashikojnë që fluksi i mjeteve të jetë plotësisht i kontrollueshëm. Afati kohor për përfundimin e tij do jetë jo më shumë se 24 muaj. Procedurat e garës do nisin menjëherë. Gjuha e shpronësimeve është ruajtur nga projekti i parë me disa ndryshime të vogla. Ky projekt do i hapë rrugë zhvillimit urban në Tiranë”, tha Qato.