OSHEE investime në Fier, Balluku: Qyteti model për pagesat e dritave

AKTUALITET


Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku inspektoi investimin e bërë në rrjetin shpërndarës 20 kilovolt në qytetin e Fierit nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Balluku pa nga afër disa prej kabinave të reja të ndërtuara, ndërsa theksoi se ky investim e OSHEE ka ulur ndjeshëm nivelin e humbjeve në rrjet si dhe ka përmirësuar cilësinë e furnizimit për të gjithë abonentët, familjarë por edhe bizneset.

Ministrja Balluku u shpreh se investimet në rrjetin elektrik në qytetin e Fierit do të vijojnë me qëllim që shërbimi që ju ofrohet qytetarëve të jetë akoma dhe më i mirë, duke garantuar furnizim cilësor dhe pandërprerje. Balluku tha se Fieri është një nga qytetet model sa i takon mbledhjes së të ardhurave nga ana e kompanisë së shpërndarjes së energjisë.


“Qyteti i Fierit e meriton plotësisht vëmendjen e OSHEE në këtë zonë pasi këtu mbledhja e të ardhurave arrin në 98%. Është një nga qytetet model për sa i përket pagesave dhe rregullsisë së abonentëve. Megjithatë ne kemi projekte të ardhshme për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve elektrike këtu në zonën e Fierit. Kjo është një zonë industriale, shumë kompani zhvillojnë aktivitetin e tyre këtu dhe detyrimisht ne duhet t’i përgjigjemi dhe kompanive, por sidomos abonentëve, pasi qytetarët janë në fokusin tonë”, theksoi ministrja

OSHEE ka investuar rreth 1 miliardë lekë në qytetin e Fierit në katër vitet e fundit dhe aktualisht janë në proces pune ndërtimi i 3 fiderave të tjerë 20 kilovolt, të cilët do të lidhen me nënstacionin Fieri 1, i parashikuar për t’u ndërtuar në hyrje të qytetit.




Skip to toolbar