Lufta nul e dekreteve, Meta i rrëzon Ramës ligjin për koncesionet dhe PPP

AKTUALITET


Presidenti Ilir Meta ka kthyer mbrapsht në Kuvend ligjin për koncesionet dhe PPP-të, duke e çuar në 19 numrin total të ligjeve që i ka kthyer mbrapsht qeverisë, duke thyer çdo rekord të paraardhësve të tij në postin e presidentit.

Një ditë më herët, presidenca duke iu përgjigjur maxhorancës pas akuzave të Taulant Ballës i cili e quajti Metën “president në detyrë”, e paralajmëroi që të martën se maxhoranca i druhej më shumë ligjit që do të kthente të mërkurën.


Koncensionet dhe PPP-të janë cilësuar nga maxhoranca qeverisëse si mënyra më e mirë për të investuar në vepra madhore në Shqipëri, por presidenti ashtu sikurse dhe opozita nuk ndajnë të njëjtin mendim. Prej kohësh Basha ka sulmuar qeverinë për koncesionet duke i cilësuar ato korruptive dhe ka thënë se kur ai të vijë në pushtet do t’i anulojë të gjitha.

Në argumentet e dhëna nga presidenti për kthimin mbrapsht të ligjit thuhet se “ndryshimet cënojnë interesin publik dhe dy nene janë të dyshimta dhe klienteliste”.

Miratimi i ndryshimeve në ligjin e koncesioneve vlerësohet nga Meta si një nisëm pozitive, por tepër e vonuar e Kuvendit të Shqipërisë, dhe me pasoja negative për ekonominë e vendit.

“Ligji nr. 50/2019, i përcjellë për dekretim i duhet kthyer Kuvendit me qëllim rishikimin e neneve 17 dhe 18 të tij, pasi këto dy nene shtyjnë subjektivisht hyrjen në fuqi të kufizimeve që vendosen në dhënien e kontratave koncesionare/PPP, që po ky ligji i ri parashikon.

Presidenti i Republikës, kërkon rishikimin tërësor të këtyre dy neneve, sepse ato kompromentojnë qëllimin e të gjithë pjesës tjetër të ligjit, pasi këto dy dispozita krijojnë hapësirën e nevojshme për të prodhuar sërish pasoja dhe qëllime klienteliste”, shkruhet në argumentet e Presidentit.

Referuar dokumenteve të kuvendit, Meta vëren se vetëm 24 orë përpara se seanca plenare e Kuvendit, do të votonte ligjin për të kufizuar dhënien me koncesion të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, deputeti socialist Arben Ahmetaj ka paraqitur një kërkesë për ndryshimin e dy neneve (17-18), me qëllim që këto kufizime të shtyhen për një periudhe kohe edhe me  3 muaj të tjerë.

“Edhe pse kërkesa e deputetit nuk ishte e justifikuar, sa i takon qëllimit real dhe objektiv se përse kërkohen realisht këto amendamente, sërish Kuvendi e pranoi këtë kërkesë dhe me votimin e neneve të ndryshuara u hap edhe një herë rruga që koncesionet të aplikohen pa kufizim edhe për 3 muaj të tjerë.

Pra me ndryshimet që pësuan nenet 17-18 të ligjit, kontratat koncesionare do të vazhdojnë të jepen pa kufizim, për çdo lloj fushe, pasi afati u shty nga data 1 korrik 2019 që ishte planifikuar,  u shty për të hyrë në fuqi në datë 1 tetor 2019.

Duke shtyrë afatin e kufizimeve që vendos ligji i ri, për një datë të mëvonshme 1 tetor 2019, Kuvendi në kundërshtim me interesin publik krijon një mundësi të re që çdo kërkese për koncesion, që paraqitet deri në 1 tetor 2019, të shqyrtohet dhe të pranohet nga qeveria shqiptare, pa asnjë kufizim sërish me ligjin e vjetër”, argumenton presidenti, i cili i kërkon Kuvendit përmirësimin e këtyre dy neneve “në mënyrë të atillë që të pengojë mënjeherë dhënien me koncesion të pronës publike dhe pasurisë shtetërore jashtë kritereve”.

Ditën e martë presidenti nuk dekretoi ndryshimet në Kodin Penal që synonin ashpërsimin e dënimeve për veprat e dhunës ndaj policit, mjekut, sportistit, arbitrit, dhe trajnerit, funksionareve publike dhe të zgjedhurve, apo atyre që shërbejnë në shërbimin publik.

Gjithsesi, presidenti e di shumë mirë se dekretet e tij janë nul, nuk kanë fuqi ligjore, kjo për faktin e ata zhvlerësohen shumë lehtë nga maxhoranca me forcën e kartonit. Nuk duhet as shumicë e cilësuar për të rrëzuar një dekret presidencial, mjafton një shumicë normale, vota të cilat PS i ka të garantuara. Pra Meta i përdor dekretet thjeshtë për protagonizëm politik pasi sapo të mblidhet kuvendi, dekreti i tij do të rrëzohet nga maxhoranca./Realstory.al




Skip to toolbar