Basha, 4 kushte. Por “Rama ik!” humb vendin e parë

AKTUALITET


Kreu i demokratëve Lulzim Basha pas fjalimit 40 minutësh në protestën e së premtes, e nisi këtë të shtunë duke përsëritur kushtet për zgjidhjen e krizës.

Ai ka postuar në Facebook fotot nga protesta e një nate më parë, ndërsa thekson se s’do bëjë pazare por të zgjidhur krizën, porse ajo do të zgjidhet vetëm mbi parime. Por parimet sipas tij janë 4: burg për hajdutët e votave, largimi i Ramës, reformë të thellë politike dhe zgjedhjet të lira e të ndershme.


“Oqeani i shpresës mbrëmë në Tiranë, ky bashkim madhështor i vullneteve të qytetarëve është besimi i çdo shqiptari tek ndryshimi që po vjen.

Kjo krizë do të zgjidhet jo mbi pazare, por mbi parime. Rruga për të dalë prej saj kalon përmes standardeve europiane: Para drejtësisë hajdutët e votave, largimi i Edi Ramës, reformë e thellë politike, dhe zgjedhje të lira e të ndershme.

30 qershori është varreza politike e Edi Ramës dhe Organizatës Kriminale të Rilindjes. Largimi i tij është vetëm fillimi.

Ne duhet të ndryshojmë thellësisht politikën dhe ekonominë bazuar mbi vlerat dhe parimet e demokracive të Perëndimit, që kurrë më, askush të mos marrë peng të ardhmen e shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre duke shkrirë në një shtetin me krimin dhe oligarkinë.

Vetëm në këtë mënyrë do të garantojmë njëherë e përgjithmonë që Shqipëria të mos jetë më ajo që duan këta, Edi Rama, kriminelët, politikanët dhe oligarkët grabitqarë, por të jetë Shqipëria e të gjithë shqiptarëve” shkruan Basha një ditë pas protestës.

Bie në sy se ndryshe nga fjalori luftarak i të premtes në mbrëmje, kreu demokrat flet per marrëveshje dhe reforma. Ikja e Ramës vazhdon të konsiderohet kusht, por ka humbur vendin e parë në klasifikimin e kërkesave të Bashës. Me sa duket në tregun e presioneve politike, kjo është arma e vetme negociuese e kryeopozitarit, përballë këmbënguljes së Ramës për të mbajtur zgjedhjet në 30 qershor, pa pranuar qoftë edhe një shtyrje, sa për sy e faqe dy javore në 14 korrik.

Jo më kot Partia Demokratike “u kujdes” që të nxirrte të premten në mbrëmje ne media se “në mbledhjen me dyer të mbyllura të kryesisë dhe ish grupit parlamentar, Basha ka kërkuar që të merren masat dhe të mos lejohet zhvillimi i zgjedhjeve të 30 qershorit. Ai u ka kërkuar kryetarëve të bashkive të djathta që të hënën të revokojnë listat e zgjedhësve. Por kështu mësohet se Basha ka kërkuar që të përsëritet skenari i Shkodrës dhe të ketë protesta në çdo takim elektoral të Ramës gjatë gjithë javës në vijim deri në zhvillimin  e zgjedhjeve në 30 qershor”.

Por ndërkohë LSI dhe Monika Kryemadhi u distancuan që para protestës nga dhuna mbi KZAZ. Skema e policit të mirë apo policit të keq, apo secili tani ka nisur pazarin e vet? /realstory.al/

Oqeani i shpresës mbrëmë në Tiranë, ky bashkim madhështor i vullneteve të qytetarëve është besimi i çdo shqiptari tek…

Gepostet von Lulzim Basha am Samstag, 22. Juni 2019



Skip to toolbar