Basha mbledh kryebashkiakët e djathtë. SHBA la porosi të lënë karriget

AKTUALITET


Dy ditë pas zgjedhjeve të 30 qershorit, kryetari i PD-së Lulzim Basha do të zhvillojë një takim me kryebashkiakët e djathtë që tani pas zgjedhjeve duhet të lënë karriget.

Takimi është parashikuar të zhvillohet të martën (sot) në orën 11:00 në selinë e PD.

Nuk dihet ende se cili do të jetë hapi i radhës i PD-së, pas zgjedhjeve të 30 qershorit, ku ajo nuk mori pjesë duke e lënë veten pa asnjë pushtet edhe në nivel lokal.

Gjatë të hënës pati zëra nga PD, siç ishte Albana Vokshi dhe Xhelal Mziu të cilët thanë se nuk do t’i lënë zyrat deri në zhvillimin e zgjedhjeve të ligjshme. Por zyrtarisht nga PD ende nuk ka një vendim për këtë.

Gjatë të hënës në mbrëmje Ambasada e SHBA e tha qartë dhe prerë se të zgjedhurit e ri vendorë që dolën nga zgjedhjet e 30 qershorit, duhet të marrin detyrën dhe të nisin punën. Ndërsa mesazhi për PD-në ishte se nëse kundërshton zgjedhjet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Nuk pritet të ketë surpriza në këtë drejtim. Pavarësisht qëndrimeve të dhunshme para zgjedhjeve PD u tërhoq pikërisht nga presioni i SHBA dhe nuk pritet të dalë kundër apelit të saj.



Skip to toolbar