Banorët e Ishujve Kanarie demonstruan kundër turizmit masiv

BOTA


Dhjetëra mijëra njerëz demonstruan në Ishujt Kanarie të Spanjës për të protestuar kundër turizmit masiv që ata thonë se po përmbyt arkipelagun në Oqeanin Atlantik në brigjet e Afrikës.

Sipas policisë ishin 20.000 njerëz dhe sipas organizatorëve 50.000 në kortezhe nëpër rrugët e qyteteve të ishujve Kanarie, duke fishkëllyer dhe duke brohoritur parulla kundër të pakufizuarit; turizmin.

Protestuesit mbanin pankarta që shkruanin “Kanarianët nuk janë në shitje”, “moratorium turistik” dhe “Respekto vendin ku jetoj”.

Për organizatorët e demonstratave, modeli aktual ekonomik është i dëmshëm si për banorët ashtu edhe për mjedisin. Ata kërkojnë nga autoritetet që të kufizojnë numrin e turistëve.

“Ne nuk jemi kundër turizmit. Ne kërkojmë vetëm që të ndryshojnë modelin aktual, i cili lejon rritjen e pakufizuar të turizmit”, tha një nga demonstruesit.

Të mbledhurit kërkojnë që të ndërpritet ndërtimi i dy hoteleve të reja në Tenerife, më i madhi dhe më i zhvilluari nga shtatë ishujt e arkipelagut, dhe banorët të kenë të drejtën e votës në marrjen e vendimeve për zhvillimin e turizmit.

Demonstrata mbështetëse u mbajtën edhe në Madrid dhe Barcelonë.

Të vendosura në brigjet e Afrikës së Veriut, Ishujt Kanarie tërheqin turistët me peizazhet e tyre vullkanike dhe plazhet me diell. Arkipelagu me 2.2 milionë banorë priti 16 milionë turistë vitin e kaluar./abcnews.al



Skip to toolbar