“Basha ik”, Ristani sulmon kreun e PD dhe tregon vizionin e tij: Basha mbylli partinë

POLITIKË


Ish numri dy i Partisë Demokratike, Arben Ristani, i cili pas zgjedhjeve të 30 qershorit ka dalë kundër qëndrimeve të kreut të opozitës, ka rritur dozën e kritikave ndaj Bashës, duke e bërë përgjegjës për mbylljen e partisë dhe humbjen e besimit të qytetarëve te PD, ndërsa ka treguar vizionin e vet sesi mund të drejtohet Partia Demokratike. Po ashtu, ai u ka dhënë të drejtë kritikave të Topallit, Imamit, Patozit dhe kritikëve të tjerë për të metat e Bashës, duke deklaruar se ato nuk mund të cilësohen të njëjta me të Berishës, pasi ky i fundit ka mbajtur në pushtet PD më shumë se 12 vjet, ndërsa Basha e ka hequr nga të gjitha pushtetet.

Në një intervistë për Alfred Lelën në Politiko, ish sekretari i përgjithshëm i PD, i cili kohët e fundit i është bashkuar lëvizjes “Basha Ik”, një reagim i fortë brenda së djathtës që pritet të intensifikohet më shumë në shtator, ka deklaruar se PD ndodhet në momentin më të vështirë sepse, për herë të parë që prej themelimit, ndodhet jashtë sistemit, jashtë pushtetit qendror dhe vendor. Madje, ai i ka dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë Bashës, ndërsa është shprehur se “ky moment veçanërisht i vështirë, kërkon reflektim të thellë dhe ngritjen e gjithsecilit, mbi interesin e karrierave personale, karriera, të cilat marrin kuptim vetëm nëse organizata politike realizon qëllimin e ardhjes në pushtet”. Madje, ai ka shfajësuar edhe kritikët e shtuar ndaj Bashës, qoftë ata brenda PD, qoftë edhe të mënjanuarit, ndërsa shpjegon se ato vijnë për të mbajtur partinë të shëndetshme. “PD është pasuri kombëtare dhe, si ne që jemi në strukturat drejtuese, si anëtarët e thjeshtë, si ata që padrejtësisht janë lënë jashtë strukturave, por edhe çdo shqiptar i vetëdijshëm për rolin e partive politike në një demokraci funksionale, e kanë për detyrë qytetare, të kontribuojnë për ta mbajtur të shëndetshme”, shprehet Ristani.


Po ashtu, ai tha se të metat për të cilat kritikohet Basha nuk janë po ato të meta për të cilat është kritikuar Berisha. “Këtu kam parasysh kritikat që lidhen me prishjen e ekuilibrave të përfaqësimit në parti, mungesën e transparencës në vendimmarrje, okultizëm në marrëveshje me kundërshtarin politik, apo prishja e sistemit të karrierës dhe vlerësimit të kontributit. Megjithatë, unë besoj se rezultatet e arritura janë barometri më i saktë kur gjykojmë mbi të metat e liderëve dhe objektivitetin e kritikave. Fakti është që z. Berisha e udhëhoqi PD dy herë drejt fitores dhe e mbajti në pushtet për më shumë se 12 vjet”, u shpreh Ristani.

Ndërsa pyetjes nëse ai është kontaktuar nga Basha, apo kur e ka takuar për herë të fundit, ai i shmanget duke nënkuptuar se ai nuk ka pasur takime me të, por që mesazhet e tij të fundit nuk kanë qenë të panjohura as për Bashën dhe as për drejtuesit e tjerë të PD. “Duhet kuptuar se një organizatë politike, aq më tepër një organizatë e përmasave historike si Partia Demokratike, është aset publik. Ky status detyron dhe politikanin e cilitdo nivel, sidomos atë të nivelit të lartë drejtues, të jetë i hapur për publikun me qëndrimet e tij”, deklaroi Ristani.

Sa i përket aksionit politik të ndërmarrë nga Basha, i cili e la PD-në pas asnjë pushtet, ish numri dy i PD nuk ka përmendur të gjitha gabimet e liderit, pasi sipas tij, të gjitha mbeten në hije kur arrihet objektivi, apo shquhen me tepri, kur objektivi largohet. “Liderët tanë reflektojnë qartë mungesën e kulturës dhe vetëdijes demokratike. Shpesh herë sillen si bajraktarë dhe ngatërrohen me 1000 fije në funksion të pushtetit. Mendoj se besimi që përcjellin te bashkëpunëtorët dhe populli, është elementi çudibërës në politikë”, kritikoi ish deputeti i PD.

Po ashtu, Ristani ka folur edhe për marrëdhënien me kreun e PD, duke pasur parasysh funksionin që ai ka pasur në krye të KQZ kur Basha u zgjodh Kryetar i Bashkisë Tiranë, duke shpjeguar se mes tyre nuk ka pasur një “shlyerje borxhi” sa i përket ulje ngritjeve në këtë marrëdhënie. Ai ka deklaruar se veprimet e tij në KQZ kanë qenë konform ligjit dhe se Basha nuk i ka pasur ndonjë borxh kur propozoi emrin e tij për sekretar të përgjithshëm, duke u shprehur se bashkë me të konkurruan edhe dy figura të tjera të PD, si Selami dhe Alibeaj.

Për Ristanin, Partia Demokratike dhe drejtuesi i saj duhet të ndryshojë strategji për të ardhur në pushtet. “Që Partia Demokratike të jetë alternative e besueshme për shqiptarët duhet në radhë të parë të gëzojë besimin e demokratëve. Me këtë dua të them që funksionimi, drejtimi dhe menaxhimi t’i afrohet sa më shumë emrit të partisë. Një parti ku shtresat dhe grupet e interesit janë të përfaqësuara, ku parimet kushtëzojnë vendimmarrjen dhe sjelljet e lidershipit. Një parti e cila aplikon sisteme të cilët garantojnë garë të brendshme, qarkullim elitash, përfaqësim cilësor dhe dinjitoz. Një parti të dekompleksuar dhe mirëpritëse të debatit të brendshëm si dhe të hapur ndaj alternativës. Rendjet drejt modeleve të gatshme, qoftë këto të huazuara dhe nga vende shumë të përparuara, janë fare të kota nëse konstruksionet themelore të partisë nuk janë të bazuara mbi parime dhe vlera themelore universale të demokracisë, apo dhe mbi substratin kombëtar dhe lokal”, deklaroi Ristani.




Skip to toolbar