Basha, kundër aleatëve: Nuk ulem me Ramën, do i rikthehem protestave

POLITIKË


Rrethi i mbështetësve të kreut të PD po tkurret nga dita më ditë, që nga rritja e numrit të kritikëve, por edhe dhe aleatët e tij, të cilët kanë kërkuar të regjistrohen për 13 tetorin e Metës, duke i bërë presion Bashës që të pranojë negociatat me Edi Ramën, por ai ka deklaruar se nuk pranon të ulet në tavolinë me të.

Nga Divjaka, ku PD në dhjetë vitet e fundit ka pasur mbështetje tejet të vogël, Basha ka shprehur frikë për të pranuar negociatat me Ramën, duke qenë se ka qenë një nga tezat e tij që në momentin e djegies së mandatave. “Nuk ka kthim pas. Nuk ka ulje në tavolinë me Edi Ramën, me njeriun që vjedh zgjedhjet. Zgjedhje të lira me Hajdutin Psiqik nuk ka”, është shprehur Basha, duke u dhënë përgjigje aleatëve të vegjël. Ditët e fundit, aleatët e Partisë Demokratike po bëjnë presion që Lulzim Basha të pranojë negociatat edhe me Edi Ramën kryeministër.


Aleatët e Bashës mendojnë se opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 Tetorit, duke respektuar dekretin e presidentit Ilir Meta, megjithëse ky dekret është cilësuar nul si nga KQZ, ashtu edhe nga mazhoranca dhe e vetmja rrugë për të gjetur një zgjidhje mund të jenë negociatat mes mazhorancës dhe opozitës. Fatmir Mediu, Nard Ndoka dhe Agron Duka shprehen se janë të gatshëm të marrin pjesë në zgjedhje dhe pse shprehen se më parë duhet të zgjidhet ngërçi politik në vend. Për aleatët e Bashës duhet të lihen mënjanë interesat politike dhe të mendohet për perspektivën europiane të vendit.

Por, përgjigjja e Bashës për ta është rikthimi i thirrjes për protesta. “Synimi ynë është largimi i Ramës. Do të vazhdojmë aksionin politik, do të vazhdojmë protestat”, theksoi ndër të tjera kreu i opozitës në takimin me demokratët e Divjakës.

Madje, në kohën që kreut të PD po i shtohen kritikët për djegien e mandatave dhe refuzimin e 30 qershorit, duke e lënë opozitën pa asnjë pushtet, ai ka vijuar të bindë të vetët se djegia e mandateve ishte sukses i opozitës. “Djegia e mandateve bindi qytetarët se opozita nuk po e bën këtë betejë për vete, për karriget, për imunitetet, për privilegjet e veta”, u shpreh Basha, ndërsa për bindjen e tij për 85% e ka ironizuar edhe aleati i tij më i madh, Ilir Meta, me të cilin ka nisur krisja që pas refuzimit nga Basha të 13 tetorit. Pak ditë më herët Meta u shpreh “Sikur të kishe çerekun e 85% do kishe fituar vërtetë”.




Skip to toolbar