SHBA: Mbështesim ODIHR, kontestimi i zgjedhjeve vetëm në Gjykatën Kushtetuese

AKTUALITET


Ambasada e SHBA, reagoi për herë të parë pas zgjedhjeve të 30 qershorit, me një deklaratë që duhet thënë ishte perfekte duke vënë pikat mbi “i”. Ishte një deklaratë e një fitimtari, i një fitore pa luftë që arriti të neutralizojë palët, pavarësisht tensioneve të larta dhe skenarëve real për të destabilizuar paqen dhe qetësinë në vend. Në reagim e saj, Ambasada Amerikane vlerësoi qetësinë dhe procesin e rregullt që mbizotëroi gjatë votimit, por theksoi se për shkak të ngërçit politik, votuesit nuk kishin një zgjedhje kuptimplotë.

Shtetet e Bashkuara mirëpresin përfundimet e misionit vëzhgues të ODIHR-it, sipas të cilave zgjedhjet bashkiake të 30 qershorit u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe të rregullt, si dhe dhanë një vlerësim të përgjithshëm pozitiv për numërimin e votave. Ne pranojmë, megjithatë, ashtu siç e vuri në dukje edhe misioni i ODIHR-it, se ngërçi dhe polarizimi politik kontribuan për zgjedhje në të cilat votuesit nuk kishin një zgjedhje kuptimplotë. Pavarësisht pengesave, populli shqiptar – qoftë ata që morën pjesë në zgjedhje, ashtu edhe ata që abstenuan – ushtruan të drejtën e tyre demokratike në mënyrë paqësore dhe ne i përgëzojmë për këtë.” – shkruhet në deklaratën e ambasadës amerikane.


Ambasada e SHBA, nuk hezitoi t’i përgjigjej edhe opozitës, e cila tha se nëse dikush nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve, duhet të pres krijimin e Gjykatës Kushtetuese për të bërë kontestimin e tyre. Opozita dhe presidenti Meta, i kanë cilësuar si zgjedhje nul dhe të pavlefshme duke mos i njohur ato. Madje kjo deklaratë erdhi menjëherë pas daljes publike të kreut të PD, Basha, i cili doli me një fjalim triumfuesi duke thënë se 85 % e shqiptarëve i bojkotuan zgjedhjet farsë. Ambasada Amerikane shtoi se është e gatshme të bashkëpunojë dhe të ndihmojë në forcimin e shtetit ligjor për të gjithë shqiptarët.

“Në këtë çast, ne iu bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të respektojnë shtetin ligjor dhe të punojnë brenda institucioneve ngritura për të përcaktuar rrugën përpara për demokracinë shqiptare, përfshi përparimin me reformat e rëndësishme zgjedhore të rekomanduara nga ODIHR. Ata që dëshirojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve, mund të presin nga Gjykatën Kushtetuese, e cila shpresojmë do të ngrihet së shpejti, me gjykatës të cilët kanë kaluar një proces rigoroz vetingu. Si gjithnjë, Shtetet e Bashkuara janë në krah të popullit shqiptar si një vend partner, një mik dhe një aleat. Ne jemi të përkushtuar të ndihmojmë për forcimin e shtetit ligjor dhe ndërtimin e një demokracie më të fortë dhe një të ardhmeje më të ndritur për të gjithë shqiptarët.” – përfundon deklarata.




Skip to toolbar